Hidromorava

Ushqimet më të dobishme për mushkëri të shëndetshme

/ 3 minuta lexim

Mushkëritë tona kanë rëndësi të madhe për ne, pa marrë parasysh moshën, prandaj shëndeti i tyre është njëkohësisht edhe shëndeti ynë i përgjithshëm. Ja ushqimet më të dobishme për mushkëri.

UJI

Uji është esencial për trupin e njeriut, në shumë aspekte. Kur flitet për mushkëritë, uji ndihmon që ato të jenë të lagështa dhe të mos irritohen. Sasia e ujit që çdo person duhet ta pijë çdo ditë, varet nga madhësia e trupit. Pastaj, varet nga ajo çka hamë, a ushtrojmë apo jo, etj. Sido që të jetë, mundohuni që të pini deri në 2 litra ujë në ditë.

KAJSITË

Kajsitë nuk janë vetëm aq të shijshme, por ato përmbajnë edhe një sasi solide të antioksiduesve dhe vitaminës A. Antioksiduesit janë të rëndësishëm meqë i mbajnë mushkëritë të shëndosha dhe e ulin rrezikun nga paraqitja e kancerit të mushkërive. Ato janë të dobishme edhe për trajtimin e astmës, e cila është sëmundje e shpeshtë e mushkërive.

MOLLËT

Shkencëtarët, të cilët kanë studiuar 2,500 banorë të Uellsit, të moshës nga 45 deri 59 vjet, kanë konstatuar se ata që kishin ngrënë pesë a më shumë mollë në javë, kishin mushkëri më të shëndosha. Testi është bërë duke përcaktuar kapacitetin e mushkërive. Mollët përmbajnë një sasi të madhe të antioksiduesit të quajtur kuercetinë, i cili është i dobishëm për mushkëri, duke parandaluar edhe paraqitjen e kancerit.

Uji Dea

FASULET

Fasulet përmbajnë një substancë që quhet thartirë fitike (IP6). IP6 është parë se e zvogëlon rrezikun nga paraqitja e kancerit dhe e ndihmon trajtimin e tij, si në mushkëri, po ashtu edhe gjetiu. Fasulet janë të pasura edhe me antioksidues, të cilët luftojnë radikalet e lira në organizëm. Radikalet e lira mund të shkaktojnë kancer të mushkërive dhe gjetiu.

MANAFERRAT

Manaferrat janë të pasura me antioksidues, në fakt ato janë ndër ushqimet më të pasura me antioksidues. Manaferrat po ashtu janë provuar edhe për trajtimin e kancerit të mushkërive te femrat, ku është parë se ato e zvogëlojnë nivelin e estrogjenit, i cili hormon e ushqen tumorin e mushkërive. Edhe rrushi dhe dredhëzat kanë ndikim të ngjashëm.

ARRAT

Arrat përmbajnë një formë të vitaminës E të quajtur gama-tokoferol. Kjo vitaminë është parë se ndihmon në luftimin e kancerit të gjirit, prostatës dhe mushkërive, duke i bërë kështu arrat edhe një ushqim tepër të dobishëm për mushkëritë. Arrat po ashtu janë burim i mirë i thartirave yndyrore omega-3, të cilat janë të rëndësishme për shëndetin e përgjithshëm.