Vdes në plazh, pasi shpëton tre fëmijët nga vdekja
Pushimet në bregdetin italian kanë përfunduar në mënyrë tragjike për familjen e ardhur nga Zvicra. Babai i pesë fëmijëve humbi jetën pasi që arriti t`i shpëtonte nga valët e detit tre fëmijët e tij që po mbyteshin.
Moti i ngrohtë kishte tërhequr familjen nga një fshat zviceran për të qëndruar në plazh, në një vendpushim të Toskanës. Tre fëmijët, të moshave 9, 11 dhe 14 vjeçare hyjnë në ujë për të notuar. Pas pak babai vëren se ata nuk po mundeshin të ktheheshin në breg me forcat e tyre.
Me të shpejtë hidhet vetë në ujë dhe, njërin pas tjetrit, bujku i guximshëm 42 vjeçar nga Zvicra i shpëton të tre fëmijët.
Por, pasi nxjerr nga uji edhe fëmijën e tretë, ai alivanoset. Bashkëshortja e tij provon që me ndihmën e plazhistëve tjerë të shpëtojë të shoqin por më kot. Shërbimi i emergjencës i ardhur ndërkohë nuk mundi t`ia shpëtojë jetën zviceranit. Ai vdiq në plazh.
Trupi i të vdekurit do t`i nënshtrohet obduksionit për tu kosntatuar shkaku i vdekjes, njoftojnë mediet italiane.