Urgjentisht, zgjedhje të reja!

Kuvendi e Qeveria, në kolaps total
“Përfundimisht, them se si ky Kuvend, ashtu edhe Ekzekutivi, duhet urgjentisht të shkojnë te shtëpia, në mënyrë që zgjedhjet e jashtëzakonshme të jenë më premtuese në kuptimin e ardhjes së një gjenerate më të përgjegjshme politikisht dhe më e organizuar ligjërisht, ku shteti-fuqizimi do të ishte obligimi i tyre, por jo edhe klientelizmi si proces pune”, thotë Arsim Haziri për “Kosova Sot”
Analistë politikë dhe qytetarë të vendit janë të një mendimi se ky Kuvend i papërgjegjshëm i Kosovës, që nuk përmbush as 22 për qind të planit të punës, do të duhej që të shpërndahej sa më parë. Sipas analistëve e qytetarëve, edhe deputetët e tashëm dështuan që të debatojnë dhe të trajtojnë temat e ndjeshme e kruciale për qytetarët dhe shtetin, që janë monopolet zhvatëse e kriminale,pastaj Wettingu, dëmet e luftës e shumë e shumë tema tepër të rëndësishme, duke mbrojtur interesat kriminale të mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale dhe të cilët i ushqejnë të gjitha partitë politike në Kosovë. Sipas njohësve të kësaj fushe, vlerësohet se kjo legjislaturë e ka dëshmuar si asnjëherë më parë, se është krejtësisht jomeritore dhe do të duhej sa më parë të shpërndahej, për t’i dhënë mundësinë popullit të zgjedhë përfaqësues më të denjë. Politologia Liridona Bislimi, për gazetën “Kosova Sot”, tha se Legjislatura aktuale e Kosovës deri më tash është karakterizuar me planifikim të dobët të punës, duke u përballur në vazhdimësi me mungesë të kuorumit, e kjo problematikë, në vend se te rrallohej, ajo vetëm sa u theksua më shumë gjatë muajve të fundit. “Seancat plenare nuk ishin të rregullta, ndërkohë në shumicën e rasteve, kur duhet miratuar ligjet, numri i deputetëve ka qenë i pamjaftueshëm”, u shpreh ajo.
Dështimi i seancave Analistja Bislimi thotë se, deputetët fillimisht shënojnë praninë e tyre dhe më pas braktisin seancën, ndërsa Kryesia e Kuvendit më shumë nuk ka qenë në krye të detyrës, kështu duke mos organizuar në mënyrë të përgjegjshme planin e punës, dhe duke mos i caktuar paraprakisht seancat, në mënyrë që edhe deputetët, por edhe anëtarët e kabinetit qeveritar, të përgatiten për pikat e rendit të ditës që diskutohen në Kuvend. “Një pjesë e madhe e deputetëve nuk ishin të pranishëm as nëpër komisionet parlamentare, ku fillimisht, aty duhet t’i diskutojnë ligjet e që pastaj t’i bëjnë gati për seancë, kështu duke dëshmuar që gjatë kësaj legjislature Kuvendi i Kosovës ishte funksional në paraqitje, por jo edhe në praktike”, vlerësoi ai.
Sipas Bislimit, seancat, sa ka mbajtur Kuvendi, pjesa dërmuese janë shtyrë për mungesë kuorumi. “Këto seanca janë përcjellë me vazhdime, madje deri në katër herë edhe përkundër faktit se në listat e pjesëmarrjes të seancave të mbajtura, janë nënshkruar 90 për qind e deputetëve, një numër i konsiderueshëm i tyre nuk kanë qëndruar në sallë deri në përfundim të seancës”, vijoi më tej ajo. “Për rrjedhojë, votimi i pikave të rendit të ditës në ditën kur është paraparë, ka qenë i pamundur për shkak të mosprezencës së deputetëve, e nëse ata do të ishin sadopak të ndërgjegjshëm duhet t’u vijë keq që të nënshkruhen vetëm sa për mëditje dhe të ikin nga seancat”,thotë analistja Liridona Bislimi.
