Vajushi nervozoi kryetarin e Liteksit
Prej afro dy muajsh, Armando Vajushi pati marrëdhënie të acaruara me drejtuesit e Liteks Loveçit, ekipi ku mbylli vitin 2014. Përpara se klubi bullgar të jepte OK-in e transferimit të shkodranit te Kievo në Itali, mësohet se presidenti i Liteksit, Grisha Gançev, është tërbuar me veprimet që ka bërë lojtari.
Shpesh Vajushi kthehej në Shqipëri, teksa për disa ditë u stërvit edhe te Vllaznia në Shkodër, mirëpo ky fakt nuk mund të përtypej nga Gançev.
Burime të sigurta të “Panorama Sport” kanë treguar dje se bosi i Liteksit, një biznesmen i fuqishëm në Bullgari, aq shumë është acaruar me veprimet e lojtarit shkodran, saqë nuk ka ngurruar t’u telefonojë miqve të tij në Shqipëri për t’i bërë të ditur indirekt Vajushit se duhet të kthehej urgjentisht, pasi do t’i kishte punët pisk.
Mirëpo, me kalimin e ditëve, gjërat u sheshuan dhe nëpërmjet ndërmjetësve dhe menaxherit të lojtarit, klubi bullgar lëshoi terren, duke pranuar ofertën e Kievos. Dëshira e Vajushit ishte të largohej nga Liteksi, por klubi bullgar kërkonte që të fitonte sa më shumë nga shitja e tij, madje pretendonte 2 milionë euro.
Kur shkodrani firmosi për bullgarët në janar të vitit 2012, mësohet se një ndihmesë të madhe në këtë transferim dhanë ish-lojtarët e Kombëtares shqiptare, Alban Bushi e Altin Haxhi, të cilët njihen si miq të vjetër të presidentit Gançev. Në atë kohë, një rol të rëndësishëm luajti edhe mundësi shqiptar që garon për Bullgarinë, Elis Gur.


