Vendimin e mora në koordinim me kryeministrin

Mimoza Kusari-Lila ka thënë se vendimin për bllokimin e mallrave maqedonase e ka marrë në koordinim të plot me Kryeministrin Hashim Thaçi. Në një intervistë për Gazetën Express, ajo i përgjigjet edhe Hajredin Kuçit dhe akuzave se vendimi i saj lidhet me fushatën për zgjedhjet në Gjakovë.
Express: Çka është duke ndodhur me embargon ndaj mallrave të Maqedonisë?
M. Kusari-Lila: Embargoja ende është në fuqi deri në një zgjidhje tjetër. Ka, natyrisht, në vazhdimësi kërkesa nga BE që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt. Pozicioni jonë ka qenë i qartë se duhet të hiqen të gjitha pengesat në të njëjtën kohë për arsye se ka qenë një problem që është iniciuar nga Maqedonia. Prandaj, edhe zgjidhja pritet të vijë nga ata.
Express: Cili është vlerësimi juaj për deklaratën e sotme të Kryeministrit Thaçi, i cili kërkoi zgjidhje të problemit si dhe ndërprerjen e veprimeve anti-europiane?
M. Kusari-Lila: Vlerësoj se Maqedonia ka bërë një veprim anti-europian, jo integrues. Fakti që bëhet shkelja e Marrëveshjes së CEFTA’s dhe nuk i përmbahet premtimit të vet për heqjen e barrierave, të cilat ata kishin premtuar se do ta bënin në fillim të shtatorit dhe tash së fundi edhe vendosja e pengesave në rrugë nuk mundet assesi të perceptohen ndryshe, përveç se si veprimet anti-europiane.
Express: A mendoni se ju ka braktisur Qeveria e Kosovës me lëvizjet e sotme?
M. Kusari-Lila: Jo, në fakt, kjo është në tërësi brenda kompetencave të detyrës që ushtroj dhe vendimet kanë qenë në koordinim me Kryeministrin. Prandaj, nuk e konsideroj se këtu ka ndodhur diçka jashtë sistemit dhe unë kam marrë një veprim të vetmuar ose jo në përputhshmëri ose pa miratimin e Kryeministrit Thaçi. Nëse Qeveria përfaqësohet nga Kryeministri, atëherë veprimi është edhe i Qeverisë së Kosovës njëjtë sikur edhe i Ministrisë në veçanti.
Express: Pra, ju jeni konsultuar me Kryeministrin kur keni marrë vendimin për bllokimin e mallrave të Shkupit?
M. Kusari-Lila: Po.
Express: Kolegu juaj në Qeveri, Hajredin Kuçi tha se ju keni imituar marren (turpin) e Maqedonisë kur keni vendosur bllokadën e mallrave maqedonase?
M. Kusari-Lila: Nuk dëshiroj të komentoj deklaratat e Zëvendëskryeministrit Kuçi, të kolegut tim. Por, më duhet të them se reciprociteti si normë është i njohur në termin për shtetet dhe funksionon në raportet tregtare dhe në raportet tjera diplomatike. Prandaj, ne nuk mund të jemi shumë zemërgjerë dhe përkrahës ndaj Maqedonisë ose politikave të tyre, të cilat kanë shkuar në dëm të ekonomisë së Kosovës.
Express: Tashmë jemi në prag të fushatës zgjedhore dhe ju kandidoni për Kryetare të Gjakovës. Shumëkush vendimin e juaj po e ndërlidh me fushatën zgjedhore?
M. Kusari-Lila: Ky vendim më së paku prek zgjedhjet lokale ose fushatën. Nëse shikohet ashtu, atëherë mund të konsiderohet se për dy vite e gjysmë jam duke bërë fushatë. Por, unë jam në rolin tim si Ministre e Tregtisë dhe Industrisë dhe përgjegjëse për politikat tregtare. Udhëheqja e këtyre politikave është detyrë primare e imja. Për të gjithë ata që nuk dëshirojnë të shohin punën dhe angazhimin tim, por dëshirojnë të gjejnë arsye që shkojnë në kundërshti me një performansë të mirëfilltë të institucionit, atëherë është çështje e tyre. Nuk është problem i imi. Por, nuk është një prej politikave që drejtpërdrejtë ndikon në zgjedhjet lokale ose që vlerësohet dikush për zgjedhjet lokale. Besoj se kushdo që synon prezantimin e programeve zgjedhore dhe komunale do të mendon për të tjera prezantime e jo për mobilizim ose prezantimin e politikave tregtare të nivelit nacional.
