Vendimmarrësit e Gjilanit miratojnë tri rregullore komunale, opozita tregohet bashkëpunuese

Gjilan – Kuvendi Komunal i Gjilanit, në mbledhjen e tij të fundit, të drejtuar nga Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese, ka miratuar rregulloren për varreza, rregulloren për menaxhimin e Shtëpisë së rinisë, rregulloren për menaxhimin e Bibliotekës së qytetit, vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për teatrin, në shumë prej 55 mijë euro, si planin e punës së Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, ndërkaq vendimin për këmbimin e pronës së paluajtshme komunale me pronën e paluajtshme të Shoqatës së gjahtarëve “Agim Ramadani” në Gjilan si dhe kërkesën e Këshillit lokal në Zhegër për ndarjen e një shume prej 7.500 euro, për ngritjen e shtatores së dëshmorëve Shaban dhe Sami Ukshini në këtë fshat, ka vendosur t`i shtyjë për një seancë tjetër.

Përndryshe, seanca u karakterizua nga një frymë konstruktive e punës, me ç`rast të gjitha pikat e rendit të ditës, qoftë ato që u miratuan, qoftë të tjerat që u shtynë, kryesisht u miratuan në mënyrë unanime, me përjashtim të propozim-vendimit për këmbim të pronave, për nevoja të ndërtimit të një rreth-rrotullimi për rrugën e Kumanovës, ku opozita (VV, PDK e Nisma) ia doli që kërkesën për shtyrje ta realizojë vetëm me votat e saj.

Fillimisht Shpresa Kurteshi-Emini, i ka uruar drejtorët komunalë për mandatin e ri, duke ofruar bashkëpunimin e Kuvendit në agjendat e përbashkëta e që janë interes i qytetarëve të Gjilanit, sikurse e ka shfrytëzuar rastin të përgëzojë edhe klubin e futbollit “Drita” për suksesin e arritur dhe kurorëzimin me titullin e kampionit në super ligën e Kosovës.

Kuvendi njëherësh ka rishqyrtuar dy rregullore të miratuara në seancën e kaluar, rregulloren për subvencione si dhe rregulloren për taksa komunale, sipas rekomandimit të MAPL-së.

Sa i përket rregullores për varreza, e cila u miratua me vërejtje sa i përket kategorizimit të varrezave si dhe disa formulimeve teknike, paraprakisht janë mbajtur dy dëgjime publike.

Kërkesën për shtyrjen e propozim-vendimit për këmbimin e pronës së paluajtshme komunale me pronën e paluajtshme të Shoqatës së gjahtarëve “Agim Ramadani” nga Gjilani, për nevoja të rreth-rrotullimit të rrugës në Kodra e Thatë, e njohur si “rruga e Kumanovës“, opozita e arsyetoi me faktin se në Gjilan ekzistojnë disa shoqata të gjahtarëve, ndërsa këtu është përfshirë vetëm njëra, edhe pse, siç tha drejtori i Kadastrës, Sadudin Berisha, bartës i të drejtës pronësore është vetëm shoqata “Agim Ramdani”.

Ndërkaq, kërkesa e Zhegrës për ndarjen e mjeteve financiare, përkatësisht ndarjen e një parcele publike për shtatoren e dëshmorëve Shaban e Sami Ukshini, pas një diskutimi të gjerë dhe po ashtu një konsulte mes shefave të grupimeve politike, u vendos që të shtyhet për t`i dhënë mundësi këshillit lokal që t`i kompletojë procedurat, për hir të ndjeshmërisë së rastit.

Kryesuesja e Kuvendit, Kurteshi-Emini tha se kjo po bëhet për shkak të procedurave dhe jo për arsye të tjera dhe është shprehur e gatshme që kjo çështje, bashkë me atë për këmbimin pronësor për nevoja të rrugës së Kumanovës, të thirret edhe seancë e jashtëzakonshme nëse është nevoja.

Përndryshe, në këtë seancë, përmes pyetjeve dhe diskutimeve, kanë ngritur çështje të ndryshme, këshilltarët Nevzad Isufi, Riza Abdyli, Mimoza Kadriu-Qerimi, Ibish Ibishi, Avdyl Aliu, Nehat Osmani, Shefik Surdulli, Festa Shabani, Arbëreshë Hyseni, Imrane Thaqi, Bujar Nevzati, Gantrit Murseli, Hevzi Xhelili, Anila Tusha, Arijeta Rexhepi, Enver Hajrullahu, Shemsedin Elezi, Xhelal Hajrullahu, Teuta Syliqi, Arta Nuhiu, Arianit Sadiku, Burim Berisha dhe të tjerë, në të cilat kanë dhënë përgjigje, kryesuesja e Kuvendit, Shpresa Kurteshi-Emini, nënkryetari i Komunës, Abër Ismajli si dhe drejtorët, Naser Korça, Ramiz Ramadani, Sadudin Berisha, Selami Xhemajli, Bardhyl Syla, Sami Spahiu, Shpresë Hajdari Zijadin Maliqi dhe të tjerët.

Sa i përket planeve të punës së drejtorive, të cilat u kërkuan nga opozita, Kurteshi-Emini ka thënë se planet janë duke u shqyrtuar nëpër komitetet përkatëse dhe sapo të përfundojnë atje, do të sillen në Kuvend.

Nënkryetari Arbër Ismajli ka shprehur keqardhje për shtyrjen e vendimit për ndërrimin e pronave, duke thënë se bëhet fjalë për një investim kapital mjaft të rëndësishëm, i cili është paraparë të realizohet në bashkëpunim me DEMOS-in dhe ministrinë përkatëse, ndërkaq sa iu përket çështjeve tjera i ka inkurajuar këshilltarët komunalë që në çdo kojë të drejtohen me pyetje në kabinetin e kryetarit dhe do t`i marrin përgjigjet e kërkuara.

Sa i përket pyetjes rreth dinamikës së punimeve në rrugën hyrëse-dalëse në drejtimin Gjilan-Ferizaj, ku opozita ka kërkuar përshpejtim të punimeve, përkatësisht shqyrtimin e mundësive për ndërprerjen e punimeve gjatë muajve korrik e gusht, për shkak të ardhjes së mërgimtarëve, Ismajli ka thënë se presim që deri atëherë të përfundojë pjesa deri te qarkorja, në mënyrë të lehtësohet qarkullimi.

Ai ka premtuar se shumë shpejt do të fillojë edhe rregullimi i tregut të gjelbër, sapo të përfundojë revidimi i projektit fillestar, i cili ka pasur një vlerë jashtëzakonisht të madhe. Edhe për përfituesit e fondit të ekselencës, ai ka thënë se lista do t`iu dërgohet këshilltarëve komunalë, derisa ka mohuar pretendimet se Komuna e Gjilanit është duke e penguar për qëllime politike caktimin e një lokacioni për zonë ekonomike./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS