Uji Dea

Vëllezërit Dushica, viktima të policëve agresiv

/ 10 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Rasti i tre vëllezërve Dushica, Zenel, Izat dhe Muharrem Dushica është vërtet interesant dhe tregon qartë për sjelljet agresive dhe aspak profesionale të ndonjë polici, i cili ose të cilët në vend se të jenë shembull, ata tregojnë forcën ndaj qytetarëve të pafajshëm. Çfarë thotë Muharrem Dushica për konfrontimin me policët që u bë shkaktar që ai dhe dy vëllezërit e tij të përjetojnë momente dhe situata të pakëndshme. Pse Muharremi thotë se rasti ishte i montuar dhe pse teza e tij u vërtetua edhe gjatë shtjellimit të provave. Kurrë në jetë s`kemi pasur probleme me shtetin dhe kurrë në jetë s`kemi sulmuar askënd. Ne jemi njerëz të punës dhe tërë pasurinë që e kemi, e kemi fituar me djersë, mund dhe sakrificë familjare. Muharremi thotë se dënimi me gjobë për policët është qesharake dhe paraqet devalvim tw sistemit të drejtësisë.

Ndonëse ngjarja ka ndodhur në korrik të vitit 2014, aktgjykimi për rastin Dushica dhe policët Fatlum Shabani, Emin Rahimi dhe Jeton Ramadani është shpallur më 7 mars 2019. Nëse lexohet me kujdes aktgjykimi shihet qartë se ndaj vëllezërve Dushica pos që është ushtruar dhunë dhe keqtrajtim fizik e psikik, ndaj tyre edhe është bërë një padrejtësi e madhe.

Muharrem Dushica ndaj të cilit edhe është hedhur poshtë aktakuza për sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare thotë për rajonipress se ka qen një moment i tmerrshëm rasti i ndodhur.”Unë dhe vëllezërit e mi jemi njerëz familjar, punojmë natë e ditë për familjet tona dhe mbajmë në punë edhe punëtor të tjerë. Asnjëherë në jetën tonë s`kemi pasur telashe me shtet e as me polici e gjykatë. Bile kurrë në jetë se kam ditur as çka është prokurori e as çka është avokati mbrojtës, derisa më arrestuan dhe më mbajtën 48 orë në burg dhe 15 ditë arrest shtëpiak. Ishte një përvojë e keqe e rëndë dhe shumë qesharake se si naj montuan tërë atë proces. E kam thënë qysh në fillim se rasti ndaj nesh thjeshtë ishte proces i montuar dhe se ishim marrë pa pikë nevoje në stacionin policor dhe më pas edhe në burg” rrëfen Muharremi.

Por si ndodhi ngjarja më 20 korrik të vitit 2014, çfarë ndodhi saktësisht mes Izet Dushicës dhe policit Fatlum Shabani, si u dënua me burg dhe gjobë Zeneli dhe sa u dënua me burg dhe gjobë polici Fatlum Shabani, Emin Rahimi dhe Jeton Ramadani. Çfarë thonë dokumentet, provat, letrat, shkresat zyrtare, dëshmitë, provat, incizimet, deklaratat rreth rastit dhe pse hoqi dorë prokurorja nga aktakuza në rastin e vëllezërve Dushica.

Sipas aktakuzës më 20 korrik 2014, Zenel Dushica kishte fyer dhe kërcënuar zyrtarët policor me fjalët:”T`i koke i pashkollë, qe një sahat je duke e shkrue një tiketë, ju këtë mundësi e keni dhe nuk mund të bëni më shumë” dhe me fjalët “Shihemi dhe nuk do të mbetet me kaq kjo punë” si dhe që gjatë arrestimit nga ana e policisë Izet Dushica kinse ka rezistuar dhe e ka goditur në këmbë nën gju të dëmtuarin Fatlum Shabani, dhe nga ky moment Zeneli arrestohet dhe rrugës sulmohet me grushte nga polici Fatlum Shabani.

