FITORJA

Vendi nuk e ka luksin të shkojë në zgjedhje

/ 10 minuta lexim
Mobi Casa

Derisa aktualisht Kosova po funksionon me një qeveri të minorancës së numrave në Parlament, e që është mjaft jofunksionale dhe kemi një brishtësi të përgjithshme të funksionimit të saj, analistët politikë nuk po e përjashtojnë mundësinë që viti vijues të jetë edhe vit i zgjedhjeve të reja parlamentar.

Ahmeti: Skenës politike kosovare i duhet një frymë me mendësi të re politike

“Shkuarja e sërishme në zgjedhje me këtë klase politike të çakorduar dhe të inkriminuar do të ishte një DÉJÀ VU, pasi asgjë e re nuk do të dilte në sipërfaqe, përveç matjes së forcave politike mes subjekteve të njëjta dhe të përafërta me njëra-tjetrën. Kur e them këtë e kam parasysh faktin se të gjitha qeveritë e deritanishme në vend të zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies qytetare, ndërtuan autostrada super të kushtueshme për zhvatjen e buxhetit të shtetit dhe ndërtuan skema sociale për mbajtjen nën varësi dhe kontroll të plotë elektoratin e partive të tyre”, tha analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot”.

Derisa aktualisht Kosova po funksionon me një qeveri të minorancës së numrave në Parlament, e që është mjaft jofunksionale dhe kemi një brishtësi të përgjithshme të funksionimit të saj, analistët politikë nuk po e përjashtojnë mundësinë që viti vijues të jetë edhe vit i zgjedhjeve të reja parlamentare.

Sidoqoftë, një proces i tillë përsëri nuk shihet me interes për ndryshime rrënjësore në përmirësimin e qeverisjes së vendit, por vetëm sa do të ketë një rirreshtim të ri politik, një ripozicionim të forcave politike, në të cilin, shihet një rrënim i madh i votës së VV-së, e cila këto ditë po ballafaqohet me përplasje të mëdha brenda strukturës partiake. Mirëpo, tash për tash kjo temë vjen e bëhet paksa e paqartë, sa i takon shkuarjes në zgjedhje të reja në pranverën e hershme, derisa LDK është deklaruar se nuk ka interesim për rrëzimin e qeverisë me mocion. Një gjë sipas analistëve është e sigurt, që nëse shkohet në zgjedhje në vitin që vjen, partitë politike do të përfitonin pas përçarjes së “Vetëvendosjes” dhe mundësisë reale që kjo lëvizje të ndahet si LDK-ja dhe PDK-ja, përfitues do të jenë partitë tradicionale, LDK-ja, PDK-ja dhe AAK-ja që në zgjedhjet lokale kanë fituar disa komuna. Por, shkuarja në zgjedhje sërish me këtë klasë politike të inkriminuar, sipas analistëve, do të jetë vetëm edhe një ‘DÉJÀ VU’, pasi sërish do të maten forcat e një klase politike të tej inkriminuar që punojnë ekskluzivisht për mafio-oligarkët dhe nuk lodhen fare për popullin.

