UBT

Vazhdon ngulfatja e ekonomisë nga mafio – oligarkët

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Edhe me Qeverinë aktuale, të drejtuar nga Ramush Haradinaj, klima ekonomike në vendin tonë është në përkeqësim e sipër, ngase ky ekzekutiv deri tash nuk ka dëshmuar as vizionin më elementar zhvillimor, as vullnet për mbështetjen e sipërmarrjes private.

Analistët ndërkaq thonë se këtë situatë e ka nxitur edhe mungesa e një strategjie të qartë për nxitjen e zhvillimit ekonomik të Kosovës. Të hënën në Samitin e Londrës qeveritarët u mburrën se Kosova ka popullatën më të re në Evropë, ku 65 për qind e saj janë nën moshën 35-vjeçare, por “harruan” të përmendin faktin se mbi 60 për qind e të rinjve janë të papunë.

Andaj, sipas analistëve, nuk ka shanse për zhvillim ekonomik pa pasur sundim të ligjit në këtë vend të degraduar e të zhytur thellë në krim të organizuar, korrupsion dhe ku mafio-oligarkët e inkriminuar sundojnë mbi ligjin. Të gjitha qeveritë e pasluftës, përfshirë edhe këtë aktuale, investitorët, qofshin ata vendorë apo ndërkombëtarë, nuk i deshën për ta zhvilluar vendin, por thjesht që t’i zhvatin sa më shumë. Analistët thonë se pa qenë pjesë e rrjetit të nëntokës kriminale të lidhur me pushtetin qendror dhe atë komunal nuk ka shanse që të bëhet as edhe një investim serioz për punësim e mirëqenie të qytetarëve.

“Pa ndryshim të garniturës politike nuk ka ndryshim në ekonomi, këtë e kemi provuar që 18 vjet”, tha Lulzim Beqiri për “Kosova Sot”

Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, tha për “Kosova Sot” se Kosova vazhdon të ketë probleme serioze në thithjen e investimeve të huaja, me gjithë përmirësimet në infrastrukturën ligjore, Ligjin për investime strategjike dhe një mori ligjesh janë në favor të investitorëve të huaj, mirëpo ende nuk ka investime të duhura.”Sektori privat, i cili punëson mbi 300 mijë qytetarë është lënë në duar të fatit, asnjë qeveri nuk ka kthyer kokën nga ky sektor, por fokusi është te vota, pra sektori publik, sepse është më i kontrollueshëm, andaj gjithçka interes”, vlerësoi Beqiri për “Kosova Sot”.

Sektori privat i anashkaluar

Sipas Beqirit, është e vërtetë se liderët mburren me rininë tonë, e cila është rinia më e mrekullueshme në botë, mirëpo kjo rini nuk është e kënaqur me udhëheqësit e saj, sepse ata interesin e vetëm e kanë pasurinë personale. Ai shton se sektori privat i Republikës së Kosovës aktualisht është jetim, i pambështetur nga askush dhe në mëshirën e fatit dhe të biznesmenëve politikanë, të cilët brenda ditës e deformojnë tregun.”Thjesht rrallë ndodh në botë në kohën moderne që sektori privat me qenë kaq i anashkaluar, paga në sektorin privat është shumë më e ulët, përgjegjësia shumë më e madhe, pa sigurim, pa kontrata, ndërkaq siç dihet vetëm në vitin 2017 kanë vdekur në vendin e punës mbi 17 qytetarë dhe se ka punëtorë që punojnë ende festave, natën, ditën dhe pa kushte elementare”, vijoi më tej Beqiri. “Deri kur sektori që mbush arkën e shtetit do të jetë kaq i anashkaluar, ngase sektori privat duhet të fuqizohet në udhëheqësi të reja dhe të ngrijë raportin me Qeverinë e vendit, duke mos paguar dhe bojkotuar çdo gjë, derisa të krijohet një ambient i favorshëm i punës dhe të ardhurave. Kjo ngase duhet paramenduar kur një shofer i kryeministrit mund t’i marrë 700 euro me shkollë të mesme e një specialist i mjekësisë 500 euro, kjo nuk ndodh askund në botë”, theksoi analisti Lulzim Beqiri.

“Pa qenë pjesë e rrjetit të nëntokës kriminale, të lidhur me pushtetin qendror dhe atë komunal në Prishtinë, nuk ka shanse që të bëhet as edhe një investim serioz për punësim e mirëqenie të qytetarëve”, tha Florim Rrudhani për “Kosova Sot”

Eksperti i ekonomisë, Florim Rrudhani, për “Kosova Sot” tha se nga ajo që e kemi parë me qeverisjen e Ramush Haradinajt, klima ekonomike në vendin tonë është në përkeqësim e sipër. “Kësaj qeverie i mungon një strategjie e qartë për nxitjen e zhvillimit ekonomik të Kosovën. Kjo ngase Kosova është bërë një vend i padëshirueshëm dhe i pabesueshëm, madje edhe nga vetë banorët e saj”, potencoi ai.

