Vdekjet në trafik shqetësojnë institucionet vendore e ndërkombëtare

Gjilan – Drejtori i qendrës regjionale të OSBE-së në Gjilan Ulrich Biffar ka marrë një iniciativë për të përkrahur vetëdijesimin e qytetarëve në trafik. Edhe Qemajl Mustafa, Bajrush Ymeri e Elmina Mahmuti janë shprehur të gatshëm që të ndihmojnë në vetëdijesimin e pjesëmarrësve në trafik për të zvogëluar tragjeditë në komunikacion.
Ka mjaftuar një ide dhe një propozim i Ulrich Biffar drejtor regjional i OSBE-së që të mbledhë institucionet përgjegjëse komunale dhe ata të sigurisë në një takim tek Restaurant “Bujana”, për të folur enkas për aksidentet në trafik dhe mundësin që të vetëdijesohen shoferët po edhe pjesëmarrësit tjerë në trafik.
Biffar me raste konkrete dhe me foto të realizuara vet në trafikun gjilanas e më gjerë u ka folur pjesëmarrësve ku ishin të pranishëm edhe Qemajl Mustafa, Bajrush Ymeri e Elmina Mahmuti për rrezikun që po sjellin këto aksidente fatale.
Bifar tha se rritja e numrit të aksidenteve në trafik në regjionin e Gjilanit dhe rezultimi në aksidente fatale ka ngritur brenga serioze dhe nevojë për një ngritje të vetëdijes si dhe më shumë strategji të vërteta për të parandaluar këtë të keqe. Shumica e aksidenteve me vetura janë rezultat i kushteve të cilat lehtë mund të anashkalohen tha Biffar në arsyetimin e tij.
Ai tha se qëllimi i këtij takimi- projekti është të paraqesim realitetin prezent, të diskutojmë masat që duhet ndërmarr, strategjitë e se ardhmes, bashkëpunimin, planin i veprimit dhe mundësin dhe si të ngrisim përkushtimin dhe përgjegjësin e shoqërisë karshi kësaj të keqeje.
Qemajl Mustafa kryetar i Gjilanit pasi ka përkrahur idenë dhe iniciativën tha se punët nuk janë mirë me aksidentet sepse mungon edukimi dhe disiplina e vozitësve. “Komuna do të jetë pjesë aktive e këtyre aktiviteteve dhe do të përkrah çdo iniciativë që qëllim ka parandalimin e aksidenteve”.
Edhe Bajrush Ymeri kryetar i Artanës tha se edukimi i pjesëmarrësve në trafik është çështje thelbësore për të parandaluar tragjeditë që për ne janë shumë shqetësuese. Edhe Ymeri tha se do të përkrah të gjitha format dhe aktivitetet që ndërlidhen me këtë aksion të OSBE-së.
Ndërkaq Elmina Mahmuti komandante rajonale e policisë tha se vetëm në vitin 2012 ka pasur 19 aksidente me fatalitet. Sipas saj mosha që më së shumti bëjnë aksidente përfshinë atë prej 16 – 30 vjeç.
Edhe Mahmuti tha se duhet një edukim permanent i moshave të reja, pastaj vizita të policisë në shkolla, seminare, tryeza, paraqitje mediale etj.
Në fund Ulrich Bifar tha se kampanja e OSBE për të përkrahur aktivitetet do të nisë nëpër komuna me ekspozita të fëmijëve, gara në komunikacion, vizatime e ngjarje tjera që lidhen me edukimin e pjesëmarrësve në trafik./rajonipress/