Eko Higjiena

USA Today: UBT, “Silicon Valley i Ballkanit”, në qendër të raportit për suksesin ekonomik të Kosovës

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

UBT është veçuar në raportin special “Kosovo: A Balkan Success Story”, të publikuar nga USA Today në bashkëpunim me One World Media, si një nga institucionet kryesore që po kontribuon në transformimin e Kosovës në një ekonomi të bazuar në dije, inovacion dhe teknologji.

Në kapitullin kushtuar zhvillimit të ekonomisë së dijes, raporti e përshkruan UBT-në si “Silicon Valley of the Balkans”, duke theksuar rolin e institucionit në ndërtimin e një ekosistemi të avancuar të teknologjisë, inovacionit, laboratorëve, parqeve teknologjike dhe inkubatorëve, që po përgatisin gjenerata të reja profesionistësh për tregun global.

Raporti vlerëson se, përtej modelit tradicional të arsimit të lartë, UBT zhvillon programet akademike në bashkëpunim me kompani dhe partnerë ndërkombëtarë të teknologjisë, duke i harmonizuar ato me kërkesat reale të tregut të punës dhe ekonomisë globale.

Themeluesi dhe Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, në deklaratën e tij për raportin thekson se sfida globale nuk është mungesa e fuqisë punëtore, por mungesa e aftësive specifike që kërkon tregu modern. “Ndërmarrjet perëndimore nuk përballen vetëm me mungesë të numrit të punonjësve, por me mungesë të aftësive specifike dhe fleksibile. Duke harmonizuar rezultatet tona akademike me kërkesat e tregut në kohë reale, ne po e pozicionojmë Kosovën si një rezervë të rëndësishme të kompetencës së nivelit të lartë”, është shprehur Prof. Dr. Edmond Hajrizi.

Raporti thekson se Kosova po ndërton një avantazh të ri konkurrues përmes kapitalit njerëzor, ndërsa UBT paraqitet si një nga institucionet që po udhëheq këtë transformim, duke zhvilluar profesionistë me kompetenca në inteligjencën artificiale, teknologji, inxhinieri, inovacion dhe fusha të tjera strategjike.

Hidromorava

Sipas raportit, fuqia punëtore e Kosovës karakterizohet nga fleksibiliteti, njohja e gjuhëve të huaja dhe aftësia për t’u integruar në mjedise ndërkombëtare të biznesit.

Në këtë kontekst, UBT vlerësohet si një model i arsimit modern që ndërthur edukimin, kërkimin shkencor, teknologjinë dhe bashkëpunimin me industrinë, duke kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin e ekonomisë së dijes dhe rritjen e konkurrueshmërisë së Kosovës në nivel ndërkombëtar. Përmes këtij vlerësimi në një nga mediat më të njohura amerikane, UBT konfirmon edhe një herë pozicionin e tij si lider në arsimin e lartë, inovacion dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor, duke e vendosur Kosovën në hartën globale të arsimit, teknologjisë dhe ekonomisë së së ardhmes.

Artikulli i plotë i USA Today: LINKU