Veç Sabit Geci i sëmurë
Vetëm Sabit Geci mund të qëndrojë i shtrirë në Qendrën Klinike Universitare për t’u shëruar. Por jo edhe Sami Lushtaku, Sylejman Selimi dhe të akuzuarit tjerë të “Grupit të Drenicës”. Kjo është vendosur nga mjekët ndërkombëtarë që u kanë bërë ekspertizë të akuzuarve për krime lufte. Prokuroria e EULEX-it ka kërkuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës që të bëhet një vlerësim i pavarur i jashtëm.
Gjykata e ka miratuar kërkesën e prokurorisë dhe e ka bërë një gjë të tillë. “Ekzaminimi është kryer te 6 gjashtë të pandehurit që shpesh janë shtruar në spital ose janë dërguar për trajtime mjekësore. Ata janë ekzaminuar në qendrën mjekësore të qendrës së paraburgimit në Dubravë. Si rezultat i kësaj, vetëm një nga ta është urdhëruar nga gjykatësi të qëndrojë në spital dhe të sillet në gjykatë direkt nga spitali, pasi edhe gjendja e tij mjekësore e kërkon një gjë të tillë”, ka thënë për gazetën Tribuna zëdhënësi i EULEX-it Miguel Carvalho Faria.
Ndonëse ky zëdhënës s’e ka përmendur asnjë me emër, burime të gazetës bëjnë të ditur se i vetmi nga gjashtë të akuzuarit në “Grupin e Drenicës” që i është lejuar qëndrimi në QKU është Sabit Geci. “Ky ish-komandant ka rezultuar se ka nevoje për disa ekzaminime ne mëlçi dhe sistemin vaskular të cilat i janë përkeqësuar si rezultat i 11 ndërhyrjeve kirurgjikale që ka pasuar që nga plagosja e tij në luftë”, thotë burimi i gazetës /Tribuna/


