UBT

USAID dhe Komuna e Vitisë diskutuan për progresin dhe sfidat në kuadër të Agjendës së Kontratës Sociale

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Viti – Në sallën e Bibliotekës së qytetit në Viti, u mbajt sot një takim i organizuar nga USAID-i amerikan në kuadër të Agjendës së Kontratës Sociale. Në këtë takim morën pjesë udhëheqës të lartë komunal, grupe qytetarësh, dhe përfaqësues të USAID-it.

Në fjalën e tij hyrëse, zv.kryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu, theksoi rëndësinë e kësaj agjende në avancimin e demokracisë lokale dhe përfshirjen e qytetarëve në proceset vendimmarrëse.

Ai vlerësoi përkushtimin e USAID-it për të sjellë qasje të reja në qeverisjen lokale, duke përmendur se pjesëmarrja aktive e qytetarëve është çelësi për përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies në komuna.

Fatos Mustafa, këshilltar i Lartë për Qeverisje të aktivitetit nga USAID në kuadër të Kontratës Sociale, prezantoi një vështrim të përgjithshëm mbi aktivitetet që dalin nga Agjenda e Kontratës Sociale dhe prezantoi metodologjinë e re për monitorimin e zbatimit të saj.

Ai tha se komuna e Vitisë është në raundin e dytë, në mesin e 5 komunave të projektit Kontrata Sociale.

Uji Dea

Takimet e tilla, si ky që po e mbajmë sot, do të mbahen çdo tre muaj, në mënyrë që të vlerësohet progresi i zbatimit të agjendës së Kontratës Sociale, tha Mustafa duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve lokale dhe qytetarëve për të arritur synimet e përbashkëta.

Në vijim, Milihate Ajeti, drejtoreshë për Buxhet dhe Financa në Komunën e Vitisë, raportoi mbi progresin e arritur deri më tani në implementimin e buxhetimit me pjesëmarrje si një mekanizëm për përfshirjen publike.

Ajo përmendi sfidat me të cilat janë përballur gjatë procesit, si dhe hapat që do të ndërmerren për të përmirësuar më tej këtë proces.

Përfaqësuesit e Grupeve të Qytetarëve dhe zyrtarët komunal reflektuan mbi përvojat dhe rezultatet e arritura nga ky bashkëpunim, duke theksuar rëndësinë e një dialogu të vazhdueshëm për zgjidhjen e sfidave.

Në fund të takimit, u dhanë konkluzione konkrete mbi hapat e mëtutjeshëm që do të ndërmerren për implementimin e mëtejshëm të Agjendës së Kontratës Sociale, duke përfshirë një angazhim të shtuar për transparencë dhe llogaridhënie./rajonipress/