Urbanizimi dhe Kadastra i përgjigjen pozitivisht KEDS-it

Gjilan – Komiteti për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit (KPUMM) dhe Komiteti për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë (KGJKP), dy trupa këto ndihmëse të Kuvensdit Komunal të Gjilanit, kanë miratuar të enjten kërkesën e KEDS-it për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale për nevoja të ndërtimit të trafostacioneve.
Propozimin për miratimin e kësaj kërkese, në KPUMM e ka arsyetuar Fadil Sherifi, shef i Urbanizimit, i cili ka thënë se KEDS-i ka kërkuar tri lokacione, në sipërfaqe të përgjithshme prej 48 m/2 për vendosjen e trafostacioneve, ku ka probleme me tensionin e ultë të rrymës elektrike.
Kurse në KGJKP, propozimin e ka arsyetuar Sali Fazliu, shef i sektorit Juridik, i cili ka thënë se lokacionet e kërkuara ndodhen në Velekincë, Livoç i Poshtëm si dhe në zonën ubrane “Qarku 3”, duke nënvizuar se parcelat jepen në shfrytëzim për kohë të caktuar dhe nuk bien ndesh me planet rregulluese.
Në KPUMM, Florina Zymberi (PDK) ka thënë se nuk ka informacione të mjaftueshme për të mështetur propozimin dhe ka abstenuar në votim. Kurse në KGJKP, Fadil Hajdari (PDK) ka kërkuar që kjo pikë të shtyhet, derisa anëtarët e kësaj trupe komunale të dalin në terren për t`i vizituar lokacionet e kërkuara, siç ka qenë praktikë deri tani dhe meqë propozimi i tij nuk mori mbështetje, ai e ka lëshuar mbledhjen.
Refik Shala, kryesues i KGJKP, ka thënë se kërkesa ka të bëjë me interesat e qytetarëve dhe duhet të procedohet pa vonesa të mëtejme, duke nënvizuar se Komuna e Gjilanit ka edhe një marrëveshje bashkëpunimi me KEDS-in.
Ndërkaq, KPUMM, në mbledhjen e sotme, ku ka marrë pjesë edhe kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku-Rexhepi, e ka zgjedhur Artan Hoxhën për kryesues të ri të kësaj trupe komunale, pas tërheqjes së Murat Hoxhës, për shkak të angazhimeve të tij si deputet i Parlamentit të Kosovës./rajonipress/