Vazhdon fluksi i arritjes së mërgimtarëve

Mijëra mërgimtarë kanë mbërritur dje dhe sot në Maqedoni, për të shprehur të drejtën e tyre të votës për zgjedhjet lokale.
Pritje të gjata në kufi, aterimet e aeroplanëve çarter nëpër aeroportet e vendit dhe atë të Prishtinës pritet të jenë edhe sot, pasi që dje ka pasur disa aterime të aeroplanëve çarter kryesisht nga Zvicra.
Për sot janë paralajmëruar rreth 9 fluturime çarter në Aeroportin e Ohrit, ndërsa kryesisht bëhet fjalë për mërgimtarë shqiptarë që vijnë për të votuar për Kërçovën dhe Strugën. Siç mësohet vetëm në Kërçovë kanë mbërritur rreth 7 mijë mërgimtarë nga Evropa dhe SHBA-të. Një numër i konsiderueshëm i mërgimtarëve ka ardhur edhe në Strugë, por edhe në Dibër.
Përveç fluturimeve, në pikat kufitare ka pasur fluks të gjatë të makinave të mërgimtarëve, pasi që qindra familja kanë gjetur këtë mënyrë për të ardhur në vendlindje për të shfrytëzuar të drejtën e votës. Fluksi i madh i makinave ka bërë që të ketë pritje të gjata në pikat kufitare si Horgosh, Batrovc por edhe në Tabanoc.
Disa mërgimtarë janë ankuar për pritje të gjata edhe në kufirin e Bllacës, pasi që ata kishin mbërritur përmes aeroportit të Prishtinës. Mërgimtarët kanë theksuar se janë përballur me pritje të gjatë, për shkak të kontrolleve dhe verifikimeve më të detajuara nga ana e autoriteteve kufitare të Maqedonisë. /Telegrafi/