RCCOLA

Vepra e Adem Demës është përjetësisht e vulosur në histori

/ 11 minuta lexim
Mobi Casa

Ishte ky vlerësimi i shkrimtarit, Kadri Rexha, për veprën më të re të Adem Demajt, “Shkrumnaje e Dashuri” , ndërsa që Baca Adem në fjalën e tij vlerësoi lart kontributin e mërgimtarëve dhe shtetit të Zvicrës, për Kosovën .

Nga tubimi u dha propozimi që veprimtari Ahmet Haxhia-Baca të shpallet hero i popullit .

Çdo takim i Adem Demaçit ( apo Demajt, siç figuron në veprat e tij më të re), me bashkatdhetarë, është më se mbresëlënës. Ndaj edhe ardhja e tij më 11 nëntor, në sallën e Hotelit Winkelried, në Wetingen të Zvicrës, u prit me duartrokitje dhe ngritje në këmbë. Prania e tij, në mesin e miqve të shumtë, përbënte edhe një eveniment të rëndësishëm kulturor në kuadër të Njëqindvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, meqë me këtë rast bëhej edhe përurimi i romanit të tij më të ri, “Shkrumbnajë e dashuri”.

Tubimin, pas antonimit të Himnit Kombëtar, në prani të disa qindra bashkatdhetarëve e shpalli të hapur, veprimtari Ibish Neziri, i cili në emër në emër të këshillit organizativ, i dëshiroi mirëseardhje bacës Adem, përfaqësuesve të ambasadave të Kosovës e Maqedonisë dhe të gjithë të pranishmëve. Me këtë rast ndër të tjera , Neziri tha se: sot për neve është nderë dhe kënaqësi që në mesin tonë ta kemi simbolin e rezistencës sonë kombëtare, njeriun që gjithë jetën e tij u dogj si qiri për të na ndriçuar neve, të tjerëve, luftëtarin e madh për të drejtat e njeriut dhe të drejtat kombëtare, bartësin e çmimit “Saharov” të cilin ia dha Parlamenti Evropian në vitin 1991 e mbi të gjitha Nderin e Kombit, bacën Adem Dema!

Më pastaj përshëndetën Ambasadori i Kosovës, Naim Malaj si dhe i Maqedonisë, Ramadan Nazifi të cilët vlerësuan lart jetën dhe veprën e Adem Demaçit edhe si patriot edhe si njeri.

Në një recension , mbi librin “Shkrumnaje e Dashuri” të autorit Adem Demafoli Mr. Fatmir Arifi, i cili në cilësinë e recensuesit nergut kishte ardhur për të marrë pjesë në këtë promovim. Ai përkujtoi se : Demaçi na sjell një vepër e cila është një ndërmarrje e pashoqe dhe se vështirë që do ta kemi në dekadat e ardhshme. .. Që në faqet e para të librit padyshim që lexuesi do të hasë në një kthjelltësi dhe saktësi të pashoqe në interpretimin e dramës të quajtur Kosovë e sidomos të asaj periudhe të luftës së fundit. Nëpërmjet lojës me personazhe siç janë Shega, Heli Mimoza Azemi dhe shumë të tjerë, autori shtjellon tërë ngjarjen e një shoqërie brenda një sundimi totalitarë, por gjithnjë të përcjell me dëshirën e një misioni të suksesshëm të daljes nga ky totalitarizëm.

Nuk do të luftojmë më për Kosovën duke u dergjur nëpër burgje

Me një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua Adem Demaçi, meqë rast, pasi falënderoi mërgatën dhe shtetin zviceran për kontributin e dhënë për Kosovën në të gjitha periudhat, përkujtoi se është koha që të luftojmë në formë pak më ndryshe për Kosovën e jo duke u dergjur nëpër burgje . Përkujtoi se merita për të gjithë ato që ka arritur kombi shqiptar në këtë njëqindvjeçar i përket njerëzve të vegjël e të zakonshëm e sidomos e nënave tona , të cilat i dhanë njerëz të mëdhenj kombit.

