Mobi Casa

Ushqimi, diçka më i mirë

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Cilësia e ushqimeve që importohen apo prodhohen në Kosovë është përmirësuar, por ende mbetet larg vendeve fqinje. Një hulumtim i STRAS tregon se në krahasim me vëllimin e madh të ushqimit të importuar, sasia e artikujve të dyshimtë është zvogëluar.

Problem mbetet informimi i qytetarëve për cilësinë, ndërsa rrezik i përhershëm janë mallrat e kontrabanduara që nuk i nënshtrohen asnjë kontrolli.

Kosovarët nuk e kanë të lehtë të zgjedhin çfarë të konsumojnë. Dyshimi për cilësinë e produkteve duket se po ua vështirëson së tepërmi të vendosin se cilat produkte dhe ushqime t’i marrin e cilat jo.

Por të dhënat e hulumtimit të Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, STRAS japin një shpresë së në aspektin e cilësisë dhe sigurisë së ushqimeve gjërat po ecin për të mbarë.

Cilësia e ushqimeve që importohen apo prodhohen në Kosovë sipas STRAS ka ardhur duke u rritur, por ende mbetemi larg vendeve fqinje të cilat kanë avancuar drejt standardeve më të larta.

Ky ishte edhe konkluzioni i përbashkët i përfaqësuesve të institucioneve, bizneseve dhe shoqërisë civile, në konferencën e organizuar nga STRAS dhe hulumtimit “Çfarë ushqimi konsumojmë”, ku u diskutuan për efikasitetin e mekanizmave për kontroll në Republikën e Kosovës.

Kreu i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës, Valdet Gjinovci, vlerëson se baza ligjore është e kompletuar dhe kjo u jep mundësinë që të luftojnë këto dukuri me një efikasitet të shtuar.

“Si shërbim jemi në dispozicion gjatë 24 orëve dhe pjesë e çdo ekipi ku doganohen mallrat që hyjnë në Kosovë. Në këtë kuadër vlen të theksohet se kemi rritur dukshëm aktivitetin drejt parandalimit të hyrjes dhe shitjes së mallrave me origjinë të dyshimtë”, ka thënë Gjinovci.

Megjithatë, edhe në hulumtim është gjetur se segment më pak i angazhuar janë inspektoratet komunale, të cilat kryesisht veprojnë në bazë të informacioneve nga qytetarët. Kjo për shkak se me ligjet në fuqi, të gjitha kompetencat si në kufi ashtu edhe brenda Kosovës në kontrollin dhe asgjësimin e ushqimeve të dyshimta kanë kaluar në nivelin qendror.

Ibrahim Rexhepi, drejtor ekzekutiv i STRAS, theksoi se në përgjithësi mund të thuhet se cilësia e ushqimeve që qarkullojnë në treg është e standardeve të lejueshme, ndërsa rrezik i përhershëm janë mallrat e kontrabanduara. Sipas tij ato janë jashtë kontrollit, si në kufi, ashtu edhe në tregun brendshëm.

Ai tregon se gjatë hulumtimit kanë vërejtur se në krahasim me vëllimin e madh të ushqimit të importuar, sasia e artikujve të dyshimtë ka ardhur duke u zvogëluar.

“Agjencia e Ushqimit dhe i Veterinës sivjet ka asgjësuar rreth 1,1 milionë kilogramë artikuj ushqimorë. Sasia e artikujve të asgjësuar është në rritje dhe kjo tregon për kontrollin e përforcuar, por edhe rritjen e vëllimit të qarkullimit”, është shprehur Rexhepi.

Fundamenti

Sipas tij, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike kontrollon produktet e 52 prodhuesve në vend. Në hulumtim janë gjetur se nga 4.062 mostra të kontrolluara të ushqimit, vetëm 3,79 për qind të tyre nuk ishin në përputhje me standardet, si edhe 7,9 për qind nga 4.750 mostra të ujit.

Ndërkaq, Dogana e Kosovës , në periudhën 2010-2012 nga 6,2 miliardë euro sa ishte importi, ka asgjësuar mallra ushqimore me vlerë 3.045.963 euro, ku pjesën më të madhe e përbëjnë vezët, mielli, sheqeri, qumështi dhe produktet e tij, si edhe mishi dhe produktet e tij.

Tashmë në Kosovë për t’u kujdesur për cilësinë e produkteve dhe shërbimeve që nga viti 2010 është themeluar edhe “Kosova Halal Institute”, i vetmi institucion i autorizuar për certifikimin në bazë të standardit “Halal”.

Sipas drejtorit të saj, Islam Hasani, kërkesa për produkte hallall është rritur në masë të madhe në botë dhe ka një trend pozitiv edhe në Kosovë.

Hasani tregon se tashmë janë në fazën e certifikimit të tri kompanive vendëse me këtë standard, që është një garanci shtesë për konsumatorët se produktet janë cilësore.

Të hënën në mënyrë të veçantë është diskutuar për domaten pa fara si dhe margarinën Vital.

Për këtë të fundit janë paraqitur dyshime në përbërësit, në këtë rast emulgatorët për të cilët ka vlerësime të ndryshme.

Në hulumtim del se Aditivi E471 i gjetur në margarinën “Vital” është i lejueshëm, meqenëse prodhuesi i tij nga Danimarka ka certifikatë “Halal”.

Vlerësimi si Halal për këtë emulgator është atëherë kur ka prejardhje nga bimët dhe kështu është i lejueshëm, kurse nga shtazët jo.

Si rasti më i freskët i produkteve të dyshimta në treg është ai i misrit nga Serbia, shitja e të cilit është ndaluar për shkak të dyshimit se është i kontaminuar. Prania e materialit helmues fillimisht në këtë produkt u konstatua nga ndërmarrja për kontrollin e cilësisë së këtij shteti.

Sipas OJQ Konsumatori, të njëjtat probleme kanë shfaqur, megjithëse në përmasa më të vogla edhe drithërat nga Hungaria, Rumania, Bullgaria, shtete ku kryesisht furnizohet Kosova.(express)