Vazhdon fundosja e Dritës

Gjilan – Shënues: Murati 34’ – Shabani 39’, Elshani 70’, Maliqi 74’. Paraqitjet e dobëta të Dritës kanë vazhduar edhe këtë javë, kur ekipi vendas ka pësuar në shtëpi nga Ferronikli i Drenasit. Tashti, ekip[i bardh e kaltër nga Gjilan ka marrë tatëpjetën dhe është ngjitur për fundin e tabelës, që ka kuptimin e një rangu më të ultë garash.
Drita – Ferronikeli 1:3 (1:1)
Vendasit që kanë pasur një paraqitje të mirë në pjesën e parë, tërësisht kanë dështuar në pjesën e dytë.
Pas më tepër se gjysmë ore lojë, në minutën 34, Gashi ka harkuar nga e majta dhe në topin e dëbuar nga mbrojtja mysafire, ka ndërhyrë Murati, që ka qëlluar këndin e poshtëm të djathtë. Pesë minuta më pas ka barazuar Shabani, që ka shfrytëzuar një tollovi pas gjuajtjes nga këndi.
Në golin e pësuar fajtore ishte e tërë mbrojtja, bashkë me portierin.
Në pjesën e dytë, mysafirët ishin bindshëm më të mirë, duke shënuar dy herë. Por, para se ata të merrnin në kontroll ndeshjen, ka qenë Sermaxhaj që ka dhënë një goditje dënimi nga 30 metra dhe topi është përplasur mu te vendi ku puthitën tërthorësja dhe pingulja.
Në minutën 70 , pas një intervenimi të ngathtë të mbrojtjes mysafire, Elshani ka qëlluar këndin e poshtëm të djathtë. Në minutën 74, Maliqi ka dhënë një gjuajtje dënimi e topi i dëbuar nga muri i gjallë, mbi duart e portierit Huruglica është futur në rrjetë për rezultatin final 1:3.
Thanë pas ndeshjes:
Agron Selamni i Dritës nuk është deklaruar, me lutjen që t’a kursejmë këtë herë, kurse nga kryesia e Dritës është paralajmëruar një komunikatë e më vonshme.
Gani Sejdiu (Ferrronikeli): “Rezultati nuk është real, ngase Drita nuk e ka merituar këtë humbje. Ata ishin më të mirë në pjesën e parë, derisa ne në të dytën, kur shfrytëzuam edhe mospërvojën e ekipit vendas. Ne ishim shumë konkret dhe tërë atë që duhej shfrytëzuar e shfrytëzuam, andaj edhe e merituam fitoren”.
Drita – Ferronikeli 1:3 (1:1)
Stadiumi i Qytetit në Gjilan. Shikues: 300. Arbitra: Raci, Berisha, Kelmendi, Kelmendi. Shënues: Murati 34’ – Shabani 39’, Elshani 70’, Maliqi 74’. Kartoni i verdhë; Berisha – Shabani.
Drita: Huruglica, Baxhaku, Haliti, Syla (Kelmendi), Tusuni, Berisha, Ajdari, Limani, Gashi, Sermaxhaj, MUrati (Kastrati).
Ferronikeli: Kadirolli, Doshlaku, Sahiti, Gërbeshi, LLadrovci, Fetahu (Eminhaziri), Berisha, Shabani, Elshani, Maliqi, Livoreka (Shala)./rajonipress/