Ushtri edhe pa e “çelë” kushtetutën
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) mund të bëhet ushtri e mirëfilltë edhe pa e ndryshuar Kushtetutën, por vetëm duke i ndryshuar disa ligje. Kështu vlerësojnë ekspertët e çështjeve ligjore, por edhe ish-negociatorët kosovarë që kanë marrë pjesë në bisedimet e Vjenës.
Sipas tyre, nëse FSK-së i ndërrohet emri, atëherë duhet të ndryshohet Kushtetuta, në të kundërtën FSK-ja mund të fuqizohet në bazat e një ushtrie, vetëm duke i ndryshuar ligjet.
Analisti Mazllum Baraliu ka deklaruar se ka mundësi që FSK-së mos t’i ndërrohet emri tani dhe përmes ligjit për FSK-në të detalizohen ato çështje për të cilat po pretendojnë që t’i fusin në Kushtetutë përmes ndryshimit të saj.
Ai ka thënë se Kushtetuta nuk pengon që me ligj të rregullohen çështjet e armatës apo e FSK-së, ku hyjnë komponenti i mbrojtjes, i armatimeve e komponentë të tjera.(Zëri)


