Uji Dea

Ushqimet “stres” dhe “antistres”

/ 9 minuta lexim
Uji Dea

Disa ushqime duhet t’i shmangni nëse nuk dëshironi të vuani nga stresi. Ne po ju “servirim” ato antistres…

Stresi e ka shfaqur kudo “fytyrën” e tij të shëmtuar: në punë, në shtëpi, në marrëdhëniet personale, madje dhe në kuzhinë për shkak të ushqimeve jo të mira që disa prej nesh hanë. Stresi shfaqet si pasojë e reagimeve tona ndaj ngjarjeve në jetë.

Zgjedhjet e duhura të ushqimeve që hamë mund ta ndihmojnë së tepërmi trupin që ta përballojë stresin sa më mirë. Pra ne mund ta kontrollojmë stresin më mirë nga sa mendojmë. Thelbi është se stresi çliron vrullshëm në gjak substanca toksike që na bëjnë të lodhur, të acaruar dhe të zemëruar. Stresi e zbraz trupin nga vitaminat, mineralet dhe lëndët e tjera ushqyese. Ai dëmton funksionin tretës dhe ngadalëson metabolizmin dhe kjo të çon drejt shtimit të peshës.

Megjithatë, lajmi i mirë është se t’i mund të bësh diçka për këtë. Ne mund t’i ulim reagimet tona ndaj stresit. Mundemi edhe të përmirësojmë mënyrën e jetesës për të përmirësuar biokiminë dhe fiziologjinë që ta përballojmë stresin me lehtë. Në vend që të hash ushqime të kota kur stresohesh, mund të zgjedhësh ushqime antistres dhe të shëndetshme të cilat e qetësojnë trupin tënd.

USHQIMET QË STRESOJNË

Disa ushqime dhe pije veprojnë si stimulues të fuqishëm për trupin dhe për këtë arsye janë shkaktari kryesor për stresin. Ky stimulim e stërlodh mëlçinë, çorodit nivelet e sheqerit në gjak dhe pas një kohe bëhet i dëmshëm. Ja se cilat janë disa nga ushqimet të cilat shkaktojnë stres:

1-Kafeina

Këtë e gjejmë te kafja, çaji, çokollatat, coca cola etj. Ajo shkakton çlirimin e adrenalinës dhe kështu e rrit nivelin e stresit. Ata që kanë varësi ndaj kafeinës i rraskapitin gjëndrat adrenale që prodhojnë hormone të lidhura me stresin. Këto hormone të lidhura me stresin ndikojnë te metabolizmi. Kështu, pas një kohe të gjatë kafeina të shkakton shtim në peshë, sidomos nëse kombinohet me dietë të keqe. Konsumimi me tepri i kafeinës ka të njëjtat efekte sikurse stresi i tejzgjatur.

2-Alkooli

Është një nga shkaktarët kryesorë të stresit. Ironia këtu qëndron se shumë njerëz fillojnë të pinë, sepse e quajnë si një mënyrë për të luftuar stresin. Alkooli dhe stresi të kombinuar janë vrasës. Alkooli stimulon sekretimin e adrenalinës, që rezulton të sjellë probleme të tilla si tension nervor, acarim dhe pagjumësi. Alkooli me tepri rrit depozitat e dhjamit rreth zemrës dhe dobëson imunitetin. Alkooli gjithashtu kufizon aftësinë e mëlçisë për të larguar toksinat nga trupi. Gjatë gjendjes së stresit, trupi prodhon disa toksina. Në mungesë të filtrimit të tyre nga mëlçia, këto toksina vazhdojnë të qarkullojnë nëpër trup dhe sjellin pasoja të rënda.

3-Ëmbëlsirat

Sheqeri nuk ka vlera ushqyese esenciale. Ai i jep trupit një shtysë energjie që zgjat pak dhe kështu mund t’i stërlodhë gjëndrat adrenale. Kjo rezulton në gjendje acarimi, përqendrimi të dobët dhe depresioni. Konsumimi i tepërt i sheqerit e ngarkon shumë pankreasin. Ekziston mundësia e zhvillimit të diabetit.