Veprimtari dhe shkrimtari Kadri Rexha , në këtë promovim u prezantua me një vështrim sa përmbajtës aq edhe analitike, duke veçuar që në fillim të dhënën se, Vepra e Adem Demës është përjetësisht e vulosur në Histori. Që në fillim përmendi se ndjehet me fat qe i ishte dhënë rasti që në përurimin e romanit “Shkrumbnajë e dashuri” të autorit Adem Dema të paraqitej edhe ai me një fjalë të shkurtë:

-Për mua është vështirë të ndalëm vetëm në trajtimin e përshtypjeve të mia për romanin në fjalë e të mos flas për autorin e romanit, ashtu siç është vështirë të flas për autorin e romanit e të mos flas për veprën e tij të gjerë e të thellë, mbi gjysmë shekulli të gjatë dhe përjetësisht të vulosur në histori.

Fundamenti

Figura shumëdimensionale e Adem Demës për brezin tim si dhe për brezat e mëvonshëm për herë qe dhe mbeti në nivelin e një figure të denjë për hero legjendash. Ai jo vetëm se është konsideruar si njëri ndër zëdhënësit më besnik të idealeve dhe të kërkesave të popullit të Kosovës dhe të viseve të saj, Ai jo vetëm se është konsideruar flijuesi më i ndërgjegjshëm në emër të idealeve dhe të aspiratave të popullit të tij, por, me veprimtarinë e tij të gjerë politike, kulturore dhe shoqërore, konsiderohet ideolog dhe projektues i pavarësisë së Kosovës, të cilën ai e konsideroi si hap të parë drejt bashkimit të trojeve shqiptare në një shtet dhe nën një flamur. Nëse i besojmë faktit se gjatë periudhës së luftës së ftohtë ekzistonin dy superfuqi botërore, SHBA-të dhe Bashkimi Sovjetik, atëherë me plot bindje kam guxim të pohoj se në mesin e dy tri personaliteteve botërore, të shquara për karizmin e superfuqisë, e gjejmë edhe figurën e Adem Demës, i cili, me idetë liridashëse, me veprimtarinë revolucionare dhe me armatën e tij të përbërë nga djemtë dhe vashat më të mira të Kosovës, vit pas viti, arriti ta shkatërrojë doktrinën planetare komuniste si dhe njërën ndër perandoritë moderne më të forta të rruzullit tokësor, siç ishte Jugosllavia e pas Luftës së Dytë Botërore.

Protagonist i shquar i mendimit shkencor dhe i veprimit të guximshëm

Më tej Kadri Rexha duke folur për tiparet njerëzore e intelektuale të Bacës Adem , natëe karakterizoi si : Intelektual i pa shoq, protagonist i shquar i mendimit shkencor dhe i veprimit të guximshëm, krijues i talentuar në fushën artit letrar dhe mjeshtër i shkëlqyer i fjalës, njohës i mrekullueshëm i shpirtit të njeriut, i traditës kombëtare dhe asaj të përbotshme si dhe njohës i jetës në të gjitha dimensionet e saja historike dhe shoqërore, Adem Dema nuk rreshti asnjëherë të jetë zë i popullit të vet, ndërgjegje e zgjuar e bashkatdhetarëve të robëruar dhe kambanë alarmi e kohës sonë. Njëzet e tetë vjet vuajtje nëpër burgjet e errëta dhe të lagëta të pushtuesit në emër të progresit historik! Njëzet e tetë vjet qëndresë përballë torturave fizike dhe psikike të UDB-esë në emër të drejtësisë! Njëzet e tetë vjet stoicizëm përballë fyerjeve dhe përbuzjes së armikut në emër të lirisë së popullit të vet! Me plot kuptimin e fjalës: simbol i rezistencës dhe flijimit shqiptar.