Express: Pse nuk raportuat sot në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë,Tregti dhe Industri?
M. Kusari-Lila: Dje më kanë ftuar Komisioni… dhe gjithmonë kam qenë aty kur është dashur të jem. Mirëpo, sot, nuk kam arritur të shkoj për shkak të agjendës. Kjo ka qenë arsye. Në asnjë instancëtjetër nuk e kam evituar dhe nuk e evitoj prezantimin para komisionit. Këtë do ta bëj në një të ardhme sa më të afërt, në një kohë të përshtatshme. Prandaj, sot ka qenë një agjendë, siç dihet edhe publikisht, ka pasur mjaftë edhe takime edhe prezantime, edhe domosdoshmërisht edhe pjesëmarrje siç ka qenë edhe mbledhja e Qeverisë. Pra, për shkak të agjendës dhe afatit të shkurt të ftesës së Komisionit – vetëm një ditë më përpara – nuk kam arrit të marrë pjesë.
Express: Kryetari i këtij komisionit, Zenun Pajaziti ka thënë se vendimi i juaj për embargo ndaj Maqedonisë ka qenë vendim i ngutshëm. Cila është përgjigja juaj?
M. Kusari-Lila: Ka vlerësime të ndryshme, ai mendon se është i ngutshëm, dikush mendon se është vendim i vonuar. Besoj se në vlerësimet e atyre që thonë se është vendim i ngutshëm dhe atyre që thonë është vendim i vonuar mund të gjendet një mes dhe ai mes është se ky është vendim me kohë.
Mimozën e lënë në baltë, Thaçi delegon Kuçin për problemin me Maqedoninë
Kryeministri Hashim Thaçi ka komentuar rreth raporteve Prishtinë-Shkup, me pesë ditë vonesë.
Sipas tij, ajo çfarë po ndodh në Bllacë nuk janë në frymën europiane.
Ai në mbledhjen e Qeverisë ka treguar se ka pasur një bisedë telefonike me homologun e tij maqedonas, Nikola Gruevski.
“Ne kemi shprehur shqetësimin tonë dhe jemi dakorduar që kjo çështje të mbyllet sa më shpejt që është e mundur dhe të kthehet në gjendjen çfarë ka qenë”, ka thënë Thaçi.
Kreu i Qeverisë ka bërë të ditur se lidhur me këtë çështje tash e tutje do të negociojë Zëvendëskryeministri Kuçi, por nuk e ka përjashtuar krejtësisht Zëvendësministren Kusari-Lila.
“Jemi dakorduar që të zhvillojmë takimet në nivel sa më të lartë politik, dhe të përmbyllet mundësisht sot ose nesër. Kështu që, në emër të Qeverisë së Kosovës të vazhdojnë së diskutuari Zëvendëskryeministri Kuçi dhe Zëvendëskryeministrja Kusari-Lila, por me vullnetin që të përmbyllen, sepse nuk është as pamje, as mesazh i mirë as për Kosovën, as për Maqedoninë, as për qytetarët tanë, as për Qeveritë tona”, ka thënë ai.
Kryeministri ka paralajmëruar edhe një vizitë të Zëvendëskryeministrit të Maqedonisë në Kosovë, ndërsa ka thënë se nuk do të lejojë që askush ta shfrytëzojë situatën.
“Është mirë që vjen Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë, z. Xhaferi në Kosovë. Besoj se ka vullnet për tejkalimin e kësaj gjendje të padëshirueshme për shtetin e Kosovës, por aspak ndihmuese për qasjen anti-europiane të shtetit të Maqedonisë për shtetin e Kosovës. Në asnjë rrethanë të mos lihet ndonjë hapësirë e manovrimit të keqinterpretimeve apo ta shfrytëzimit të situatës prej kujtdo qoftë”, tha Kryeministri.
Ditëve të fundit është përfolur shumë se pikërisht vendimet e Kusarit kanë të bëjnë me kandidaturën e saj në Gjakovë dhe përfitimet e saj politike.
Bllokada me Maqedoninë ka nxitur edhe pakënaqësi partnerëve të koalicionit. Kështu Zëvendëskryeministri Kuçi e ka quajtur të turpshëm vendimin e Mimoza Kusarit duke thënë se Shkupi e ka bërë një marre dhe se me marrë i është përgjigjur edhe pala kosovare.