4-Ushqimet e kripura

Kripa rrit tensionin e gjakut, varfëron gjëndrat adrenale dhe shkakton paqëndrueshmëri emocionale. Më mirë është të përdorësh zëvendësues të kripës që ka potasium në vend të atij me sodium. Shmangni ushqimet e përpunuara me shumë kripë si proshutën, pastërmanë, salsiçet, turshitë etj.

5-Ushqimet me yndyrë

Shmangia konsumimit të ushqimeve me yndyra të ngopura si ushqime me origjinë shtazore, prodhimet e bulmetit, ushqimet e fërguara dhe ushqimet e zakonshme të shpejta. Yndyra e lodh sistemin kardiovaskular.

6-Qumështi i lopës dhe prodhimet e bulmetit

Këto e stresojnë trupin, sepse përmbajnë proteinën kasein, shumë e vështirë për t’u tretur nga qeniet njerëzore dhe mund të ngacmojë alergjitë.

7-Mishi i kuq

Ai është i pasur me shumë proteina, të cilat rrisin në tru nivelin e dopaminës dhe norepinefrinës. Që të dyja këto substanca janë të ndërlidhura me nivele të larta të ankthit dhe stresit.

8-Ushqimet e rafinuara dhe të përpunuara

Këto ushqime të tilla si mielli i bardhë i rafinuar dhe buka e bardhë e stresojnë trupin, sepse janë të varfra në vlera ushqyese dhe të pasura me kalori të kota. Për më tepër, trupit i duhet të përdorë vitaminat dhe mineralet e tij që t’i tresë këto ushqime. Ushqimet të cilat përmbajnë miell të bardhë janë tortat, biskotat, buka dhe pjekurinat…

9-Margarina dhe vajrat e tjerë vegjetalë

Këto janë të pasura me acide yndyrore të hidrogjenizuara dhe një dietë e pasur me këto lloje acidesh mund të ndikojë negativisht te kolesteroli duke rritur rrezikun për sëmundje të zemrës.

10-Ushqimet pikante

Këto përmbajnë esenca vajore që acarojnë cipën e stomakut. Specat djegës dhe salcat me speca djegës që përdoren në ushqime dhe disa pije meksikane është më mirë të shmangen. Një ushqim i tillë mund të krijojë edhe vrimë në cipën e stomakut.

11- Aditivet, konservantët dhe kimikatet e tjera

Uji Dea

Aditivet e stresojnë shumë trupin, sepse trupit i duhet të punojë më shumë për t’i përpunuar dhe për rrjedhojë, ai shpenzon energji dhe lëndë ushqyese që mund të ishin përdorur më mirë, për shembull për të forcuar sistemin imunitar.

USHQIMET QË LARGOJNË STRESIN

1-Selinoja

Ka përdorim edhe si bar popullor për të ulur tensionin e gjakut. Përbërësit e selinos reduktojnë përqendrimin e hormoneve të stresit që shkaktojnë ngushtimin e enëve të gjakut. Selinoja përmban vlera ushqyese që qetësojnë, ndër to edhe niacineimide. Një kërcell selinoje para se të flini, mund të përmirësojë edhe gjumin tuaj.

2-Fara luledielli

Ato jo vetëm që janë burim i pasur i potasiumit, por janë të pasura edhe me vitamina B dhe zink, që luajnë një rol të rëndësishëm mbi gjëndrat adrenale. Ka prova që dëshmojnë se gjatë periudhave të stresit, nivelet e këtyre lëndëve ushqimore mund të bien në mënyrë drastike.

