Vazhdon maratona humanitare e Luanit për fëmijët e Kosovës

Luan Krasniqi ka kohë që “i ka varur në gozhdë” dorezat e boksit, por kjo assesi nuk do të thotë se ai ka hequr dorë nga aktivitetet e tij sportive me karakter humanitar. Kështu, ish kampioni evropian në kategorinë e rëndë të boksit profesional, po angazhohet me të madhe për të ndihmuar strehimoret për fëmijë SOS (SOS Kinderdorf), gjithandej nëpër botë dhe sidomos në Kosovë.
Këtë po e bën duke marrë pjesë në maratona të ndryshme që po zhvillohen në Gjermani, prej rreth një viti, ku ai po vrapon me qëllim grumbullimin e ndihmave për kategorinë e përmendur. Por këtë do ta bëjë edhe më 16 nëntor kur ai edhe njëherë do të ngjitet në ring për të kryqëzuar dorezat me ish kampionin në thai boks dhe shefin e bordit të Porsche-së, Uwe Hück.
Në maratonën e Munihut në fakt Luani ka vrapuar “vetëm” gjysmën e maratonës, gjegjësisht diçka më shumë se 20 kilometra. Ja se si e arsyeton ai këtë për mediet gjermane: “Unë jam duke e marrë shumë seriozisht meçin (me Uwe Hück). Për këtë arsye në Munih kam vrapuar vetëm gjysmë maratone edhe pse isha i përgatitur për shtegun e plotë”.
Ndërsa angazhimi i tij për SOS kinderdorf-in e Kosovës e shpjegon kështu: “Unë vetë vi nga Kosova. Fshatrat e fëmijëve SOS Kinderdorf i kam shumë për zemër, pasi që ato u japin fëmijëve jo vetëm një kulm mbi kokë por edhe një familje”.
Kështu, Krasniqi edhe të ardhurat nga dyluftimi i tij i 16 nëntorit do t’i shpërndajë nëpër SOS Kinderdorf-ët e anembanë botës. /albinfo.ch/