Fundamenti

Vazhdon ikja e të rinjve dhe atyre që kanë nevojë për tu punësuar

/ 2 minuta lexim

Gjilan – Gjilani çdo ditë e më shumë po zbrazet nga të rinjtë dhe ata që kanë nevojë për tu punësuar e mbajtur familjet e tyre. Kjo situatë duket e dhimbshme, por nevojat e të rinjve janë urgjente. Pse të rri këtu kur asnjë projekt dhe asnjë iniciativë nuk përkrahet as nga pushteti lokal e as nga ai qendror shprehen disa të anketuar.

Zbrazja e vendit po ndodhë edhe pse në heshtje. Ditë të tëra ka me të rinj që ikin për kushte më të mira jetese. Disa për të gjetur punë dhe ndonjë edhe për të studiuar në kushte tjera.

Mirlindi një student shembullor thotë se ka pasur dëshirë të realizojë projekte dhe iniciativa për të rinjtë, por nuk ka gjetur përkrahje.”Rinia tek ne është shfrytëzuar për interesa të politikës dhe klaneve. Nëse nuk je në ndonjë subjekt politik e ke të vështirë të depërtosh për të marrë ndonjë projekt nga komuna ose Qeveria. Jam në pritje të largimit drejt Gjermanisë, fillimisht do të mësoj gjuhën, pastaj do të punoj e studioj” shprehet ai.

Uji Dea

Muharremi një qytetar gjilanas thotë se i ka tre djem dhe dy prej tyre tashmë kanë ikur në Austri. “Nuk donin të rrinin këtu sepse nuk shihnin perspektivë. Kishim shpresa te Albin Kurti po edhe ky po merret me demagogji dhe nuk po ofron asnjë perspektivë për të jetuar, përkundrazi po e bënë situatën edhe më të komplikuar” shprehet Muharremi.

Osmani një 40 vjeçar që thotë se ka punuar punëtor krahu është në pritje për të ikur në drejtim të Kroacisë.”Jam shkruar dhe i kam bërë gati dokumentet dhe do iki me gjithë familjen. Këtu tash nuk po ka punë dhe po e kam të vështirë ta mbajë familjen edhe pse e kam të vështirë edhe në Kroaci të adaptohem, por shpresat i kam me dal në Gjermani” shton Osmani./rajonipress/