Mobi Casa

Vera, me shumë të shtëna nëpër ahengje!

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Dasmat në kryeqytet, sidomos në sezonin e verës, kur mërgimtarët vijnë në pushime gjithmonë janë në trend. E bashkë me dasmat dhe ahengjet, shtohen edhe të shtënat, të cilat po i shqetësojnë prishtinasit.

Këta të fundit, thonë se sidomos gjatë natës, nuk mund t’i mbyllin sytë nga zhurma e të shtënave. Por të shtënat, sipas tyre, përveç se po ua prishin qetësinë në shtëpitë dhe banesat e tyre, kanë frikën se do t’u shkaktojnë edhe viktima.

Zyrtarë nga Policia e Kosovës thonë se sikurse viteve të kaluara edhe këtë vit, kanë filluar fushatën “Festo me zemër, jo me armë”. E, sipas një raporti të Policisë, vetëm gjatë muajit të shkuar (qershor), Prishtina, për dallim nga qytetet tjera, prin me numër të madh të të arrestuarve, dhe konfiskim të armëve në dasma dhe ahengje familjare.

Në këtë raport janë regjistruar gjithsej 19 raste të paraqitura të të shtënave me armë, përderisa janë konfiskuar 10 pistoleta. Përderisa ka pasur konfiskime armësh në dasma, për fat të mirë nuk raportohet se ka pasur të lënduar. Më tutje në këtë raport thuhet se janë konfiskuar 9 armë të gjata, 29 gëzhoja, janë arrestuar 13 persona, 19 është numri i rasteve që Policia i ka dërguar në gjykatë për armëmbajtje pa leje e prishje të rendit dhe qetësisë.

Eco Higjiena

Baki Kelani, zëdhënës në Policinë e Kosovës, tha se Policia është duke marrë masa ndaj çdo rasti të paraqitur ku ka prishje të rendit dhe qetësisë si dhe armëmbajtje pa leje, etj.

Në anën tjetër, disa nga prishtinasit shprehen të shqetësuar lidhur me dukurinë e të shtënave me armë nëpër ahengje familjare. “Ka një muaj që janë shpeshtuar dasmat e ahengjet e bashkë me to edhe krismat e armëve. Mbrëmë, për shembull në lagjen time sa shumë ka pasur të shtëna, muzikë me zë të lartë sa që nuk kam arritur t’i mbyllë sytë… Kjo me të vërtetë nuk është në rregull, pasi ata që i kanë këto ahengje duhet me festu për veti dhe jo t’i shqetësojnë të tjerët përreth”, tha prishtinasja Resmije Bajrami, nga lagjja “Tophane”.

E, Hamdiu, një prishtinas tjetër, thotë se për t’u vetëdijesuar qytetarët që të mos veprojnë kështu, Policia duhet të marrë masa ndaj tyre. “Duhet të shqiptojnë gjoba, po ashtu duhet të dalin me një adresë të veçantë për këto raste, në mënyrë që nëse ne kemi shqetësime të tilla të telefonojmë apo të drejtohemi direkt në atë adresë që Policia pastaj neve të na përgjigjet menjëherë dhe të marrin masa ndaj atyre që gjuajnë me armë në ahengje, dhe shqetësojnë të tjerët…”, tha ky banor.

Edhe një prishtinase tjetër, Agnesa Demolli, shpreh shqetësimin e njëjtë. “Përveç që po na pengojnë këto dasma e të shtëna, po ua kam frikën se do të pësojë dikush nga ne, pasi që plumbit nuk i dihet ka bie”, u shpreh ajo.(zeri)