Vendimmarrësit miratojnë raportin financiar, heqin nga rendi i ditës tregun e gjelbër
Gjilan – Kuvendi Komunal i Gjilanit, të mërkurën, një seancë të veçantë, të kryesuar nga Izmi Zeka, ka miratuar raportin financiar janar-qershor 2013 si dhe disa vendime për planet rregulluese, ndërkaq ka vendosur ta heq nga rendi i ditës pikën për dhënien e pronës komunale te tregu i gjelbër në shfrytëzim për një periudhë afatshkurtër, që u bë shkas për braktisje e seancës nga opozita (LDK).Njëherësh, Kuvendi është njoftuar edhe me raportin e auditorit të përgjithshëm për pasqyrat vjetore financiare në këtë komunë, për vitin 2012.
Nuhi Nuhiu, drejtor për Buxhet dhe Financa, tha se të hyrat vetanake dhe shpenzimet janë realizuar sipas planifikimit, duke nënvizuar faktin se shpenzimet janë në kufijtë lejuar. Sa u përket të hyrave vetanake, ato kanë shënuar një rritje te tatimi në pronë si dhe te disa kategori tjera, ndërsa është ruajtur stabiliteti te qiratë dhe të hyrat nga biznesi, ka thënë Nuhiu.
Ndërkaq, në lidhje me auditimin e përgjithshëm, Nuhiu tha se raporti konstaton se Komuna e Gjilanit ka arritur progres në përmirësimin e ambientit të kontrollit të brendshëm, ndërsa vërejtje teknike ka pasur te tri pozicione, ndër të cilat është edhe zotimi i mjeteve. Përndryshe, Nuhiu tha se komuna e Gjilanit është model për pasqyrat financiare.
Kuvendi Komunal ka miratuar edhe vendimin për Planin Rregullues urban “Livadhet e Arapit”, vendimin për miratimin e kushteve të përkohshme urbanistike-arkitektonike dhe kushteve të ndërtimit për disa pjesë të qytetit të përfshira në Planin Zhvillimor Urban, vendimin për taksat administrative për lëshimin e lejeve të ndërtimit, vendimin për miratimin e zgjidhjes urbanistike të infrastrukturës rrugore të një pjese të Planit Detal Urbanistik “Qarku” si dhe vendimin për zgjidhjen urbanistike të infrastrukturës rrugore të një pjese të Planit Rregullues “Kodra e Thatë”, të cilat i ka arsyetuar Bahrije Mahmuti, drejtoreshë për Urbanizëm.
Zona “Livadhet e Arapit” ka qenë pjesërisht e mbuluar me plan, prandaj është dashur t`i hyhet procedurës për hartimin e planit rregullues në tërësi, të cilin me shumë përkushtim e ka punuar kompania “Urban Plus” nga Prishtina, në bashkëpunim me drejtorinë komunale.
Drejtoria për Urbanizëm ka mbajtur edhe një dëgjim publik me një grup të qytetarëve të lagjes “Livadhet e Arapit”, të cilët kanë kërkuar ndryshim të destinimit në një pjesë të zonës, para se plani rregullues të shkojë për miratim në Kuvend Komunal, por pasi janë përfunduar të gjitha procedurat tjera, përfshirë edhe debatin me qytetarë, ka thënë ajo.
Planin e ka prezantuar projektuesi Ilir Gjinolli, i cili ka thënë në këtë lagje janë planifikuar dy shkolla, tre çerdhe, një ambulancë si dhe infrastrukturë tjetër për nevoja publike.
Sa u përket kushteve të përkohshme urbanistike, Mahmuti tha se bëhet fjalë për zonat ku nuk ka plane rregulluese dhe ku këto ndërhyrje të vogla nuk bien në kundërshtim me ligjin. Te zona “Qarku” ndërhyrja bëhet me kërkesën e qytetarëve për të krijuar qasje në infrastrukturë rrugore, sikurse edhe te zona “Kodra e Thatë”.
Ajo ka thënë se revidimet e pjesshme në këto dy zona, janë të nevojshme për të krijuar zgjidhje për qasje në infrastrukturë rrugore, por pa cenuar planin zhvillimor urban, që për zonën “Qarku” është miratuar në vitin 2002, ndërsa për zonën “Kodra e Thatë”, në vitin 2010.
Mahmuti ka thënë se në këtë rast bëhet një racionalizim i parcelave ekzistuese për banim individual, për të krijuar qasje në infrastrukturën rrugore, të cilën e kanë kërkuar qytetarët e kësaj pjese.
Zgjidhja urbanistike në disa pjesë të qytetit është e nevojshme për shkak se planet e vjetra urbanistike në pjesën e vjetër të qytetit dhe disa pjesë përreth, janë të tejkaluara dhe nuk përputhen me konceptet zhvillimore dhe destinimet e parapara me planin zhvillimor urban (PZHU) të vitit 2008.
Sa i përket taksës administrative për leje ndërtimore, Mahmuti tha se ajo çyshtë kaluar në harmoni me ligjin për ndërtim dhe udhëzimet administrative dhe është shumë më ultë se sa ka qenë më herët.
Ajo është përgjigjur edhe në interesimet konkrete të këshilltarëve Refik Hasani, Arianit Sllamniku, Tahir Arifi dhe të tjerë. Te vendimi për lagjen “Kodra e Thatë”, këshilltarët e AAK-së kanë abstenuar nga votimi, me arsyetim se këtë qëndrim e kanë mbajtur edhe në Komitetin përkatës.
Florina Zymberi, kryesuese e Komitetit për Planifikim Urban, ka kërkuar miratimin e këtyre vendimeve, duke thënë se i kanë kaluar procedurat e planifikuara dhe janë rekomanduar nga komiteti. Ajo ka thënë se është interesi i qytetarëve të kenë qasje në infrastrukturën rrugore dhe kjo duhet t`iu mundësohet sipas zgjidhjes që ka propozuar drejtoria e Urbanizimit.
Tregu i gjelbër ka qenë pika që ka nxitur më së shumti mospajtime ndërmjet pozitës dhe opozitës (LDK). Në emër të grupit të këshilltarëve të këtij subjekti, Sadudin Berisha ka kërkuar që kjo çështje të mos shqyrtohet fare në këtë mandat qeverisë, sepse zgjedhjet janë afër. Në shenjë pakënaqësie që propozim-vendimi u shty për më vonë, derisa grupet e interesit të dakordohen mes vete, ata e braktisën mbledhjen.
Izmi Zeka, kryesues i Kuvendit Komunal, tha se kështu e ka demokracia. Zeka ka thënë se opozita (LDK) duhet ta kuptojë se kjo qeverisje ka mandat për të marrë vendime deri më 3 nëntor./rajonipress/


