Valëza, e dashuruar “deri në vesh”

Si duket zhvendosja nga Kosova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës këngëtares Valëza Bajra i ka bërë mirë, për faktin se ajo përveç zhvillimit të karrierës muzikore atje, ka gjetur edhe djaloshin e ëndrrave të saj.
“Natyrisht që këtu në Amerikë mundësit për të depërtuar janë më lehtë për faktin se shpërblehet talenti. Unë tani e dy vite sa jam këtu, kam arritur që përveç krijimeve muzikore, të futem edhe në botën e aktrimit. Në realitet kam pasur disa performanca të mia në disa shfaqje mjaft të rëndësishme. Mirëpo përveç këtyre sukseseve, unë këtu kam takuar edhe shpirtin tim binjak me të cilin jam e dashuruar ‘deri në vesh’”, ka thënë ajo për “Zëri”.
Valëza edhe pse nuk preferon të flas për identitetin e të dashurit, na lë të kuptojmë se nuk është nga Kosova, mbase mund të mos jetë as shqiptar. “Jam në fillim të lidhjes së dashurisë, kështu që nuk mund të zbuloj më shumë rreth identitetit të këtij djali. Ajo që mund t’u them është i dashuri im është këngëtar dhe aktor që jeton këtu me mua”, shton ajo.
Valëza uron që kjo lidhje e dashurisë të zgjatë përgjithmonë. Ndërkaq sa i përket sferës së punës, ajo është duke përgatitur një këngë të re në gjuhën spanjolle të cilën do ta plasoj bashkë me videoklip.
“Angazhimet e mia në skenën muzikore nuk kanë të ndalur, tani për momentin jam duke përgatitur një këngë të re e cila është në gjuhën spanjolle dhe përmban tri fjalë shqipe. Këngën jam duke punuar me një ekip mjaft profesional këtu në SHBA dhe sapo të plasohet do të tregoj më shumë rreth saj”, thekson ajo. Pas lansimit të kësaj kënge, Valëza do të nisë punën për një rol në një shfaqje teatrale në SHBA.