UBT

Vendimmarrësit komunalë miratuan hartimin e planit zhvillimor për Zhegrën

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan- Kuvendi Komunal i Gjilanit ka miratuar të martën, në seancën e nëntë të radhës për këtë vit, që e ka kryesuar Izmi Zeka, disa vendime për planet urbane rregulluese, të cilat i ka arsyetuar Bahrije Mahmuti, drejtoreshë e Urbanizmit.

Duke e paraqitur arsyetimin për hartimin e PZHU “Subqendra Zhegër”, Mahmuti ka thënë se kjo zonë përbën një tërësi hapësinore kompakte, që fillon nga pjesa jugore e qytetit të Gjilanit dhe shkon deri në kufirin shtetëror me Maqedonisë dhe Serbinë, si dhe në pjesën e brendshme, deri në komunën e Vitisë dhe Parteshit.

Kjo hapësirë është shumë pak e banuar, por me tendenca të zhvillimit të pakontrolluar, kryesisht në toka të rrafshëta bujqësore, që në mënyrë të drejtpërdrejtë zvogëlon sipërfaqen e punueshme dhe ndikon në degradimin e tokave për rreth.

Ajo ka thënë se kjo zonë duhet të zhvillohet në bazë të një strategjie afatgjate dhe afatmesme të planifikimi. Plani definon kushtet urbanistiko-teknike për të gjitha ndërtimet dhe projektet tjera në këtë lokalitet.

Plani krijon kushte për orientimin e zhvillimeve më të detajuara në harmoni me Planin Zhvillimor Komunal “Gjilani 2015+” dhe politikat në fushat e zhvillimit ekonomik, demografisë dhe çështjeve sociale, infrastrukturës dhe transportit si dhe shfrytëzimit të tokës dhe mjedisit, ka thënë Mahmuti.

Propozim-vendimi është përkrahur edhe nga grupimet politike, Florina Zymberi (PDK), Sokol Haziri (AAK), Ramiz Ramadani (LDK) dhe të tjerët. Gjithashtu u miratuan edhe vendimet mbi qasjen në hartimin e planin rregullues “Zabeli 1” si dhe revidimi i një pjese të planit detal në ish-lagjen “Popovica”, te pjesa mbi tunel, që gjithashtu morën përkrahjen e grupimeve politike.

Kuvendi ka miratuar edhe vendimi për emërimin e anëtarëve të Komisionit Komunal të aksionarëve në Ndërmarrjen për transportin e udhëtarëve “Kosovatrans” si dhe në kompaninë “Ecohigjiena”, por këto pika kanë shkaktuar mospajtime ndërmjet subjekteve politike, sidomos të atyre opozitare, sa i përket përfaqësimit.

Kreu i Komunës, Qemajl Mustafa, ka thënë se Kuvendi Komunal i delegon dy anëtarë në komision, prandaj ka kërkuar nga opozita (LDK e AAK) që të tregohen tolerante dhe të merren vesh rreth përfaqësimit.

Mobi Casa

Meqenëse këshilltarët e LDK-së, Sadudin Berisha dhe Arben Mehmeti nuk hoqën dorë nga përfaqësimi në të dy komisionet, duke thënë se kjo i takon këtij subjekti në bazë të përfaqësimit në Kuvendin Komunal, si partia më e madhe opozitare, ndërkaq që edhe përfaqësuesi i AAK-së, Sokol Haziri kërkoi që ky subjekt të ketë anëtarin e vetë në njërin prej komisioneve, atëherë Kuvendi votoi për propozimet, duke përfshirë edhe G/3.

Me votat e Kuvendit, përfaqësimin në këto komisione e siguruan PDK, AKR e LDK, ndërsa AAK dhe G/3 nuk arritën të sigurojnë vende.

Kuvendi miratoi edhe vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në emër të subvencionit për dy familje të dëshmorëve, të cilat janë ndihmuar gjatë verës, derisa Kuvendi Komunal ka qenë në pushim, ndërkohë që kërkoi nga kryetari i Komunës propozim konkret për përfshirjen në subvencione të të gjithë fëmijëve të dëshmorëve, të cilët kanë të drejtë t`i shfrytëzojnë ato mjete për bursa, nevoja tjera familjare, ose edhe për dasma, sikurse familjet Tahiri e Ramadani.

Kuvendi miratoi edhe anulimin e vendimit për lejimin e mjeteve financiare prej 100 € në emër të kujdesit për familjet e ish-shërbyesve civilë komunalë, të cilin e arsyetoi Xhemajl Salihu, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale si dhe vendimin për mbështetjen financiare të kandidatëve që përgatisin disertacionin e doktoratës, të cilin e arsyetoi Bujar Nevzati, drejtor për Arsim, ndërkaq votoi kundër shfuqizimit të vendimit për marrjen me qira të hapësirave mësimore në kolegjin “Gjilani”.

Arben Maliqi (AKR) tha se është kundër shfuqizimit të vendimit për doktorantët, duke thënë se kështu po ju bëhet diskriminim atyre, për të cilët Gjilani dhe Kosova kanë nevojë, ndërkaq Saranda Bllaca (LDK) tha se ata që ndihmohen duhet të jenë së paku të përfshirë në listën e studentëve “top 500” .

Vendimi për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale për raste sociale si dhe vendimi për uljen e qirasë për shfrytëzimin e një lokali afarist nga klubi i futbollit “Drita” u shtynë për seancën tjetër.

Në fillim të kësaj seance, opozita ka kërkuar nëpërmjet Sokol Hazirit (AAK) dhe Arben Mehmetit (LDK) shfuqizimin e vendimit për kushtëzimin e qytetarëve në disa shërbime me kryerjen e obligimeve për ujë dhe mbeturina dhe ka marrë premtime nga kryesuesi i Kuvendit Komunal, Izmi Zeka se do të shqyrtohen të gjitha rekomandimet e MAPL-së.

Kuvendi Komunal do t`i rishqyrtojë në ndonjërën nga seancat e ardhshme të gjitha vendimet që ka rekomanduar MAPL dhe nëse janë në kundërshtim me ligjet, ato do të shfuqizohen, ka thënë Zeka, duke nënvizuar se MAPL ka kërkuar rishikim. /rajonipress/