Prokurorja e rastit ka thënë se Fatlum Shabani është vërtetuar se nga vëllezërit Dushica se janë sulmuar dhe se Zeneli ishte parë nga Suad Haliti, Ramadan Jashari dhe Avdirrahim Hajrullahu se mezi ishte ulur në shtrat, se ka vërejtur gërvishtje, në anën e majtë të kokës dhe një hematomë në shpinë, të cilat kanë qenë të dukshme.

Se me të vërtetë të gjithë të pandehurit kanë pranuar tretman mjekësor dhe kanë pasur lëndime të lehta trupore është vërtetuar edhe nga raportet mjekësore dhe ekspertizat mjeko ligjore. “Se me të vërtetë sjellja e policëve nuk ka qenë në proporcion me kinse rrezikun u vërtetua edhe nga videoincizimet të marra nga kamerat e sigurisë në spitalin regjional të Gjilanit, ku në mënyrë të qartë shihet dhe vërehet keqtrajtimi dhe fyerja e rëndë e dinjitetit të të pandehurve Dushica të cilët ishin duke kërkuar tretman mjekësor. Nga forma e pranimit në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan po ashtu është vërtetuar fakti se të pandehurit Dushica ishin të sulmuar fizikisht të keqtrajtuar nga zyrtarët policor tanimë të pandehurit, për faktin e në trupin e tyre shihen hematoma të ndryshme në tërë pjesët e trupit dhe kur kemi parasysh sjelljen e tyre në spitalin e Gjilanit dhe hematomat e tyre në trupin e tyre, tregon qartë se edhe pas prangosjes tek të njëjtit është ushtruar dhunë fizike” thuhet në aktgjykim.

Prokurorja e rastit në fjalën përfundimtare ka hequr dorë ndaj të akuzuarve Zenel, Izat dhe Muharrem Dushica për shkak të veprës penale “Sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

Zenel Dushica e ka përshkruar në hollësi ngjarjen dhe konfliktin që ka pasur me policët e akuzuar. “Fatlumi më ka goditur te veshi në anën e majtë, mi ka kapur duart, më ka futur në automjetin e policisë, duke thënë kur të qoj në stacion do të mbys krejt”.

Zeneli ka treguar se polici Fatlum Shabani e kishte ndalur dhe pasi ia kishte marrë dokumentet i kishte shqiptuar një tiketë. “Derisa isha duke pritur dokumentet nga polici, kishte filluar një acarim dhe sjellje e dhunshme e policit Fatlum Shabani në momentin kur ia kishte kthye dokumentet. Ai më tha unë jam Fatlum Shabani i Kranidellit, më ka mëshuar boks afër veshit në kokë në anën e majtë. Dhe më pas, mi ka kap duart, e ka qelë derën dhe më ka nxjerr pi kerrit… mi kanë vnu prangat të dytë policët Fatlumi e Agroni dhe më kanë futur në automjetin e tyre. Fatlumi u hi në veturë ul mbrapa meje, dhe ma ka laku kryet te poshtë dhe ka vazhdu mem sjellë mas qafës tërë kohën me grusht deri në stacion të policisë”, ka deklaruar Zenel Dushica.

Zenel Dushica, ka rrëfyer edhe për dhunën që kishte pësuar brenda sallës në emergjencën e spitalit të Gjilanit.

Hidromorava

“Tani ka ardhë Arbnor Rashiti në emergjencë, mi vnoi prangat dhe më ka thënë duhet të vish me neve, dhe unë pa rezistuar kam shkuar me të, kur jam dalë jashtë emergjencës, aty ish kan t`u pritë Fatlum Shabani, i cili ka bërtitur “oh nonen ktina, motrën, grujen” dhe ka fillu mem ra shkelmë çka ka mujtë në barkë, tani kanë fillu mem ra nga mbrapa, por nuk e kam pa se kush, sepse më ka rënë të fikët, veç kur e kam pa vetën në kerr të policisë afër stacionit Policor, ku kishte qenë edhe vëllau im Izati dhe aty prapë ia kanë nisë mem ra”, deklaroi Zenel Dushica.

