Vera e Xhakës
Granit Xhaka e kaloi një edicion të shkëlqyeshëm në Bundesligë, dhe me plot meritë zuri vend në formacionin më të mirë kampionatit, përkrah yjeve tjerë të famshëm që luajnë në elitën e futbollit gjerman.
Ylli kosovar shkëlqeu në çdo ndeshje që u aktivizua dhe ishte njëri prej më meritorëve në kualifikimin e Borussia Monchengladbachut në Ligën e Kampionëve.
Pa dyshim, ky ishte edicioni më i mirë i deritanishëm për mesfushorin prishtinas, i cili gjatë kësaj vere pritet ta bëjë hapin më të madh në karrierë, duke iu bashkuar ndonjërit prej klubeve më të mëdha evropiane.
I vetëdijshëm me këtë mundësi, Borussia Monchengladbach qysh herët ndërmori masa, duke e vazhduar kontratën me Xhakën deri në vitin 2019, ndërsa gazeta më e madhe gjermane, “Bild”, lajmëroi të gjitha klubet evropiane, se cilado që dëshiron të blejë kartonin e 22-vjeçarit, duhet t’i bëjë gati rrafsh e barabar 25 milionë euro.
Por, përkundër këtij çmimi shumë të lartë, gjigantë evropianë nuk po hezitojnë ta tentojnë transferimin e Xhakës. Të tilla klube ka me bollëk, por një konkurrencë e fortë aktualisht po sillet mes gjermanëve, italianëve e spanjollëve.
Në fakt, e ardhmja e Xhakës mund të mbetet akoma në Gjermani, pasi Bayern Munich ka shprehur interesim shumë serioz për mesfushorin, i cili mund të bëhet shqiptari i dytë që luan për gjigantin gjerman, pas Xherdan Shaqirit.
E kaluara tregon se Bayern Munich gjithnjë mbledh ajkën e futbollistëve të Bundesligës, dhe kjo tani mund të ndodhë edhe me Xhakën, i cili është bërë yll i madh në Gjermani.
Në anën tjetër, gjiganti italian, Milan, po e përgatit një revolucion, për t’i dhënë fund kohës së errët. Kampioni i shtatëfishtë i Evropës po e pret përgjigjen e trajnerit Carlo Ancelotti dhe menjëherë pastaj do ta nisë angazhimin e disa lojtarëve të mëdhenj, dhe mediat evropiane vazhdojnë të raportojnë se Xhaka është një prioritet i rëndësishëm i “Rossonerëve”.
Ndërkohë, interesimi i filluar para disa muajve i Atletico Madridit dita-ditës po intensifikohet. E ky numër i klubeve pritet të rritet. Andaj, Granit Xhaka gjatë kësaj vere pritet ta bëjë hapin më të madh të karrierës, duke iu bashkuar një klubi gjigant. /Zëri/


