Eko Higjiena

Vëllazëria “Pronto”

/ 9 minuta lexim
Uji Dea

Nga Halil Matoshi – Qeverisja e Kosovës nuk buron nga vullneti i popullit, ngase procesi zgjedhor ishte një fabrikim industrial i votës së lirë. Por nga një vëllazëri gjysmë e fshehtë, që nuk zgjedh mjete për ta fuqizuar pushtetin personal.

Kjo kleptokraci buron nga një vëllazëri e modelit sicilian, e përbërë nga një rrjet spiunësh, të cilët të veshur me smoking dhe në emër të institucioneve u raportojnë dy vetave që marrin vendime për vendin, njëri nominalisht kryeministër e tjetri nominalisht ish-shef i SHIK-ut.

Të tjerët janë duartrokitës të paguar, marioneta të këtyre të dyve.

Kjo vëllazëri gjysmësekrete e ka zaptuar shtetin në të gjitha segmentet, derisa shoqëria politike dhe qytetari nuk po ndihen gjallë.

Maskat po bien, në një shthurje dramatike Çehoviane.

Gjithçka nisi me publikimin e përgjimeve në “YouTube”, nga duar të padukshme, që është një sekret publik tashmë: dhjeta njerëz, hetues policie, prokurorë, gjykatës dhe avokatë kanë qenë të obliguar nga detyra zyrtare që t’i dëgjonin materialet inkriminuese (madje në vëllim shumëfish më të madh se kaq), prandaj në këtë rast është fare e qartë se kujt i ka konvenuar publikimi i përgjimeve të autorizuara nga EULEX-i.

Fundja, mirë që janë publikuar. Super, super, super…!

Nisur nga Konventa e Romës, neni 10, edhe publikimi jolegal i fakteve merr karakter legal nëse ky veprim vlerësohet në të mirën publike.

Sepse, personazhet e vëllazërisë “Pronto” janë që të gjithë persona publikë, bartës të institucioneve shtetërore dhe politike dhe në asnjë sekondë ata nuk po flisnin për turshitë, as për drutë e dimrit dhe as për gratë dhe kalamajtë dhe dertet e gjallnimit.

Ata po flisnin për punë të larta shtetërore!?

Të larta, “punë botërore”, konform nivelit të tyre arsimor e kulturor; në përputhje me etikën e tyre qytetare e të pushtetit dhe mbi të gjitha konform me rendin e paracaktuar të vëllazërisë: mbifuqi politike me kërcënime e dhunë politike, me vjedhje votash e shantazh politik, me ryshfet e nepotizëm të hapur; përfitime nga zyrat publike, korrupsion deri n’asht dhe shndërrimi i sferës publike në nëntokë mafioze.

Një koleg propozoi në rrjetin social “Facebook” që kosovarët që nga sot ta regjistrojnë kursin për ta mësuar italishten arkaike, se qysh po shkojnë punët, sipas tij, ka me ardhë dita e s’kemi me i marrë vesh çka po thonë qeveritarët kosovarë.

Kjo është, fatkeqësisht, gjuha e ardhmërisë së Kosovës, gjuhë e cila nuk do të mësohet për arsye të rritjes ekonomike në përmasat globale të ekonomisë italiane, siç doli ideja në Shqipëri për të mësuar kinezishten, por kjo italishte do të mësohet për t’u kthjelluar se më kë kanë punë qytetarët kosovarë.

Trishtimin që shkaktoi komunikimi i vëllazërisë “Pronto” tek qytetarët dhe distancën që krijuan mijëra njerëz nga ky fjalor i pështirë, njëri nga raportuesit tek shefat e vëllazërisë e quajti “racizëm rajonal.”

Nëse është kështu, filmi i Hollywoodit “God Father” është vepra më raciste në botë.

Por kritika nuk e ka cilësuar për të tillë.

Pra, a po vendoset modeli i vëllazërive siciliane në Kosovë, në këtë rast me ndihmën e turmës?

Se me cytjen, joshjen, por edhe metodat më të dhunshme nga kjo vëllazëri, po krijohet një masë amorfe që bindet e nuk dëshiron të vijë vetë tek e vërteta, tashmë nuk ka asnjë dyshim. Mjafton të dëgjohen qytetarë të thjeshtë në Skënderaj që deklarohen, pas skandalit, për të hetuar se njeriu masiv po rikthehet në historinë më të re të Kosovës!?

Ata, shumica prej tyre, i janë bindur verbërisht vëllazërisë se gjithçka është OK, se këta janë të mirët, porse armiqtë e brendshëm e të jashtëm po i njollosin “heronjtë e tyre”.

Ka porse sish që duken ashiqare të frikësuar për ta thënë atë që e mendojnë, sepse nëse e parafrazojmë Giovani Sartorin, shumë gjatë ata nuk kanë guxuar ta thonë atë që e kanë menduar dhe tashti, ata nuk e mendojnë më atë që s’mund ta thonë.

Pra, në këtë pikë ka pushuar të menduarit!

Së dyti, turma ende pa u shkundur nga ethet turbo-folklorike dhe etno-nacionaliste të festimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ku erdhi në shprehje “truri muskul” i njeriut masiv, u përball me një realitet të pabesueshëm për të, për turmën pra!?

Qysh të jetë e vërtetë ajo që flasin tipat që janë ngjitur aq lartë në hierarkinë shoqërore, sipas spirales së paaftësisë, kur shumë nga ta janë shpallur institucionalisht heronj e qytetarë nderi që nga Vlora e deri n’kufijtë e skajshëm të gjeografisë shqiptare!?

