USAID-i amerikan dhe Logos-i zviceran donatorët më të mëdhenj në Kllokot

Viti – Vetëm USAID -i amerikan në këtë komunë gjatë vitit 2011 dhe 2012 ka dhënë kontributin e vet në shumën prej rreth 200 mijë eurosh si dhe projekti Logos i qeverisë zvicerane në shuma relativisht të larta të investimeve, të cilat për këtë komunë të re janë shumë domethënëse thotë Refik Halili.
Autoritetet e Komunës së Kllokotit në krye me kryetarin Sasha Mirkoviq, gjithnjë e me shumë po tregojnë afirmimet e dukshme duke u lehtësuar jetën qytetarëve të kësaj komune në pjesën e Anamoravës.
Kështu vetëm gjatë këtyre tri viteve të ekzistimit dhe funksionimit të kësaj komune, nga investimet kapitale të vitit 2011 dhe 2012 komuna ka arritur të bëjë renovimin e të gjitha shkollave në territorin e komunës,si dhe rregullimin dhe asfaltimin e rrugëve në mes fshatrave Mogillë-Vrbovc, shprehet nënkryetari i kësaj komune Refik Halili.
Halili tha se jemi duke e bërë asfaltimin e rrugës së qendrës së Kllokotit si dhe të gjitha rrugicave dhe është rregulluar ndriçimi publik në të gjitha fshatrat e kësaj komune, pastaj kanalizimin në fshatin Grnqar ndriçimin e rrugëve, ndërtimin e parkut të fëmijëve si dhe pastrimin e deponive.
Të gjitha këto arritje, Halili thotë se i kanë bërë duke iu falënderuar edhe organizatave ndërkombëtare si USAID-it amerikan dhe Marcy Corps, pastaj qeverisë zvicerane përmes projektit LOGOS si dhe MAPL-së dhe të qeverisë së Republikës së Kosovës, të cilat me donacione kanë ndihmuar në zhvillimin e jetës në përgjithësi në komunën të cilën ai e udhëheq .
“Duhet pohuar se vetëm USAID në këtë komunë gjatë vitit 2011 dhe 2012 ka dhënë kontributin e vet në shumën prej rreth 200 mijë eurosh si dhe projekti Logos i qeverisë zvicerane në shumë relativisht të larta të investimeve, të cilat për këtë komunë të re janë shumë domethënëse ‘’, është shprehur Halili.
Sipas tij Komuna e Kllokotit është sinonim i realizimit shumë të mirë të Pakos së Ahtisarit përmes formës së decentralizimit dhe njëherit shembull i bashkëjetesës dhe punës së përbashkët të të gjitha bashkësive që jetojnë në këtë komunë.
Por sipas tij kjo ndihmë nuk është e mjaftueshme .Halili apelon tek Qeveria e Kosovës, duke thënë se nevojitet një përkushtim më i madh në ndarjen e buxhetit për këtë komunë.
Pavarësisht kësaj, ai është i përkushtuar për angazhime edhe më të mëdha për zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës në këtë komunë , duke shtuar se në administratën e kësaj komune tani kanë projektuar disa projekte me vlerë të veçantë për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe krijimin e mundësive konkurruese për të gjithë ata që dëshirojnë të japin kontributin e vet tha Halili./rajonipress/