USAID dhe Artana inaugurojnë projektet ku përfitues janë qytetarët
Gjilan – Kryetari i Artanës, Bajrush Ymeri dhe drejtoresha për demokraci dhe qeverisje në USAID , Tanya Urquieta të hënën kanë inauguruar trotuarin e gjatë 800 metra në fshatin Pasjak me një investim prej 39 mijë e 377 eurove. Edhe Ymeri edhe Urquieta thanë se këto projekte po e përmirësojnë çdo ditë jetën e qytetarëve të Pasjakit.
USAID/DEMI së bashku me Komunën e Artanës kanë investuar projekte të dobishme për qytetarët e komunës së Artanës e në veçanti për banorët e fshatit Pasjak i cili me procesin e decentralizimit u shkëput nga Gjilani dhe u bë pjesë e Artanës.
Të hënën solemnisht Bajrush Ymeri kryetar i Artanës dhe Tanya Urquieta kanë inauguruar një trotuar të gjatë 800 metra në fshatin Pasjak. Ky investim i përbashkët kap vlerën e 39.377 eurove ku USAID/DEMI ka investuar 27.983 euro dhe komuna e Artanës ka kontribuar me 11.394 euro.
Bajrush Ymeri duke folur para qytetarëve të Pasjakit tha se në këtë fshat po edhe në Artanë në përgjithësi janë arritur rezultate të dukshme të cilat po e përmirësojnë jetën e banorëve të këtushëm.
Ymeri tha se kanë pasur bashkëpunim të shkëlqyeshëm me USAID dhe tani kanë arritur të realizojnë projekte shumë të kapshme duke filluar nga zyrat satelitore në fshatrat Pasjak e Stanishor, pastaj ndërtimi i aneksit komunal-qendra për shërbim të qytetarëve dhe projekte tjera infrastrukturore siç janë shkollat, trotuaret, deponitë etj.
Kurse Tanya Urquieta tha se Artana po realizon projekte interesante dhe në dobi të banorëve.”USAID-i edhe më tutje do ta përkrah Artanën sepse është njëra nga komunat e para në Kosovë që ka krijuar klimë të mirë për të bërë biznes dhe është shpërblyer si komuna e parë që arrin të sigurojë të hyra vetanake. Ne edhe më tutje do ta mbështesim me projekte konkrete Artanën” tha ajo.
Në emër të banorëve të Pasjakut foli Isak Behluli përfaqësues i fshatit i cili tha se projektet e fundit e kanë zhvilluar tepër shumë Pasjakin.”Nuk jemi penduar aspak që kemi kaluar me Artanën sepse këto projekte e kanë ndryshuar pamjen e fshatit” tha Behluli.
Bajrush Ymeri dhe Tanya Urquieta së bashku me Isak Behlulin e kanë prerë shiritin inaugurues të trotuarit derisa kanë lutur banorët që të kujdesen për këto investime që janë nga populli amerikan dhe qytetarët e Artanës./rajonipress/


