Valentina Bunjaku-Rexhepi: Nuk do të toleroj gjuhë joparlamentare në Kuvend Komunal

Gjilan – Ciklin e konferencave me gazetarë të shefave të grupeve të këshilltarëve komunalë, që ka organizuar Zyra për Informim, e ka përmbyllur të martën kryesuesja e Kuvendit Komunal, Valentina Bunjaku-Rexhepi, e cila ka thënë se organi më i lartë vendimmarrës në pushtetin lokal, brenda kompetencave të veta, ka vazhduar të jetë plotësisht në shërbim të qytetarëve edhe gjatë vitit të kaluar.
Një meritë të madhe për mbarëvajtjen e punëve në Kuvend Komunal, që gjatë vitit 2015 ka mbajtur 11 seanca, ajo ka adresuar edhe te Komitetet, si trupa ndihmës, të cilat kanë shqyrtuar e rekomanduar çështje që kanë qenë me rëndësi për qytetarët e komunës së Gjilanit.
Sa i përket hapësirës për debat, Bunjaku-Rexhepi ka thënë se në asamblenë komunale të Gjilanit respektohet fjala e lirë, por ndonjëherë edhe teprohet me marrjen e fjalës, nga 2-3 herë e më shumë, prandaj imponohet kërkesa për respektimin e rregullores së punës.
Përndryshe, Bunjaku-Rexhepi u shpreh e kënaqur edhe me transparencën e organeve komunale kundrejt publikut, duke thënë se gjithçka është punuar në harmoni me ligjin dhe asnjë vendim nuk është kthyer nga MAPL-ja.
Kryesuesja e Kuvendit Komunal ka vlerësuar angazhimet edhe të grupeve politike në vendimmarrje, duke thënë se këshilltarët e LDK-së e kanë dhënë maksimumin e tyre në detyrimet që kanë kundrejt qytetarëve. Kontributin e tyre e kanë dhënë edhe këshilltarët e AAK-së, si pjesë e koalicionit qeverisës.
“LDK-ja nuk i ka problem numrat në Kuvend Komunal, por kryetari Lutfi Haziri ka treguar vullnet për të ndarë qeverisjen, për të respektuar vlerat edhe të partive tjera”, ka thënë Bunjaku-Rexhepi.
Ajo ka falënderuar për bashkëpunim edhe opozitën, por ka kërkuar prej saj që të respektojë gjuhën parlamentare dhe të përmbahet nga fjalët denigruese ndaj anëtarëve tjerë, ndaj asaj si kryesuese dhe ndaj kryetarit të Komunës.
“Nëse ofendimet përsëriten, do të jem e detyruar të marrë veprime sipas rregullores së punës”, ka thënë Bunjaku-Rexhepi.
Roli i opozitës do të respektohet maksimalisht, edhe propozimet e saj gjithashtu, por ne nuk mund ta ndryshojmë vazhdimisht një rend pune që është përcaktuar më parë, vetëm pse insiston opozita.
Ajo e ka komentuar edhe rastin e këshilltarit Srgjan Mitroviq, i cili njëkohësisht është emëruar edhe në krye të strukturave paralele, duke thënë se Kuvendi Komunal i ka ndjekur procedurat ligjore dhe tani, pas përgjigjes nga MAPL, është në pritje të vendimit të KQZ-së, për zëvendësimin e tij.
Ndërkaq, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, Bunjaku-Rexhepi ka mohuar të ketë qenë ndonjëherë provokative ndaj opozitës, duke thënë se në Kuvend Komunal, për mua, të gjithë anëtarët janë të barabartë dhe të tillë do të jenë edhe në të ardhmen, sepse janë përfaqësues të qytetarëve./rajonipress/