Ura e “vdekjes”ndërtohet në vitin 2013

Gjilan – Qemajl Mustafa ka vizituar urën e njohur si ura e vdekjes dhe është befasuar kur ka parë gjendjen e trishtueshme nëpër të cilën kalojnë kalimtarët. Mustafa ka thënë se ura do të jetë prioritet i tij për vitin 2013.
Kryetari i Gjilanit Qemajl Mustafa i shoqëruar edhe nga Riad Rashiti drejtor për zhvillim ekonomik dhe Ekrem Kryeziu nga këshilli i fshatit Dobërqan kanë vizituar urën që lidhë trekëndëshin Dobërqan-Pograxhë-Stublinë.
Mustafa ka inspektuar gjatë gjithë kohës gjendjen e urës dhe është befasuar nga ajo gjendje e trishtueshme nëpër të cilën detyrohen të kalojnë kalimtarët dhe banorët e këtyre fshatrave që punojnë tokat.
Mustafa tha se ura do të jetë prioritet i tij dhe qysh në fillim të vitit 2013 do të projektohet dhe do të nisë ndërtimi i saj.”Ne nuk guxojmë të lejojmë që të rrezikohet jeta e këtyre banorëve. Do të bëjmë maksimumin që ura të funksionalizohet” tha Mustafa.
Sipas një parallogarie që kanë bërë inxhinierët e ndërtimit të urave, tipi i urës në Dobërqan e cila ka një gjatësi prej 25 metrave, mund të kushtojë rreth 76 mijë euro.
Banorët e Dobërqanit,Stublinës,Pograxhës,Bilinicës që këmbejnë qoftë mallra apo gjëra tjera e mbajnë mend vitin 1989 kur ishte mbytur një familje 6 anëtaresh pikërisht për shkak të mungesës së mureve mbrojtës.
Ndërtimi i urës Dobërqan –Pogragjë-Stublinë i ngrit shpresat dhe krijon gjallëri për atë pjesë sepse bashkon interesat familjare të fshatrave në kufi me Serbinë, siç është Dobrosini,pastaj ofron familjet e shumta nga Bilinica,Llovca,Kokaj,Stublina,Zahiraj etj dhe krijon ura afërsie edhe me familjet e shumta të 13 fshatrave të rajonit të Kamenicës.
Aktualisht ura ekzistuese është shumë e papërshtatshme dhe paraqet rrezik shumë serioz për jetën e atyre familjeve të pakta që rrezikojnë të kalojnë mbi urë. /rajonipress/