Uji Dea

Varet nga ju

/ 5 minuta lexim

Komisari Stefan Fule ka thënë se rruga e Kosovës drejt integrimeve europiane nuk varet nga BE’ja. Gjithçka, sipas tij, është në dorën e autoriteteve vendore. Të premten, pas takimit me Kryeministrin Hashim Thaçi, ai premtoi se nëse plotësohen kushtet, në fillim të vitit të ardhshëm, Unioni do t’i hapë negociatat me Kosovën për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Komisari për Zgjerim i Bashkimit Europian, Stefan Fule ka thënë në Prishtinë se rruga e Kosovës për në BE krejtësisht varet nga puna e institucioneve vendore, e jo nga BE’ja.

Ai ka thënë se në momentin që është e gatshme Prishtina dhe i përmbush kriteret afatshkurtra, atëherë BE’ja do të nisë bisedimet për Marrëveshjen e Stabilizim-Asosciimit.

“Ecja e Kosovës drejt BE’së nuk varet nga ne në Bashkimi Europian, por ekskluzivisht varet nga puna juaj dhe përpjekjet tuaja”, ka thënë Fule, pas një takimi që ka pasur me Kryeministrin Hashim Thaçi.

Ai ka përmendur edhe kohën se kur pret përparime të Kosovës.

“Nëse Kosova punon shumë dhe me përkushtim, atëherë ajo do të jetë e gatshme që t’i hapur negociatat me BE’në për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, diku nga mesi i vitit tjetër”, ka shtuar ai.

Kriteret që duhet t’i plotësojë Kosova për të nënshkruar MSA’në, janë sundimi i ligjit, rritja e kapaciteteve administrative, mbrojtja e pakicave dhe garantimi i tregtisë së lirë.

Megjithëkëtë, Fule ka thënë se BE’ja do t’i ndihmojë Kosovës edhe për zgjidhjen e problemit të Veriut, por se Prishtina duhet të vazhdojë t’i përmbushë kriteret e Studimit të Fizibilitetit.

“Ne po ashtu kemi adresuar në Raport edhe çështjen e Veriut të Kosovës. Kjo është një sfidë në të cilën ne jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë”, ka shtuar ai.

Përgjegjësi për zgjerim në BE ka thënë se Kosova nuk e ka kusht për MSA dialogun me Serbinë, por e ka parë të rëndësishme zbatimin marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Veç kësaj, Fule ka thënë se BE’ja ka konstatuar se nuk ka pengesa ligjore për të ecur Kosova drejt Unionit, pavarësisht mosnjohjes nga pesë shtetet.

“Studimi konfirmon se nuk ka pengesa ligjore që të arrihet Marrëveshja për Stabilizim-Asociim, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Europian”, tha Komisari Fule.

Në anën tjetër, Shefi i Qeverisë, Hashim Thaçi ka deklaruar se kushtet e BE’së të përmendura në Dokumentin e Studimit të Fizibilitetit do të përmbushen në afat rekord.

Fidanishtja

“Unë ju siguroj, i nderuari Komisar, se Kosova do të prodhojë argumente të qëndrueshme dhe të mjaftueshme për ju, në mënyrë që ta shtyni agjendën tonë europiane përpara. Ne jemi të bindur se për pak muaj do t’i përmbushim kriteret afatshkurtra”, ka premtuar Kryeministri.

Ai ka shtuar se Kosova ka qenë e gatshme dje, është e gatshme sot që të hyjë në marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Europian.

“Ne jemi të bindur se për pak muaj, do t’i përmbushim kriteret afatshkurta apo reformat e shumta demokratike, si lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar e trafikimit, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, reforma e administratës publike, mbrojtja dhe kultivimi i trashëgimisë kulturore, të drejtat e komuniteteve, janë fusha në të cilat ne do të vazhdojmë të punojmë të përqendruar maksimalisht”, ka deklaruar Thaçi.

Sipas tij, dialogu është mënyra më e mirë dhe e vetme për të ecur përpara.

Kryeministri Thaçi ka thënë se Kosova ka ndërtuar fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit dhe është e gatshme për normalizimin e marrëdhënieve edhe me Serbinë.

Përmirësimin e raporteve Kosovë-Serbi, Fule ka thënë se duhet të jetë prioritet i Prishtinës në periudhë afatgjatë.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Komisari Stefan Fyle u takua edhe Presidenten Atifete Jahjaga, si dhe Kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Sipas njoftimit të Kuvendit, Fule ka paralajmëruar që pas disa muajsh, të arrihen edhe marrëveshjet e para kontraktuale të BE’së me Kosovën, të cilat kanë të bëjnë me disa programe të dobishme për vendin tonë.

Ai ka sugjeruar që të gjitha ligjet që i miraton dhe të gjitha gjërat që i diskuton Parlamenti, të jenë në frymën e aqui communitare, sepse kjo do të jetë kusht për negociatat e ardhshme të Stabilizim-Asociimit.

Edhe Kryeparlamentari Krasniqi ka premtuar se Kosova do t’i përmbushë obligimet që dalin nga raportet e BE’së.

“Do t’i kryejmë të gjitha çështjet që kërkohen dhe varen nga ne”, ka thënë Krasniqi.

Kryetari i Kuvendit ka përmendur edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se bisedat për statusin e Kosovës kanë përfunduar në Vjenë, ndërsa për pjesën Veriore duhet të vlejë Pakoja e Ahtisaarit.(express)