Në rrjetet sociale me t’u bërë publike përgjimet, fillimisht turmën e vërshoi dyshimi se “është një inskenim i Serbisë”, (pothuajse i njëjtë ishte edhe reagimi i parë i Qeverisë kosovare: montime, shantazhe, të pavërteta etj.) pra thjesht njollosje armiqësore, por kur EULEX-i e vërtetoi autorësinë e përgjimeve, turma u shkreh në vaj: “Hakmarrje e EULEX-it për deklaratat e këtyre burrave e grave pas arrestimit të Fatmir Limajt”!

UBT

E dikur, kur së vërtetës nuk i ikej dot, disa të mençur të kombit, që nga Zelanda e Re e deri n’ Prishtinë, nisën të besonin se “ka diçka”, por nuk i akuzuan direkt personazhet e vëllazërisë “Pronto”, por gazetarët, që nuk paskëshin hulumtuar, paralajmëruar e shkruar për profilet e këtyre liderëve politikë!? Por paskan filozofuar!?

Sa për ilustrim po e sjell vetëm një koment, për t’ia njohur mendësinë një njeriu masiv: “I nderuar, ju gazetarët e keni ditur shumë më heret për nivelin e këtyre njerzëve të përgjuar. Pse s’keni treguar o burra? Ju gazetarët jeni hulumtus të profesionalizuar, dhe këto gjëra është dashur të paralajmërohen më heret se tani nga EULEX-i”.

Njerëz që shtiren se janë lexues të mëdhenj dhe kurrë nuk marrin mundin t’i lexojnë përmbi tre rreshta të modelit “kili-mili” në rrjetet sociale i akuzojnë gazetarët, madje ata profesionistë. Po a nuk kanë paralajmëruar gazetarët me vite të tëra për nivelin dhe modelin e qeverisjes nga këta njerëz, a nuk kanë hulumtuar, kujdestaruar e shkruar 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, 12 muaj në vit?

Të vetmen përgjigje që mund ta japë një gazetar, kritik i shoqërisë apo thjesht një njeri racional në këso paragjykimesh është se mund të vërë bast me këdo, se për profilet e këtyre tipave dhe lëngatën që i kanë sjellë vendit, për këto 13 vjet nga çlirimi i Kosovës dhe për këto gjashtë vjet në pushtet edhe de jure, janë shkruar e botuar nja 1.5 tonë artikuj e komente, nëse e marrim letrën si etalon matës për sasinë e alarmeve, paralajmërimeve dhe bërtimave!?

Sepse të flasësh e të shkruash në këso situatash nuk mjafton, duhet bërtitur…

Por njeriu masiv është i verbëruar, fillimisht nga propaganda, e pastaj edhe nga joshja dhe interesat meskine. Njeriu masiv është rëndom nacionalist i paarsimuar dhe pa edukim qytetar, ai është i frikësuar deri në paranojë, saqë vetëm në turmë ndihet se ekziston, ndien se është i fuqishëm dhe i dobishëm.

Nacionalizmi së këndejmi është patologji shoqërore, pra sëmundje.

Kështu që në këtë derexhe, në këtë gjendje të mjeruar, njeriu masiv ka ra falë nacionalizmit deklarativ dhe joracional të elitave kinse politike dhe kinse kulturore të pasluftës në Kosovë.

Por, në këtë mendësi totalitare ndërhyn sindromi i fajtorit kujdestar që rëndom u lihet gazetarëve!?

E, megjithatë, gazetarët, shumë nga ta, dhe më të ndërgjegjshmit, nuk u përshtatën me vëllazërinë “Pronto”, por rezistuan dhe kundërshtuan.

Gjatë kohë “ia kanë gjigavë” kryeministrit, si “ata zagarët e Malishevës”…

„Kundërshtoni shumë, binduni pak; se bindja e verbër të shpie në skllavëri të plotë; prej skllavërisë së plotë asnjë popull i botës nuk e fitoi dot përsëri lirinë”, janë vargje të poetit amerikan Walt Whitman, e të sjellë në shqip nga Enver Robelli.

Çka pas aferës së përgjimeve? Asgjë!

Sepse shumë nga shqiptarët e Kosovës votojnë e zgjedhin në pushtet njerëz mujshor e t’pa dije themelore, e mbi të gjitha të pakulturë, parakë deri në palcë…

E të shumëve u vidhet vota, sepse më të shumtë janë ata që heshtin.

Pushteti mujshor i vëllazërisë “Pronto” ka krijuar favore nga zyrat publike, ka prodhuar korrupsion dhe skema piramidë, ka instaluar spiunim e frikë.

Sharjet e zyrtarëve të lartë shtetërorë me nanë janë vetëm maja e Icebergut në këtë det krimesh.

A ndalet kush të reflektojë vetëm dy minuta?

Nga këto personazhe, të presësh siguri e liri, shkollë më të mirë dhe shëndetësi më efektive, shtet ligjor, zhvillim ekonomik dhe vende pune, madje edhe integrime, është injorancë e përmasave kombëtare!?

Jo, kurrë nuk do t’i kenë këto shërbime pa u trandur nga ethet që e kanë kapluar njeriun masiv.

Pa u kthjellue…

Shoqëria kosovare e ka humbur lirinë brenda Kosovës në liri, e kjo është për t’u indinjuar dhe për të vajtuar, për t’i shkulur flokët e kresë…

Askujt më nuk duhet t’i interesojë nëse “vëllazëria Pronto” do t’i lypin të falur kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Ata duhet të kërkojnë falje nga populli i Kosovës dhe të ikin me turpin e botës mbi supe…

Të marrosur!