Uji Dea

Ushtrime për dhënien e provimit në lëndën “Demokraci e shtet”

/ 8 minuta lexim

Nga Adriatik Kelmendi – Po, nuk kanë këtu fare tash pse të barrikadohen subjektet politike në pushtet e opozitë dhe të thonë se ne nuk dorëzohemi për shkak të presionit të palës tjetër dhe nuk do të veprojmë sipas kërkesave të tyre. Çështja Jablanoviq nuk guxon të heshtet dhe të futet nën tepih. Përndryshe, do t’i binte se në Kosovë mjafton të jesh i etnisë serbe, mund të ofendosh dhe të fyesh këdo që të teket, të thuash një gjysmë kërkimfaljeje dhe do të mund t’ia nisësh prej fillimit ditën tjetër.

PUSHTETI DHE OPOZITA kanë pasur shansin ta shfrytëzonin njëri-tjetrin për të vënë vijën e kuqe për ndikimin destabilizues të Beogradit në Kosovë dhe t’i jepnin fund episodit Jablanoviq. Jablanoviq edhe sot është ministër i Qeverisë së Kosovës, me shef faktik kryeministrin e Qeverisë së Serbisë, dhe shfrytëzon shansin për ta bërë të dështuar Kosovën.

Po, Jablanoviqi lirisht mund t’i krekoset sot Vuçiqit që ai për vetëm një muaj e gjysmë në Qeveri të Kosovës po ia del t’i përçajë më tepër shqiptarët sesa askush tjetër në 16 vjet të çlirimit.

Qeveria e Isa Mustafës ka pasur mundësinë që me të filluar të protestave të “Thirrjes së nënave” në Gjakovë, me argumentim të mençur, të bindë edhe vendet e Quintit se përse është me rëndësi që Jablanoviqi të shkarkohet – se me deklaratat e pamatura po ndikon që të acarohen marrëdhëniet ndëretnike përgjithësisht.

Duke mos e bërë këtë, lista “Srpska” (e themeluar pikërisht për të implementuar programin e ri të Qeverisë serbe që flet për ndarjen e Kosovës në dy krahina, në atë shqiptare dhe serbe) vetëm sa do ta shënojë gjithë situatën në një plus të madh për ta dhe do të vazhdojë me provokime të tjera.

Të shtunën, e sidomos të martën, megjithatë, nuk u përlesh askush tjetër, por u përleshën vëllezërit dhe motrat shqiptare, një vëlla në uniformën e policisë dhe motra në rolin e protestueses.

E për protestë ka pasur shumë arsye. Se kur të zgjedhurit e popullit të përfaqësuar në Qeveri dështojnë të adresojnë çështjet, atëherë atë s’ka përse të mos e bëjë populli, e s’ka përse të mos e shfrytëzojnë edhe partitë politike.

SIDOQOFTË, SI LDK dhe PDK që dështuan keq në rastin Jablanoviq (dhe “Trepça”) dhe nxitën reagimin me protesta të rrugë, ashtu dështoi lëvizja “Vetëvendosje”, e pasuar nga AAK-ja e NISMA me mënyrën e organizimit të protestës.

Të shtunën, derisa disa protestues thyen xhamat e ndërtesës së Qeverisë dhe të disa lokaleve përreth, të gjithë u distancuan dhe nuk morën përgjegjësi për vandalizmat. Kjo natyrisht se nuk u la pa u shfrytëzuar nga LDK-PDK, që të martën të rrethojë me barrikada hekuri e policë objektet qeveritare, meqë, sipas arsyetimit të tyre, dhuna nga grupe për të cilat askush nuk merr përgjegjësi sërish mund të përsërisë skenarin e njëjtë.

“Vetëvendosje”, thjesht, dështoi që t’ia merrte këtë argument nga duart e koalicionit qeveritar, siç kishte mundur ta bënte nëse protesta do të vazhdonte e qetë dhe e dinjitetshme. Për më tepër, me ultimatumin foshnjarak prej 15-minutash që Dardan Molliqaj ia dha policisë, iu dha atyre mjaft material LDK-së e PDK-së, material të bollshëm propagandistik për ta urdhëruar policinë që t’i shpartallojë protestat dhe ta akuzojë opozitën për tentimmarrje me dhunë të pushtetit.

Dhe dua të ndalem edhe pak për të shpjeguar përse ultimatumi ishte një çmenduri dhe miopi politike.

