RCCOLA

Ushqimet që ju freskojnë gjatë verës

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Nëse e keni të vështirë të përballoni të nxehtin veror, e pajisjet ftohëse ju freskojnë vetëm shkurtimisht, atëherë ndryshoni mënyrën e të ushqyerit. Në vijim ju sjellim listën e ushqimeve, që me sukses ju freskojnë.

SHALQIRI, PJEPRI, QERSHITË, KAJSITË

Nutricistët sugjerojnë të hani gjatë verës sa më shumë pemë dhe perime të pasura me ujë. Në këtë listë para së gjithash gjendet shalqiri, e cila paraqet freskimin ideal veror. Ajo është e ëmbël dhe e lëngshme, e 90 për qind e saj është ujë. Shalqirin mund ta përgatisni edhe si sallatë të lëngshme. Pos shalqirit, hani sa më shumë qershi, pjepër, kajsi dhe pemët tjera sezonale. Të gjitha pemët sezonale kanë sasi të mjaftueshme me ujë dhe në këtë mënyrë e hidratoni trupin dhe më lehtë i përballoni të nxehtit.

DOMATET, TRANGUJT, KUNGULLESHKAT . . .

Sikurse edhe te pemët, e njëjta vlen edhe për perimet sezonale që janë të pasura me ujë dhe të cilat duhet t’i hani në sasi të madhe. Zgjidhni domatet, trangujt, specat dhe perimet e pasura me vitamina. Domatja është e pasur me likopen, që pos të tjerash është mbrojtje nga efektet e dëmshme të diellit, ndërsa trangujt janë ushqim ideal për ata persona që janë në dietë, sepse janë përplot me ujë dhe ju freskojnë. Pos tyre, gjatë verës përdorni dhe qepën e kuqe në sasi të mëdha, sepse ju mbron nga goditjet e të ngrohtit.

SALLATAT E FTOHTA ME MAKARONA

Mobi Casa

Nëse as gjatë të nxehtit më të madh nuk dëshironi të shmangni shujtat e ziera, përcaktohuni për sallatat e lehta me makarona, por të ftohta. Ato përgatiten lehtë, ju ngopin, e lehtë treten. Thjesht vloni makaronat dhe shtoni perime të copëtuara sipas shijes tuaj, e mund të shtoni edhe mish të pulës, pak proshutë, vezë të ziera. Erëzoni me erëza të preferuara, me pak vaj (më së miri vaj ulliri) dhe lëng limoni dhe dreka juaj është e gatshme.

SUPAT

Supat e shijshme, po ashtu janë zgjedhje e shkëlqyeshme për stinën e verës, sepse ju ndihmon ta kompensoni mungesën e lëngjeve. Mund t’i konsumoni për drekë ose për darkë,e me këtë rast nuk kanë pse të janë të nxehta, sepse ka receta të mjaftueshme edhe supa të ftohta, e më të mirat janë ato me perimet sezonale. Supa lehtëson tretjen, përshpejton tretjen dhe ndikon mire në organizmin në përgjithësi.

DESERTËT VERORË

Çokollatat dhe ëmbëlsirat gjatë të ngrohtit tropikal zëvendësoni me jogurt dhe pemë freskuese, akullore, të cilët me lehtësi mund t’i përgatisni në shtëpi. Jogurti është i shëndetshëm, sidomos ai me probiotik, i cili ju freskon, por edhe pakëson oreksin.