“Vendi është në terr informativ” – LDK dhe AAK kërkojnë që Kurti të raportojë para takimit me Vuçiqin

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë kërkuar që kryeministri Albin Kurti të raportojë në Kuvend para takimit të 14 shtatorit, me presidentin serb, Aleksander Vuçiq, në Bruksel, raporton Ekonomia Online.

Ata kanë theksuar se nuk presin asgjë të mirë nga ky takim, duke u nisur nga fakti që Kosova është nën masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian.

Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti që të raportojë në Kuvendin e Kosovës para takimit me Vuçiqin, takim i cili, sipas saj, nuk do të duhej të mbahej fare pa u zbatuar marrëveshjet që janë arritur deri tani.“Unë pres nga kryeministri Kurti të vije dhe të raportojë në Kuvendin e Kosovës, para takimit me Vuçiqin dhe është mirë që të mos mbajë takime të tjera se duhet të zbatohen marrëveshjet të cilat i ka bërë Kurti, si ajo e Ohrit, si ajo e Bratislavës”.“Nga ky takim nuk pres diçka të re për arsye se të gjitha marrëveshjet që janë bërë në kohën e tij ende nuk janë zbatuar. Është marrëveshja për energjinë, është marrëveshja për të pagjeturit ku deri më tash keni parë që nuk ka ndodhur asgjë”, tha ajo.

Krasniqi, e cila është edhe kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane, ka thënë për EO, se deri tani vendi ka humbur shumë si pasojë e qeverisjes së Albin Kurtit e se për të keq kanë ndikuar edhe sanksionet e BE-së ndaj Kosovës.“Ne kemi humbur shumë, ne përveç që kemi humbur kohë kemi pasur edhe sanksione nga ana e Bashkimit Evropian. Unë shpresoj që shumë shpejt të ulen e të dakordohen për të mirën e vendit, por kryeministri e ka obligim që para takimit të vije dhe të tregojë në Kuvendin e Kosovës se çka do të diskutojë në atë takim. Për arsye se në takimin e Bratislavës, që ka qenë zëvendëskryeministri, ende nuk e dimë ne se çka ka ndodhur atje”, është shprehur ajo.

Hidromorava

Edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se qeveria e Kosovës nuk do të duhej të shkonte në takim pa u hequr sanksionet e BE-së.

Sipas tij, vendi ka shkuar në një qorr sokak pa zgjidhje.“Sa i përket Qeverisë së Kosovës nuk duhet të shkojë në dialog në Bruksel pa u hequr sanksionet, mirëpo ja që këta nuk po mendojnë ashtu siç duhet menduar për të mirën e vendit dhe do të jenë në tavolinë me Vuçiqin”.“Unë nuk pres nga ky takim diçka pozitive, janë qëndrime të kundërta dhe Vuçiqi pretendon apo kërkon që të implementohet asociacioni me kompetenca ekzekutive. Ndërsa qeveria me të drejtë kërkon njohjen nga Serbia, paraprakisht para se të implementohet asociacioni. Kështu që me një fjalë kemi hyrë në një qorr sokak të dialogut dhe unë nuk shoh ndonjë zgjidhje”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se vendi është në një terr informativ sa i përket raportimeve të qeverisë në lidhje me dialogun me Serbinë e se Kurti duhet që të raportojë paraprakisht për qëndrimet e tij në raport me dialogun në Bruksel.“Sa i përket raportimit të kryeministrit të Kosovës dhe qeverisë në përgjithësi mendoj që jemi në një terr informativ. Asnjë herë nuk ka ardhur paraprakisht të raportojë para deputetëve në Kuvendin e Kosovës dhe kështu që e ka marrë si pronësi Kosovën të vetën dhe kjo po shkakton shumë telashe”.“Patjetër që duhet që të raportojë paraprakisht për qëndrimin e vet në Bruksel, për hapat që do t’i ndërmarrë, për mospajtimet, për të gjitha ato që duhet të mbrohen, edhe shteti edhe sovraniteti, edhe ajo që ai çdo herë po thotë ne po e shtrijmë sovranitetin, ja që kemi të kundërtën”, ka thënë ai për EO.