Është ndoshta krejt e panevojshme që të theksohet se nuk i takon një politikani, cilido që të jetë ai, t’i shqiptojë ultimatume ndonjë polici, pavarësisht nëse ai polic po bën ndonjë shkelje ose jo. E as argumenti tjetër, që nesër mund të vijë në një rrjedhë normale të ndërrimit të pushtetit edhe “Vetëvendosje”, AAK, ose NISMA në të njëjtën ndërtesë, e poshtë të jenë duke protestuar LDK e PDK, kurse këta policë të njëjtë të jenë duke i ruajtur të njëjtat institucione.

Mobi Casa

Ka një situatë edhe më të komplikuar e edhe më të ndjeshme njëkohësisht.

Nëse Kosova është shtet demokratik, ku shkarkimi i një ministri nuk kërkohet vetëm për shkak të etnisë së tij, por për shkak të punës që bën, atëherë në një të ardhme edhe ndonjë etni tjetër do të mund ta shfrytëzojë të drejtën e protestës në sheshin përballë Qeverisë së Kosovës. Dhe paramendojeni situatën kur nesër lista “Srpska” (të më ndjeni për krahasimin, por sipas ligjeve të Kosovës edhe ajo është organizatë politike e regjistruar në KQZ) do të protestojë para Qeverisë së Kosovës dhe do t’i japë ultimatum policisë që për 15 minuta t’i largojë barrikadat. Edhe ata mund të thirren njëjtë në të drejtën e shfrytëzimit të hapësirës publike për të protestuar dhe njëjtë mund të kërkojnë që rregullat e njëjta të shtetit të vlejnë si për protestën e organizuar nga partitë shqiptare, si ato serbe ose të komuniteteve të tjera.

A ka dikush që do të thoshte se policia do të duhej t’i bindej ultimatumit të listës “Srpska” dhe t’i linte ata që të kalonin rrethojat e institucioneve të Kosovës?! Hëm!

Besoj se demokraci shumë më të konsoliduara se Kosova i kanë shteruar me kohë këto dilema dhe kanë vendosur që të lejojnë të gjithë të protestojnë sa të duan e kur të duan, brenda rregullave të përcaktuara me ligj, por nuk lejojnë që protestuesit të kalojnë rrethojat e institucioneve vitale të shtetit. Për këtë arsye, p.sh. është e paimagjinueshme që dikush të tentojë të hyjë në hapësirën e Shtëpisë së Bardhë në Washington, ose atë të Parlamentit Britanik në Londër.

Tash, siç e tha edhe Jakup Krasniqi, “Vetëvendosje” ka bërë një gabim trashanik me ultimatumin, duke i krijuar hapësirë të pamerituar manovrimi Qeverisë dhe duke dëmtuar kredibilitetin e protestës.

Dikush në “Vetëvendosje” ose edhe nga AAK-ja e NISMA përfundimisht kanë nevojë që disa individëve që imponojnë hapa të këtillë të panevojshëm – si ultimatumi – që prishin kohezionin opozitar dhe zbehin arsyen fisnike të protestës t’u thonë: rrituni, aman!

Gafa të atilla vetëm sa çojnë ujë në mullirin e pushtetit, të cilët për vete e kanë bërë krejtësisht lloç punën me Jablanoviqin e “Trepçën”.

DHE, PO, NUK kanë këtu fare tash pse të barrikadohen subjektet politike në pushtet e opozitë dhe të thonë se ne nuk dorëzohemi për shkak të presionit të palës tjetër dhe nuk do të veprojmë sipas kërkesave të tyre.

Çështja Jablanoviq nuk guxon të heshtet dhe të futet nën tepih. Përndryshe, do t’i binte se në Kosovë mjafton të jesh i etnisë serbe, mund të ofendosh dhe të fyesh këdo që të teket, të thuash një gjysmë kërkimfaljeje dhe do të mund t’ia nisësh prej fillimit ditën tjetër.

Jo. Inatet politike anash, mosreagimi ndaj Jablanoviqit dhe futja e “Trepçës” në bisedimet Kosovë-Serbi, do të nënkuptojnë se Kosova nuk është shtet demokratik e i pavarur. Nuk është shtet demokratik, meqë paska standarde të dyfishta për zyrtarë shtetërorë me etni të ndryshme, dhe nuk qenka e pavarur, meqë qeveria në Serbi po mundka të vendosë për fatet e ndërmarrjeve në Kosovë.

E nëse këto nuk ndryshojnë, dhe shumica shqiptare do të mbesë duke u përleshur rrugëve, qoftë nga ana e policisë, qoftë nga protestuesit, fatkeqësisht vetëm një palë do të jetë duke fërkuar duart. Provokatorët si Jablanoviqi e Vuçiqi.

[email protected]
Twitter: @adriatikk