Fundamenti

Ushtaraku amerikan thotë se në bisedimet Kosovë -Serbi duhet të përfshihet dikush i rangut të Richard Holbrooke

/ 3 minuta lexim

Ish-ushtaraku amerikan, Ben Hodges, i ka dedikuar një shkrim të gjatë përpjekjeve të Perëndimit për të zgjidhur problemin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai përveç që ka propozuar tre pika kyçe, se si do të duhej të shkohej drejt një marrëveshje të mirë finale, ka thënë se Perëndimit në mënyrë urgjente i duhet të angazhojë një diplomat të rangut të Richard Holbrook-ut, për të shtyrë Prishtinën dhe Beogradin drejt një marrëveshje finale.

“ Urgjentisht, Perëndimit i duhet një diplomat i respektuar për të marrë përsipër ‘diplomacinë fluturuese’, në këtë situatë, njëjtë sikurse roli që kishte pasur ambasadori Richard Holbrooke përgjatë arritjes së marrëveshjes Paqësore të Dejtonit. Dikush që mund të udhëheq këto negociata me ndjenjën e urgjencës dhe që ka mbështetje të fuqive të mëdha dhe atyre të rajonit, BE-së dhe aktorëve të tjerë kryesorë, sikurse Rumania, e cila ka një rol kyç, duke pasur parasysh pozitën e saj strategjike dhe ndërlidhjen që i bën rajonit me Detin e Zi”, ka shkruar Hodges, transmeton Gazeta Express.

Përveç kësaj ai ka propozuar edhe tre pika kyçe për palët, se si duhet veprojnë në raport me Kosovën dhe Serbinë në dialog.

Hodges thotë se Perëndimi duhet t’iu jap hapësirë Vuçiqit dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për të biseduar, negociuar dhe për të arritur një kompromis. Sipas tij Perëndimi duhet të ndalojë së vendosuri vija të kuqe dhe së mësuari këta dy liderë.

Mobi Casa

Pika e dytë për të cilët flet Hodges janë zgjidhjet e problemeve të rajonit, duke përmendur këtu marrëveshjen ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë për emrin. Ai thotë se edhe përkundër përpjekjeve të Rusisë për të bllokuar një gjë të tillë, dy shtetet kanë arritur të merren vesh, duke garantuar kështu një të ardhme më të mirë për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

“Konflikti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sigurisht që është më i vështirë për t’u zgjidhur, por kjo iu jep Vuçiqit dhe Thaçit një mundësi për të treguar kurajë se janë të gatshëm të dalin me një zgjidhje të tyren. Ata do të jenë ata që do të jetojnë me pasojat”, shkruan ndër të tjera ish-ushtaraku amerikan në një shkrim autorial.

Si pikët kyçe të fundit, Hodges thotë se është shkëputja e plotë e Serbia nga Rusia. Ai thotë se Vuçiqi duhet të ndalojë së shndërruari shtetin e tij në një Kubë apo Venezuelë të Evropës Juglindore, që dinë të jenë vetëm satelit të Rusisë.

“ Vuçiqi ka nevojë për disa opsione strategjike për Serbinë, në vend se të shndërrohet Kuba apo Venezuela e Evropës Juglindore, një satelit që i nënshtrohet vetëm Kremlinit, e që nuk do të sjellë përfitime afatgjate për qytetarët. Në të vërtetë Serbia duhet të bëhet më e përgjegjshme, dhe të stabilizojë rajonin duke arritur një marrëveshje me Kosovën”, ka shtuar ndër të tjera Hodges.

Ndër të tjera ish-ushtaraku amerikan ka përmendur edhe vështirësitë për arritjen e një marrëveshje, duke përmendur edhe veprimet e Serbisë dhe Kosovës të cilat e kanë bllokuar dialogun./GazetaExpress/