Misionar profetik i çështjes së kombit dhe i fatit të atdheut

Edhe asokohe kur nuk ishte prezent me fjalën e gjallë, edhe atëherë kur doli nga burgu personal dhe hyri në burgun kolektiv të quajtur Kosovë, edhe sot në moshën e pjekur të mendimit dhe të veprimit Adem Demaçi përherë qe dhe përherë është mes nesh, herë si frymë zgjimi netësh të robërisë së Kosovës e herë si misionar profetik i çështjes së kombit dhe i fatit të atdheut, herë i pakapshëm si drita e diellit në ballin e masave popullore e herë i kthjelltë si mendimi i urtë në kuvendet tona historike, ja kështu, konkret, përherë në veprim dhe gjithmonë shembull i lartë frymëzimi për të gjithë bashkëkohësit e tij guximtar dhe për të gjithë brezat e rinisë shqiptare që erdhën pas tij. Shembull prijësi popullor për veprimtarinë atdhetare, shembull intelektuali në rrugën idealit kombëtar dhe atë mbarënjerëzorë, shembull humanisti dhe morali parimor në jetën tonë shoqërore dhe më gjerë, Adem Dema mbetet edhe shembull i lartë shkrimtari në jetën tonë artistike, kulturore dhe shoqërore. Një pohim të këtillë e dëshmon krijimtaria e tij shumë e pasur e shprehur në poezi, në prozë dhe në dramë. Shembulli i shkrimtarit popullor, sa klasik po aq modern, vihet në pah sidomos në romanet e tij që nga “Gjarpijtë e gjakut” e deri te romani “Shkrumbnajë e dashuri”, të cilin po e përurojmë sot. Ajo që shkrimtarin Adem Dema e bën popullor dhe të dashur për çdo lexues nuk është vetëm tema e madhe kombëtare, nuk është vetëm porosia vizionare, nuk është vetëm stili poetik, nuk është vetëm gjuha e pasur dhe e shkathtë, nuk janë vetëm figurat e fuqishme stilistike, nuk janë vetëm personazhet e ndërtuara me mjeshtri, nuk janë vetëm peizazhet dhe koloriti ambiental, etj. por, mbi të gjitha, është përgatitja dhe dhuntia e tij prej shkrimtari, i cili jo vetëm që e njeh jetën në tërësinë e saj shumëdimensionale, por edhe shkrimin e bën me përkushtim të veçantë dhe me dashuri të pastër njeriu.

“Shkrumbajë e dashuri”, një tablo e gjerë artistike të jetës së Kosovës së pasluftës

Në serinë e romaneve autobiografike të shkrimtarit Adem Dema, romani “Shkrumbajë e dashuri”, me temën dhe mesazhin, paraqet një tablo të gjerë artistike të jetës së Kosovës së pasluftës, të Kosovës së çliruar nga UÇK-ja e lavdishme, të Kosovës me të gjitha të priturat dhe të papriturat që e përcjellin çlirimin e popullit shqiptar nga robëria shumëshekullore. Vend të posaçëm në këtë roman zë kapitullimi me turp dhe rënia e Serbisë në Kosovë, viktimat e dhunës ushtarako-policore si pasojë e luftës rrënimtare, si dhe dashuria njerëzore si ilaç i kthimit të viktimave të luftës në jetë. I shkruar me elemente të theksuara të dramës ranani ka karakter profetik dhe artistikisht parathotë platformën e zhvillimit të lëvizjes sonë kombëtare për të ardhmen deri te bashkimi i kombit, deri te bashkimi i trojeve të Atdheut..
Romani është botuar dhe nga sot ai i takon lexuesit, përfundoi fjalën e tij Kadri Rexha.

Ahmet Haxhia-Baca të shpallet hero i popullit

Më pastaj në emër të Këshillit të këtij manifestimi, Agush Buja i propozoi kryetares së së Kosovës, Atifete Jahjages, që veprimtarin e shquar të çështjes kombëtare , Ahmet Haxhia-Baca, një nga prijatarë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që ta dekoroi me urdhrin e heroit ë popullit, propozim ky që nga të pranishmit u përkrah me duartrokitje të shumta.

Tubimi i promovimi u mbyll me një këngë me sharki nga këngëtari Shpend, Shaqa i biri i rapsodit i rapsodit të mirënjohur shqiptar, Dervish Shaqa si dhe me dhënien e nënshkrimit në librin “Shkrumbajë e dashuri”, nga autori , libër ky që në një sasi të konsiderueshme do të shpërndahet edhe përmes ambasadave. Ndërkaq një promovim i ngjashëm në prani të autorit do të mbahet të mërkurën në St. Galen, në këtë adresë: St. Gallen-Winkeln ne Restorant KREUZ. Koha: Te mërkuren me 14.11. 12 nga ora 19.30.(tungch)