UBT

Përkeqësimi i ambientit biznesor nuk ndalet

“Gjatë fushatave elektorale, të gjitha partitë politike e përmendin punësimin e të rinjve, por kur e marrin pushtetin në dorë atëherë rinia as që ka vend më tek fjalët e atij kandidati apo partie politike”, tha Dardan Grapci për “Kosova Sot”

Ekonomisti Dardan Grapci për “Kosova Sot” tha se përkeqësimi i klimës ekonomike në vendin tonë është një vazhdimësi e Qeverive të kaluara dhe kësaj aktuale.”Klima ekonomike në vendin tonë nuk do të rregullohet derisa të zbatohet Ligji për mbrojtjen e punëtorëve dhe sigurimin shëndetësor për punëtorët në vendet publike dhe private”, theksoi ai.”Është e kuptueshme se qytetarët e Kosovës dita-ditës e kanë atë mllefin e mëparshëm dhe jam i bindur se po të kishin ndodhur këto gjëra tjetërkund, te një popull tjetër dhe me tradita të tjera, sot kjo qeveri do të ishte përgjakur, sepse populli do të kishte bërë kryengritje kundër asaj qeverie, kurse qytetarët e Kosovës për fatin e keq po heshtin”, potencoi Grapci.

Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj, për “Kosova Sot” tha se përkeqësimi ekonomik në Kosovë ka ardhur si rezultat korrupsionit të vazhdueshëm, si dhe mungesa e një strategjie kombëtare afatgjatë, që pa marrë parasysh ndërrimet e qeverive do të duhej të vazhdojë implementimi që për fat jo të mirë nuk ndodhi asnjëherë. “Niveli i lartë i korrupsionit, përveçqë dëmton ekonominë në radhë të parë, njëherësh ia ka humbur besimin dhe imazhin në nivel ndërkombëtar dhe investitorët e mundshëm nuk kanë besim të investojnë”, u shpreh ai. Sipas tij, për një strategji kombëtare do të duheshin të involvoheshin të gjithë faktorët relevantë, si Akademia e Shkencave, të gjitha njësitë akademike të Universitetit të Prishtinës, si Fakulteti Ekonomik, Juridik, Teknik, Fakulteti i Bujqësisë, Fakulteti i Metalurgjisë, si dhe njëherësh të lëmive përkatëse, si vendore dhe ndërkombëtare, po ashtu edhe disa kolegje private, si dhe të mbahen konferenca shkencore dhe nga këto të nxirren konkluzionet dhe rekomandimet”, propozoi Kadrijaj.

Qeverisje tërësisht e paaftë

Sipas Kadrijajt, edhe Samiti i Londrës duket një dështim për Kosovën.”Ky nivel i qeverisjes që nga kryeministri e shumica e ministrave janë nën çdo nivel të detyrave të tyre. Një kryeministër që do mbahet mend që të gjitha veprimet i ka filluar me teke dhe kokëfortë po ashtu të gjitha iniciativat e po këtij kryeministri kanë dështuar. Përveç ministrit të financave, që e di se çfarë bën (por që i ka duart e lidhura nga kryeministri aktual), të tjerët nuk kanë as më të voglën njohuri për detyrat që janë të ngarkuar. Mund t’i kujtojmë lexuesit vendimet e Ministrisë së Ambientit duke bllokuar kryeqytetin gjoja për parandalim të ndotjes, ministrin e Zhvillimit Ekonomik që në vend që të jepte shifra për pasuritë nëntokë- sore ua zbulon ujin e nxehtë në Samitin e Londrës se Kosova ka popullatën më të re, një ministër të Tregtisë dhe Industrisë që merr pjesë në takime ndërkombëtare, duke iu drejtuar në gjuhë shqipe, sa qesharak po aq ulje e imazhit të Kosovës, po ashtu me një zëvendëskryeministër dhe ministër të Punëve të Jashtme që më shumë lëviz për të lobuar për bizneset e veta në nivel ndërkombëtar, pra një ministër të Punëve të Jashtme tyxhar, një ministër të Infrastrukturës shumë bujar, që deri më tani vetëm ka paguar fatura pa filluar asnjë projekt”, ka theksuar ai.

Afaristi Ramadan Maloku, anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, për gazetën “Kosova Sot” tha se as me Qeverinë ‘Haradinaj’ nuk ka asnjë shans që të kemi një zhvillim ekonomik pa pasur sundim të ligjit

Ndërkohë afaristi Ramadan Maloku, anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, për gazetën “Kosova Sot” tha se as me Qeverinë ‘Haradinaj’ nuk ka asnjë shans që të kemi një zhvillim ekonomik pa pasur sundim të ligjit. Sipas tij, qëndrojnë analizat e ekspertëve se të gjitha qeveritë e pasluftës, investitorët, qofshin ata vendorë apo ndërkombë- tarë, nuk kanë dashur ta zhvillojnë vendin, por, thjesht që t’i zhvatin sa më shumë.

(Kosova Sot)