Ushqimet, që shkrijnë yndyrën i keni në kuzhinë

Ndoshta e keni të njohur faktin se konsumimi i ushqimeve me shumë kalori, bashkë me mungesën e aktiviteteve fizike shkaktojnë çekuilibrin e metabolizmit, që dërgon drejt mbipeshës. A nuk do të ishte e mahnitshme të hani ushqimet, që ndihmojnë të humbni në peshë?
Ndoshta në shikim të parë kjo nuk ka kuptim, por do të befasoheni se sa shumë këto ushqime ju ndihmojnë në këtë drejtim, transmeton gazeta Kosova Sot.
SPECAT PIKANTË
Kapsaicina, substancë në specat pikantë, stimulon trupin për të shkrirë energjinë dhe për të krijuar nxehtësi. Në trupin tonë, qelizat e bardha yndyrore e ruajnë energjinë dhe qelizat ngjyrë kafeje të yndyrës janë termogjenike, prodhojnë nxehtësi duke e shkrirë yndyrën. Një studim nga viti 2015 sugjeron që rritja e kapsaicinës në ushqim stimulon termogjenezën dhe shtyn qelizat e bardha yndyrore të sillen si qeliza ngjyrë kafeje të yndyrës.
PIPERI I ZI
Piperina, substancë kjo që e hasim në piperin e zi, ka efekt termik dhe mund të jetë përgjegjës për shkrirjen e disa qelizave yndyrore. Kështu, piperi i zi jo vetëm se ndikon të humbni në peshë, por edhe i shton shije ushqimit tuaj.
HUDHRA
Sikurse dhe xhenxhefili, hudhra me shijen e saj, përmban substancë që e rrit termogjenezën në indin dhjamor ngjyrë kafeje. Përdorni sa më shumë thelpinj të hudhrës dhe shijoni vetitë shëruese, që i ofron, duke e përfshirë në ushqim, gjellë dhe nëpër salcë të ndryshme.
MUSTARDA
Mustarda përmban substanca të gjetura edhe në ushqimet e tjera pikante, në veçanti përmban substancën kapsaicinë, që jo vetëm se ia dhuron shijen e veçantë, por gjithashtu ndihmon në rritjen e temperaturës së trupit, kur ta keni konsumuar. Shtoni një lugë mustardë në salcën e sallatës.
ÇAJI I GJELBËR
Studimet kanë treguar se kafeina dhe polifenolet e katehinës, të gjetura në çajin e gjelbër e stimulojnë punën e metabolizmit, duke rritur numrin e kalorive që do të shfrytëzohen nga trupi. Kështu, kjo e promovon humbjen në peshë, kur kombinohet me ushqim të shëndetshëm dhe të ekuilibruar, duke mos lënë anash edhe ushtrimet fizike.
XHENXHEFILI
Edhe xhenxhefili përmban substancën kapsaicinë, përgjegjës për shijen pikante. Konsumimi i xhenxhefilit në ushqim, të papërpunuar, të freskët apo në formë të pluhurit, e shpejton metabolizmin falë prodhimit të nxehtësisë. Studimet dëshmojnë se xhenxhefili redukton ndjenjën e urisë dhe ndihmon ta menaxhoni peshën.
(Kosova Sot)