Vëllezërit Avdimetaj, konfirmojnë kualitetin
Firat Arslan i është afruar titullit të kampionit botëror në versionin WBA, kategoria “Cruiserweight”, pasi e ka fituar meçin ndaj Gyula Bozai.
Mirëpo, para këtij dueli janë zhvilluar disa parameçe, derisa në ring janë ngjitur edhe dy vëllezërit shumë të talentuar shqiptarë, 22-vjeçari Safet Avdimetaj dhe 19-vjeçari Musa Avdimetaj. Ky i fundit e ka fituar pas 5 rundeve meçin ndaj Janos Olah, kurse Safeti ka fituar me vendim të gjyqtarëve.
Të dy ata kanë shkëlqyer në ring, duke rikonfirmuar të ardhmen e ndritur. Dhe, babai i tyre, Naim Avdihmetaj, e ka falënderuar pronarin e “Eurokohës”, Remzi Ejupi, për mbështetjen që po ua jep djemve të tij.
Safeti po bën hapa të mëdhenj në karrierë. Deri më tani ai i ka zhvilluar rrafsh e barabar 116 meçe në boksin amator, prej të cilave i ka fituar 110.
Kjo ka bërë që njohës të boksit në Gjermani ta vërejnë përparimin e Safetit, të cilit po i afrohen, por edhe vëllait të tij, Musës, i cili deri më tani i ka zhvilluar 88 duele, 79 prej të cilave i ka fituar. Së fundmi të dy ata nga afër i ka përcjellë edhe ish-boksieri i famshëm shqiptar, Luan Krasniqi.
Në të njëjtën mbrëmje në ring është ngjitur edhe boksieri tjetër shqiptar, Shefat Isufi, që fitoi me nokaut në raundin e pestë në luftën për titull evropian, në peshat e rënda, versioni WBC. Isufi ka prejardhje nga Bujanovci.
Image
Sa i përket meçit kryesor ndërmjet turkut Firat Arslan dhe hungarezit Gyula Bozai, ky i fundit u mposht pa problem nga Arslan, që bëri hap të madh drejt titullit të kampionit botëror. /Zëri/


