Eko Higjiena

Vdekja e 7-vjeçares, babai: Dënim mjekut ose vetëgjyqësi

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Permet- Vajza ime vetëm 7 vjeçe kalbet në baltë, ndër sa ne nuk dimë ende shkakun e vdekjes dhe nuk ka asnjë fajtor që të vuajë dënimin. Nëse nuk jepet drejtësi për vdekjen e vajzës sime, do bëj vetëgjyqësi”. Kështu ka deklaruar për “Gazeta Shqiptare”, Hekuran Baollari, babai i vogëlushes Era Baollari, e cila ndërroi jetë tre muaj më parë.

Për vdekjen e vajzës, i ati denoncoi spitalin e Përmetit dhe akuzoi mjekun Faik Pashollari për neglizhencë dhe mjekim të gabuar. Në gusht të këtij viti, 7-vjeçarja është çuar nga prindërit në spitalin e Përmetit pasi ishte me të vjella. Për gati 10 orë gjendja e saj ka ardhur duke u rënduar, ndërsa familjarët kanë kërkuar dërgimin e saj në Tiranë apo jashtë, por kjo nuk është pranuar nga mjeku pediatër Faik Pashollari deri në momentin e fundit kur ai ka vendosur, por ka qenë shumë vonë, pasi vogëlushja ndërroi jetë pa dalë nga qyteti.

Pediatri Faik Pashollari e cilësoi atëherë vdekjen e vajzës, me diagnozën fillestare si “intoksikim me natyrë të paqartë”, ndërsa tri ditë më pas ky version u hodh poshtë nga specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, të cilët, në një raport zyrtar pas ekzaminimeve u shprehën se humbja e jetës nuk ka ardhur si pasojë e helmimit. Po të njëjtën deklaratë ka dhënë edhe drejtuesi i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, duke mohuar faktin se vajza ka humbur jetën si pasojë e helmimit. Duke mos marrë një përgjigje, një javë pas vdekjes, familja Baollari vendosi zhvarrimin e vajzës për të bërë autopsinë, përgjigjja e së cilës nuk përcaktoi një shkak konkret, pasi ishte e vonuar.
Pas ngjarjes, Ministria e Shëndetësisë deklaroi shkarkimin nga puna të drejtuesit të spitalit të Përmetit dhe të mjekut Faik Pashollari.

Z.Hekuran, përse kërkoni ende drejtësi për vdekjen e vajzës?

Kanë kaluar tre muaj, dhe dhimbjes për vdekjen e vajzës sonë po i shtohet edhe fakti që askush nuk na jep një përgjigje për shkakun. Unë vazhdoj të akuzoj mjekun. Ai ma mori në qafë vajzën dhe sot është me ndërgjegje të qetë e i lirë në rrugët e Përmetit, ndërsa vajza ime është në baltë.

Fundamenti

Pak ditë pas vdekjes, ju kërkuat zhvarrimin e vajzës dhe autopsinë. A keni marrë përgjigje për shkakun e vdekjes së saj?

Të ndërmerrja atë veprim për fëmijën tim ishte e rëndë, por nuk mund të pranoja që të thoshin se ajo vdiq për ‘intoksikim të paqartë’, kur unë e çova me këmbët e saj në spital, – vetëm kishte vjellë dy-tri herë, – e prej aty e mora me arkivol. Ndërsa të gjithë e dinë se mjekimet që iu bënë ishin në neglizhencë të plotë. Vetëm analizat i janë bërë 10 orë më pas. Ne jemi të bindur se vdekja ka ardhur nga medikamenti Altropine që i është përdorur vajzës. Unë kam marrë një përgjigje nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, përgjigje të cilën na e sollën 53 ditë më pas. Edhe aty nuk jepet konkretisht se cili ishte shkaku i vdekjes, pasi mendohet se trupi i vajzës është dekompozuar, por nuk përjashton mundësinë e helmimit.

Çfarë ndodhi pas kësaj?

Ne si prindër s’mund ta anashkalojmë kaq lehtë ikjen e vajzës, që sot do të ishte si shoqet e saj në klasë të dytë. Unë i jam drejtuar personalisht ministrit të Drejtësisë dhe nga ana tjetër, prokurori i çështjes që kemi hapur, ka bërë kërkesë në Institutin e Lartë Mjekësor (ILM) për rishikim të ekspertizës mjeko-ligjore dhe konstatim të ekzaktë të vdekjes. Tashmë kanë kaluar 30 ditë që jemi në pritje të kësaj përgjigjeje. Shpresojmë që ILM të na japi drejtësinë, por edhe të vërtetën pse humbi jetën vajza jonë. Gjatë orëve që kaloi vajza në spital, kur ajo vuante e qante, ne e pamë mjekun në lokal duke pirë. Cili prind e toleron këtë?! Nëse përgjigja s’ma jep hakun ashtu siç ndodh në kësi rastesh, familja ime do bëjë vetëgjyqësi.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)