Asnjë parti shpresëdhënëse

Pas debaklit zgjedhor që pësuan ishpartnerët e koalicionit, çarja e VV-së ua ka ringjallur shpresat dhe ngacmuar përsëri ndjenjat për pushtet PDK-së dhe LDK-së. Duke e parë si mundësi të zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme në pranverën e vitit që vjen, rirreshtimin e forcave politike dhe përpjekjen për të realizuar disa tema madhore për vendin, analisti Blerim Burjani thotë se kjo qeveri as nuk ka pasur fare nevojë të formohej kur dihet se asnjë çështje të mbetur pezull nuk mund ta zgjidhë. Kjo është arsyeja e vetme pse Burjani sheh zgjedhje të reja në vitin që vjen. “Kosova edhe tani gjendet njëjtë në ngërçin që po vazhdon të pengoje zhvillimin e shtetit dhe liberalizimin e vizave për qytetarët, askush nuk beson se kjo qeveri do të zgjedhë gjë, thjesht ishte gabim. Një e vërtetë është se shteti gjendet në një krizë permanente me këto parti politike të deritashme, që nuk kanë arritur as të reformohen, si partitë PDK dhe LDK, e të cila gjenden në rrugë të reformimit shumë të ngadalshëm”, tha Blerim Burjani për “Kosova Sot”. Shpresë për qytetarin ai nuk sheh as nga VV-ja. “VV-ja është në një krizë të vogël ende. Atje edhe me herët ka pas kriza të tilla që mbajnë peng strukturat brenda subjektit politik, por shpërfaqja e fundit e ndasive ende nuk është ndonjë rezultat i qartë i përçarjes edhe kahet mediale dhe njerëz të ndryshëm i emërtojnë në forma të ndryshme me nxitim, por ende është herët të ketë konstatime të tilla. Këto kriza ndodhin në partitë politike për shkak të mosguximit të ballafaqimit me opinione të tjera e në mungesë të pluralizmit ideor dhe të demokracisë së brendshme. Për këto gjëra ndodhin përçarja dhe shkëputjet politike. Kjo ndodh aty ku nuk ka lidership të përgatitur për të mbajtur në nivel bilancet politike”, theksoi Burjani.

UBT

Duhet frymë e re politike

Analisti Hidajet Ahmeti thotë së është absurde për të shpresuar për ndryshime substanciale e progres në zhvillimin e vendit kur kemi përvojën me partitë që kanë udhëhequr që nga paslufta.”Shkuarja në zgjedhje të parakohshme do të prodhonte një situatë të njëjtë, e cila realisht nuk mund të jetë jashtë kornizës së kësaj fryme të qeverisjes, pasi që potencialisht do të prodhon logjikë të njëjtë qeverisëse. Skenës politike kosovare i duhet një frymë me mendësi të re politike, e cila do të dalë jashtë kornizës së frymës klinteliste, nepotike, klanore e korruptive. Nga e gjithë kjo fryme e instaluar deri me tani dhe kontinuitetin me politika publike degraduese, Kosovën do ta gjunjëzojnë dhe stagnojnë karshi proceseve të rëndësishme në integrimet euroatlantike”, u shpreh ai.”Është fakt i pamohueshëm se Qeveria ‘Haradinaj’ i ka ditët e numëruara dhe nuk mund të ketë jetëgjatësi duke pasur parasysh konstelacionin qeverisës brenda ombrellës së Qeverisë, e mbi të gjitha duke pasur parasysh Listën Serbe, e cila është determinuese e shumë proceseve dhe sfidave që e presin Republikën e Kosovës”, vijoi më tutje Ahmeti. “Jam shumë skeptik se nga zgjedhjet e parakohshme do të ndërtohet një realiteti i ri, i cili do të jetë në shërbim të trupit publik dhe në funksion të zhvillimit të vendit e mirëqenies sociale. Fryma e mbrapshtë e instaluar për më shumë se një dekadë nuk mund të çrrënjoset brenda një kohë shumë të shkurtër dhe të prodhojë një realitet në dobi të trupit publik”, tha Ahmeti për “Kosova Sot”.

