Ushqimet më të mira vjeshtore që duhet t’i konsumoni përditë

Qëndroni në formë të mirë edhe gjatë vjeshtës. Nuk ka pse të jetë stinë e ajvarit dhe ushqimit të yndyrshëm, pasi vjeshta ka shumë artikuj të tjerë që janë të hatashëm për dukjen dhe shëndetin.
Kungujt
Kungujt janë të shëndetshëm, pos shijes së ëmbël, janë shumë ushqyes, mund të konsumohen në variantin e ëmbël dhe të njelmët dhe mënyra të ndryshme. Mund t’i piqni, t’i zieni, të përgatisni supë të trashë, pure apo ëmbëlsirë. Ajo që është më me rëndësi është se shërbejnë si antioksidues, përmbajnë kalcium, hekur dhe vitaminë C dhe janë përplot me betakarotinë.
Mandarinat
Pos se pastrojnë mushkëritë, mandarinat e përmirësojnë tretjen, si dhe e mbrojnë zemrën. Janë të pranishme kudo, ndërsa edhe çmimi i tyre është i lirë, e prej tyre mund të përgatisni ëmbëlsira të ndryshme dhe lëngje. Edhe pse më të shëndetshme janë të freskëta, po ashtu mund t’i kombinoni edhe me badem dhe mjaltë, si zamër.
Specat e kuq
Përmbajnë rreth 92 për qind ujë dhe janë burim për vitaminat A, C dhe B6. Po ashtu, specat e kuq në vete përmbajnë më shumë vitaminë C në krahasim me portokajtë, kështu që shihen si një super- ushqim. Mund t’i piqni në furrë me hudhër dhe vaj ulliri apo nga specat e freskët të përgatisni sallatë të pasur.
Gështenjat
Përpos se janë ushqyese, gështenjat ndihmojnë edhe te anemia dhe e përmirësojnë qarkullimin e gjakut. Mund t’i konsumoni në formën e pjekur apo edhe të ziera, prej tyre mund të përgatiten ëmbëlsira të ndryshme derisa nga pureja e tyre përgatiten edhe shtesa për akullore. Kombinohen mirë me mish, kërpudha dhe kunguj.
Preshi
Me presh mund të përgatiten gjellë dhe ushqime të shumta, supë, sallata të ndryshme dhe salcë për mish. Ashtu siç edhe duket, e vëreni se preshi vjen nga familja e qepës dhe hudhrës, kështu që përmban shumë përbërës që ndikojnë si antibiotikë natyralë, që e forcojnë sistemin imun dhe sistemin kardiovaskular.
(Kosova Sot)