Organi qendror, tepër pasiv Kurse, analisti Arsim Haziri, për gazetën “Kosova Sot”, tha se është mjaft e justifikueshme mospuna e Kuvendit, organit qendror aty ku shteti merr avancim shumëdimensional. “Kuvendi në përbërjen aktuale gjithnjë e më shumë është duke humbur rolin dhe funksionin, ai më shumë është arenë e akuzave ndër aktorësh politik sesa brenda përgjegjësisë konsoliduese”, u shpreh ai. “Kuvendi i Kosovës në stadin aktuale mjaft e ka minimizuar rëndësinë, madje ai shihet si stagnues i prosperitetit nacional, aty gjithnjë e më shumë mundësohet zhbërja e shtetit. Ke deputetë, me përjashtim të disave, të cilët as edhe njëherë nuk e kanë ngritur zërin, duke e shpërfaqur padinjitetshëm besimin qytetar”, vlerësoi Haziri. ” Kuvendi përbën mundësinë më relevante në zhvillimin e vendit, aty merren iniciativa, propozime si dhe vendime për avancimin, respektivisht zhvillimin e qëndrueshëm të shtetit. Në gjendjen e tanishme, Kuvendi përmes pasivitetit maksimal gjithnjë e më shumë është duke e legalizuar moszhvillimin, përditësisht është duke e përbërë stagnimin. Aty pothuaj asnjëherë nuk diskutohet për disa nga proceset vitale, aty asnjëherë nuk procedohen çështje prej të cilave shteti mund të shënojë prosperim”,thotë ai. Qytetarët, të irrituar nga pushteti Qytetarët e anketuar thonë se janë tejet të pakënaqur me punën e përbërjes aktuale të Kuvendit të Kosovës.
Qytetari nga Prishtina, Jetullah Krasniqi, pensionist, për gazetën “Kosova Sot”, tha se përbërja aktuale e Kuvendit të Kosovës nuk është duke e kryer punën e vet, si edhe detyrat e tij të përcaktuar sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. “Mendoj që sa më shpejt duhet të shpërndahet Kuvendi, në mënyrë që të zgjidhen njerëz të popullit që mundohen që dhe punojnë për popullin. Kjo, ngase përbërja e tashme e Kuvendit të Kosovës, por edhe Qeveria, mundohet dhe punojnë vetëm për xhepat e vet, ndërsa fatkeqësisht për popullin nuk janë duke bërë asgjë. Kjo, ngase deputetët e tashëm të Kuvendit të Kosovës janë tërësisht lojal të partive të tyre e jo të zgjedhësve që i kanë votuar”, u shpreh ai. “Po më habit fakti i kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili derisa ka ardhur në këtë detyrë, ai është zotuar se do të punojë për popullin, kurse në të vërtetë edhe ai iu ka mveshur kryetarit HashimThaçi dhe për fatin e keq nuk është duke punuar për popullin”, ka thënë Krasniqi. Kurse, qytetari tjetër po ashtu nga Prishtina, Hetem Maqedonci, për gazetën “Kosova Sot”, tha se nëse një përbërje e tillë e Kuvendit nuk është cilësore të pakën në kuotën 40 për qind atë Kuvend duhet shpërndarë urgjentisht. “Veç saj, e meta tjetër e përbërjes së tashme të këtyre deputetëve është se ata nuk guxojnë që të flasin për problemet kryesore të vendit, sikurse që janë krimi i organizuar, korrupsioni, mungesa e sundimit të ligjit. Por, edhe ato debate që po bëhen në këtë përbërje Kuvendi, ato janë shumë artificial dhe veç saj deputetët janë shumë pasivë dhe me mungesa të shumta në mbledhje, por edhe me mungesa të kuorumit gjatë marrjes së vendimeve dhe nxjerrjes së ligjeve të ndryshme”, vlerësoi ai. “Shpresoj se ky popull tashmë është pjekur dhe vetëdijësuar dhe është ngopur me këtë lloj të kuvendarëve. Por, nëse populli ynë edhe një herë i voton këta deputetët hajna, kjo në një mënyrë sikur lë dyshime se edhe populli ynë qenka hajn. Është për keqardhje që edhe pse më shumë se 7 milionë euro janë shpenzimet që nga buxheti i shtetit shkojnë për pagat e mëditjet e deputetëve, por më shumë se gjysma e deputetëve nuk kanë marrë mundin që gjatë 2018-s të shtrojnë të paktën një pyetje parlamentare,duke ia shtuar edhe faktin skandaloz se gjatë këtij viti Kuvendi arriti të realizonte vetëm 22 për qind të agjendës së punës, që është për çdo kritikë “, potencoi Maqedonci.