Valon Murseli: Drita në pranverë do të jetë tjetër skuadër
Gjilan – FC Drita në stinorin vjeshtor nga 17 ndeshjet e zhvilluara ka përfunduar në pozitën e tretë me 31 pikë të tubuara, 3 pikë më pak se lideri Ballkani. Reparti sulmues ka shënuar 26 gola ndërsa ata të mbrojtjes kanë pësuar 11 herë.
Skuadra “bardhekaltër” e Dritës, është eliminuar nga DigitAlb Kupa e Kosovës nga lideri vjeshtor Ballkani, dhe me të drejt pritet që në pranverë gjithë vëmendjen t’ja përkushton kampionatit të Ipko Superligës së Kosovës në futboll.
Për presidentin e klubit të FC Dritës, Valon Murseli, pozita e tretë në vjeshtë nuk do të thotë që ka mbaruar gjithçka.
“Nuk jemi të kënaqur me pozitën e tretë pasiqë kemi mundur më shumë, por jemi të vetëdijshëm që jemi vetëm tri pikë larg liderit Ballkanit, dhe kjo nuk është një distancë e madhe kur e dimë që ka mbetur të zhvillohet edhe kampionati pranveror, pas një pushimi të shkurt të futbollistëve skuadra do ti rikthehet përgatitjeve në mënyrën më të mundshme të mirë për të qenë të përgatitur për pranverën e nxehtë në futbollin e Kosovës”, ka bërë të ditur për “Rajoni Press”, presidenti Murseli.
Murseli nuk e ka pritur mirë eliminimin nga Kupa e Kosovës, por sipas tij ky është futbolli.
“Nuk e kemi prit atë humbje mirë por fitorja e humbja janë të barabartë në futboll, ne tani të gjitha forcat do t`i përqendrojmë në kampionat”.
Se cilat janë sfidat e FC Dritës gjatë përgatitjeve, dhe a do të ketë largime apo prurje të futbollistëve, njeriu i parë i FC Dritës, Valon Murseli, ka bërë të ditur.
“Ne tani jemi në pushim të merituar dhe jemi duke i analizuar të gjitha mundësit të cilat i kemi në dispozicion, mendoj se largime nga klubi nuk do të ketë ndërsa përforcime do të ketë, jemi duke punuar me të madhe në këtë drejtim dhe do të ketë përforcime në ato pozita ku konsiderojmë se kemi nevojë për t`i mbuluar zbrastirat të cilat na u kanë shfaqur në stinorin vjeshtor”.
Skuadra e Dritës ndeshjen e javës së parë në stinorin pranveror në cilësinë e vendasit e zhvillon me rivalin lokal Gjilanin, ku pritet të jetë premiera e futbollit pranveror në futbollin e Kosovës./rajonipress/