Zeneli pastaj ka përshkruar rrahjen që sipas tij kishte pësuar në stacion policor pasi e kishin kthyer nga emergjenca e spitalit të Gjilanit.

Sipas tij, “Polici Fatlum Shabani pasi e ka fikur dritën, kanë fillu mem rreh edhe Fatlumi e Jetoni, me grushta në krejtë pjesët e trupit. Kurse unë nga dhimbjet që kisha, jam qu në këmbë me një raftë të metalit, e kam mbështetur ftyrën, ku është kthyer përsëri Fatlumi dhe më ka goditur me shkelëm ku ka mujtë pa u ndalur hiq. Pastaj u ardhë Arbnor Rashiti në zyre për të më marrë deklaratën, unë i kam thënë që s’jam në gjendje me dhënë se jam shumë keq me dhimbje, por ai ka vazhduar të ma marrë deklaratën”, tha Zeneli.

Kurse, Muharrem Dushica më tutje tregoi se pasi e kishin çuar vëllaun në emergjencë, aty pas disa minutash, kishin ardhur dy policë dhe kanë pyet kush o Zeneli ktu, e pastaj kanë pyet vëllaun kush të ka pru ty këtu.

“Me të dëgjuar këtë, kemi hyrë unë dhe vëllau Izeti dhe kemi thënë se ne e kemi sjellur, ndërsa njëri polic që emrin nuk ia di, na ka hudhur sprej ftyrës e i ka thënë Izatit vëllaut mbylle gojën, se tashti ju qoj poshtë e ju kallxoj qejfin”, tha Muharrem Dushica.

Ai më tej tregoi për momentin kur u arrestua dhe rrahjen që thotë se iu ka bërë atij dhe vëllaut.

“Më kanë futur në automjet të policisë dhe deri sa kam qëndru në kerr unë, e kam pa Fatlumin duke e sulmuar vëllaun Zenelin, nuk e di saktë se si, por vetëm e kam parë dhe dëgjuar britmat e vëllaut Zenelit. Tani më kanë dërguar në stacionin policor në Gjilan, aty brenda më kanë futur pastaj në dhomë, ku më kanë lënë njo 5 a 6 min, dhe pastaj ka ardhë Fatlumi me nja dy policë tjerë dhe më ka goditur në barkë me gju të këmbës”, tha mes tjerash Muharem Dushica.

Kurse, Fatlum Shabani ka thënë se janë detyruar ta përdorin forcën ndaj Zenelit për ta nxjerr nga vetura meqë ai ka rezistuar. I akuzuari nuk e ka pranuar se i ka shkaktuar lëndime trupore Zenel Dushicës.

Aktgjykimi përshkruan edhe ngjarjen që ka ndodhur në emergjencë. “Kjo u vërtetua edhe nga videoincizimet e marra nga kamerat e sigurisë në spitalin e Gjilanit ku shihet keqtrajtimi dhe fyerja e rëndë e vëllezërve Dushica. Madje në momentin e arrestimit të vëllezërve Dushica në emergjencë të cilët kish shkuar për të kërkuar ndihmë mjekësore policët e akuzuar përdorin sprejin i cili sipas organeve mjekësore është vërtetuar se është i dëmshëm, jo vetëm për të sëmurët, por edhe për personat e shëndoshë.

Nga e tërë kjo rrëmujë, arrestime, mbajtje burgu, Gjykata ka dënuar me burg Fatlum Shabanin në kohëzgjatje prej 4 muaj ose dënim me gjobë prej 2000 eurove dhe Emin Rahimi tre muaj ose 1200 euro gjobë, Jeton Ramadani tre muaj ose 1200 euro gjobë, kurse Zenel Dushicën me 1 muaj burg ose 600 euro dënim me gjobë.

Krejt në fund Muharrem Dushica thotë se janë tejet të pakënaqur me dënimin e ulët që kanë marrë policët. /rajonipress/