Efekti i Demarkacionit

Mirëpo, analisti Skënder Mulliqi megjithatë konsideron se së pari nuk do të kemi sërish zgjedhje të reja, kur dihet se ato janë shumë të kushtueshme për buxhetin edhe ashtu të varfër të Kosovës, kurse së dyti, partitë tona janë në krizë profilizuese në njërën anë dhe në anën tjetër po bëhet luftë për dominim të brendshëm partiak që po lidhen direkt për qëllime përfituese e zhvatëse, siç u shpërfaq kjo në VV. “Shumë qartë po shihet së në mesin e VV-së ka gjithfarë ujemi nga partitë e ndryshme politike. Aferat korruptive gjatë qeverisjes së Prishtinës i kanë qitur në shesh të gjitha të palarat dhe ambiciet për dominim. Së treti, duket se asnjëri subjekt politik pos zhurmës më shumë mediale nuk janë të interesuar që të shkohet në zgjedhje, për faktin se nuk janë të gatshme për një punë të tillë .Kuvendarët sigurisht se e mendojnë mirë faktin se me zgjedhje të reja shumë nga ata nuk do të arrijnë të bëhen më deputetë dhe ky është një indikator shtesë që nuk do të kemi zgjedhje shpejt”, ka theksuar ai.”Nëse veç ndodh të kemi prapë zgjedhje, mund të vijnë ato nëse Demarkacioni procedohet shpejt në Kuvend. AAK-ja më shumë do të jetë e interesuar që ta rrëzojë me të drejtë variantin e Murat Mehës. AAK-ja ka fituar shumë komuna në zgjedhjet lokale dhe Ramushi pasi që është edhe kryeministër i vendit e pushteti po e bën gjithmonë të veten, ka mundësi që më zgjedhje AAK-ja të jetë pretendente për të qeverisur Kosovën. PDK-ja nuk ka edhe ashtu çka të humbë më shumë kur dihet së seriozisht është duke u rrezikuar që të shpërbehet si subjekt serioz politik që ishte dikur. Prandaj, edhe zgjedhjet e reja nuk e pengojnë fare. LDK-ja si subjekt i parë politik në vend, pati kërkuar mocion për qeverinë, por kjo gjë nuk duket shumë serioze, kur dihet se me zgjedhje të vazhdueshme nuk kapërcehen krizat si politike, ashtu as kriza sociale -ekonomike shumë e rëndë, të cilën gjë e dinë mirë udhëheqësit e LDK-së”, shpjegon më tej Mulliqi. Sipas tij, të gjitha këto janë më shumë lojëra politike.”Shumëçka planifikohet dhe programohet mirë. Këto kriza dhe të gjitha këto zënka që shumë kohë, më shumë kanë të bëjnë për ta zhvendosur vëmendjen e popullit nga problemet e grumbulluara që shumë vite, e të cilat nuk po gjejnë zgjedhje adekuate”, u shpreh ai për “Kosova Sot”.

Nuk kemi luks për zgjedhje çdo gjashtë muaj

Zgjedhjet nuk i sheh zgjidhje të problemeve të grumbulluara as analisti Florim Zeqa. Ai opsionin e vazhdimit të jetës institucionale pas ndonjë tërmeti në qeveri e sheh tek qeveria teknike- gjithëpërfshirëse. “Edhe përkundër mundësisë së ndarjes në dysh të VV-së në njërën anë dhe rënies së qeverisë ‘Haradinaj’ në anën tjetër, vendi nuk e ka luksin të shkojë çdo 6 muaj në zgjedhje për të kënaqur egon e kusarëve politikë. Pavarësisht rrëzimit të kësaj qeverie apo jo, rrethanat e krijuara shtrojnë nevojën e një konsensusi nacional mes subjekteve politike shqiptare për krijimin e një Qeverie të Shpëtimit Kombëtar, për ruajtjen e tërësisë gjeografike dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës”, potencoi ai. “Shkuarja e sërishme në zgjedhje me këtë klase politike të çakorduar dhe të inkriminuar do të ishte një DÉJÀ VU, pasi që asgjë e re nuk do të dilte në sipërfaqe, përveç matjes së forcave politike mes subjekteve të njëjta dhe të përafërta me njëra-tjetrën. Kur e them këtë e kam parasysh faktin se të gjitha qeveritë e deritanishme në vend të zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies qytetare, ndërtuan autostrada super të kushtueshme për zhvatjen e buxhetit të shtetit dhe ndërtuan skema sociale për mbajtjen nën varësi dhe kontroll të plotë elektoratin e partive të tyre”, tha Zeqa për “Kosova Sot”. Sipas tij, janë edhe shumë arsye të tjera që e bëjnë të pamundur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

(Kosova Sot)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.