3-Orizi kaf

Është një karbohidrat që përthithet ngadalë dhe ngacmon trupin që të çlirojë kimikate, të cilat ju bëjnë të ndiheni mirë, serotoninën dhe norepinefrinën. Ai ju ndihmon të përballoni stresin më mirë duke ju përmirësuar gjendjen e humorit dhe duke ju dhënë shpërthime të qëndrueshme të energjisë.

4-Algat

Hormonet trupore që ju bëjnë të ndiheni mirë, serotonina dhe norepinefrina mund të përftohen edhe nga triptofani dhe L-fenilalanina. Algat përmbajnë rreth 60 për qind proteina dhe tetë aminoacide esencial. Algat kanë një efekt që i jep energji mëlçisë dhe lehtëson largimin e toksinave duke ulur kështu nivelin e stresit në trup.

5-Lakra

Është burim i mirë i vitaminave që largojnë stresin, si A, C, E, beta karotine dhe mineralin selenium. Antioksiduesit e luftojnë efektin dëmtues të radikaleve të lira që trupi juaj i çliron si reagim ndaj stresit dhe ato ndihmojnë gjithashtu për të shndërruar triptofanin në serotoninë, pra luajnë rolin e tyre në përmirësimin e humorit.

6-Bajamet

Janë të pasura me magnez, që është posaçërisht i rëndësishëm për të mbështetur funksionin adrenal, si dhe metabolizmin e acideve yndyrore esenciale. Nivelet e ulëta të magnezit ndërlidhen me gjendje nervoziteti, ankthi, acarimi dhe pagjumësie.

7-Manaferrat

Të zezat janë të pasura me magnez dhe vitamin C. Pamjaftueshmëria e vitaminës C e dobëson imunitetin tuaj dhe bën që të ndiheni më të stresuar dhe më të lodhur. Burim tjetër ushqimor i vitaminës C dhe magnezit janë luleshtrydhet dhe mjedrat.

8-Farat e susamit

Nevoja për zink rritet gjatë periudhave të stresuara dhe ai është i rëndësishëm për metabolizmin e acideve yndyrore esenciale dhe për prodhimin e serotoninës. Farat e susamit janë një burim i mirë i zinkut.

9-Kastravecët

Në Angli është një shprehje e vjetër ‘e freskët si kastravec’ dhe kjo është krejtësisht e vërtetë për shkak të efektit freskues dhe qetësues që kastraveci ka te gjaku dhe mëlçia. Kur mëlçia është e mirëushqyer dhe nuk është e tejnxehur, ky organ kyç ndihmon për balancimin e hormoneve, përmirëson gjendjen e humorit, e mund stresin dhe siguron shëndet të mirë. Provoni të pini lëng kastraveci dhe selinoje.

10- Shpargulli

Shumë nga elementet që forcojnë mëlçinë, veshkat, lëkurën ligamentet dhe kockat gjenden te shpargulli. Ai ndihmon edhe në krijimin e rruazave të kuqe të gjakut dhe është i pasur me enzimën antioksiduese glutation, e cila ndihmon që mëlçia të funksionojë si është më mirë për të. Gjithçka që ndihmon pozitivisht te mëlçia juaj ndikon pozitivisht te gjendja e humorit dhe aftësia juaj për të përballuar stresin.

11-Hudhra

Është përdorur prej kohësh për të kuruar ftohjet dhe gripin. Hudhra përmban një kimikat detoksifikues që quhet alicin. Alicina ka fuqi antivirale dhe antimyk, si dhe aftësinë të ulë kolesterolin, tensionin e gjakut dhe të përmirësojë gjendjen e humorit.

12-Avokadot

Këto përmbajnë 14 minerale, të cilat rregullojnë funksionet trupore dhe stimulojnë rritjen. Me vlerë të lartë është përmbajtja e tyre me bakër dhe hekur që ndihmojnë në rigjenerimin e rruazave të kuqe të gjakut dhe parandalon aneminë e shkaktuar nga kequshqyerja, një faktor i cili shkakton lodhje dhe paaftësi për të përballuar stresin.