Ushqimet, që duhet konsumuar këtë dimër

Gjatë dimrit kemi nevojë për ushqime të pasura me vitamina dhe përbërës të tjerë të dobishëm.
GJEL DETI
Gjeldeti ka mish pa dhjamë, të pasur me proteina, prandaj është bërë sinonim i të dielave të dimrit, sidomos i drekës së Kërshëndellave. Ky mish është burim i mirë i vitaminave B (duke përfshirë edhe i B6 dhe B12), të cilat nevojiten për ta shndërruar ushqimin në energji. Përmban edhe minerale, sikur p.sh. selen dhe zink, që janë të dobishme për sistemin imunitar.
KANELLA
Kjo mëlmesë dimërore zakonisht shërbehet me karafila, arrëmyshk dhe me mëlmesa të tjera ‘ngrohëse’. Kanella e bluar është burim i mirë i kalciumit dhe hekurit, minerale që kanë rëndësi për sistemin imunitar.
KUNGUJT
Këto perime janë të përshtatshme për t’u shtuar në supa, por edhe të piqen në furrë, apo të zihen. Ngjyra e çeltë e portokalltë e kungullit vjen nga përbërësi i quajtur beta karotinë, i cili është një antioksidues i fuqishëm, që zvogëlon radikalet e lira, të cilat e dëmtojnë organizmin. Beta-karotina më pas konvertohet në vitaminë A, e cila është e dobishme për lëkurë, sy dhe imunitet.
PESHQIT SALMON
Gjatë dimrit, 40% të njerëzve kanë nivel të ulët të vitaminës D, e cila është esenciale për shëndetin e eshtrave, për imunitet dhe ndihmon te çrregullimet mendore sezonale. Mjaftojnë dy shujta peshk në javë për ta arritur këtë.
KARÇOFI
Këto perime të vogla janë sezonale gjatë dimrit dhe mund të përdoren në shumë mënyra, sikurse edhe patatet. Karçofi i Jerusalemit përmban më shumë hekur sesa llojet e tjera, por ka edhe inulin, që është një lloj i fibrave të patretshme, që vepron si probiotik në zorrë.
MOLLËT
Gjatë dimrit kemi në dispozicion lloje të ndryshme të mollëve. Këto pemë përmbajnë sasi të lartë të pektinës, e cila është një fibër e tretshme që lidhet me kolesterolin, duke e larguar atë nga organizmi.
(Kosova Sot)