Vajzat e Sopës, njëra mohon e tjetra hesht

Të ftuara në Prokurorinë themelore, si të pandehura për vrasjen në bashkëveprim të babait të tyre, ish-zyrtarit për media të Qeverisë së Kosovës, Hamdi Sopa, dy vajzat e tij nuk kanë pranuar se kanë kryer vrasje.
Se nuk e ka vrarë babanë e saj e ka thënë Erna Sopa, vajza e vogël e Hamdi Sopës, derisa Artina Sopa, vajza tjetër e tij, ka refuzuar që të përgjigjet në pyetjet e prokurorit.
Dy vajzat e të ndjerit Sopa janë arrestuar një muaj më parë bashkë me nënën e tyre Teuta Sopa, si të dyshuarat e vetme për vrasjen e Hamdi Sopës. Ato dyshohet se kanë përdorur thikë kundër familjarit të tyre dhe të njëjtin e kanë hedhur nga kati i nëntë i banesës së tyre në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, shkruan zëri.
Një muaj pas arrestimit të tyre, tashmë kur tri të pandehurave iu është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë, prokurori themelor Blerim Isufaj ka nisur marrjen në pyetje të të pandehurave./Indeksonline/