KKVITI

UNMIK-u në Kosovë ndan një donacion për komunën e Gjilanit

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Kryetari i Komunës së Gjilanit Qemajl Mustafa ka pranuar një donacion për Komunën, nga zyra e UNMIK-ut në Kosovë, respektivisht nga përfaqësuesi i saj Robert Sorenson, i cili është zëvendës i PSSP-së së Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Donacioni në vlerë prej mbi 20 mijë dollarë përmban kompjuter dhe pajisje të tjera përcjellëse për zyrë, që është i orientuar saktësisht për zyrën për komunitete dhe zyrat tjera ndërlidhëse, për të cilin donacion kryetari i ka falënderuar duke thënë se është një ndihmë mjaft e qëlluar për Komunën tonë.

Mustafa ka shtuar se komuniteti ndërkombëtar ishte dhe mbetet një ndërmjetësues i pazëvendësueshëm për integrimin e komuniteteve në jetën shoqërore dhe politike në Komunën e Gjilanit dhe më gjerë në komunat tjerë. “Përderisa distanca e komunikimit dhe bashkëpunimit mes shqiptarëve dhe komuniteteve pakicë e me theks të veçantë atij serb ishte shumë larg, kjo gjendje sot është krejt ndryshe. Sot shqiptarët, serbët, turqit, romët etj bashkëpunojnë mirë, lëvizin lirshëm dhe nuk ka ndonjë problem që mund ta theksojmë. Pra sot më nuk flasim për lirinë e lëvizjes sepse ajo është e tejkaluar” ka thënë Mustafa.

Mustafa ka thënë se me përfaqësuesit e komuniteteve pakicë jemi duke bërë punë të mira së bashku nëpër fshatrat e ndryshme ku ata jetojnë. “Kemi numër të madh të zyrtarëve serb që punojnë në institucionet lokale në krahasim me përqindjen e numrit të qytetarëve serb që jetojnë në Komunën tonë. Nëse e krahasojmë sot në komunën tonë jetojnë rreth 2.5 % e komunitetit serb ndërsa rreth 8% e punëtorëve janë nga po ky komunitet. Qëllim i yni është që komunitetet ta ndjejnë veten të barabartë me qytetarët e tjerë dhe këtë e kemi bërë bashkërisht. Kemi investuar në infrastrukturë si në rrugë, ujësjellës, kanalizime, ambient, renovime të objekteve fetare dhe investime të tjera nëpër fshatrat serbe. Kështu është vepruar edhe në ato shqiptare pa dallim” ka potencuar Mustafa.

Hidromorava

Sipas tij brenga e përhershme e familjeve shqiptare, serbe, turke, rome është çështja e zhvillimit ekonomik saktësisht e punësimit, sepse gjendja ekonomike dhe sociale është ende larg asaj normales në përgjithësi në Komunën tonë. “Duhet një bashkëpunim dhe angazhim i madh i të gjithë neve për ta ngritur zhvillimin ekonomik. Ky donacion ndikon në përmirësimin e gjendjes së disa zyrave të komuniteteve dhe i përmirëson në një masë të madhe kushtet në të cilat punojnë këta punëtor” ka shtuar kreu komunal.

Ndërsa nga ana tjetër Robert Sorenson, zëvendës i përfaqësuesit të PSSP-së në Kosovë, tha se arsyeja pse jemi këtu është për shkakun se ju keni ecur përpara dhe keni tejkaluar tashmë problemet që ekzistonin vite më parë sa i përket bashkëpunimit dhe lirisë së lëvizjes. “Donacioni është për njerëzit më të cenueshëm në komunitet. Ndërsa sa i përket zhvillimit ekonomik duhet të jetë një pikë e përbashkët e angazhimit të të gjithë neve. Me përmirësimin e raporteve me komunitetet është i sigurt edhe zhvillimi ekonomik i kësaj komune dhe i vendit në përgjithësi. Në këtë kuadër edhe bisedimet që janë duke u zhvilluar në raport kryeministrash mundësojnë zhvillimin ekonomik, edukimin, lëvizjen e lirë, etj. Poashtu më duhet të theksoj se punësimi i mbanë njerëzit në shtëpitë e tyre. E kundërta, i largon ata” ka thënë Sorenson.

Edhe përfaqësuesit e komuniteteve serb, romë, …, kanë shprehur falënderimin për këtë donacion ndaj përfaqësuesve të UNMIK-ut dhe kryetarit të Komunës, i cili u rri pran kërkesave të tyre, dhe investon në bazë të mundësive që ka komuna dhe buxheti i saj.

Ata janë falënderues për trajtimin që u bëhet në Gjilan. Ndjehemi plotësisht të lirë dhe të pavarur kudo që jemi, nuk ka më frikë për lëvizjen e lirë në Gjilan, problem ende e kemi punësimin dhe gjendjen e rëndë ekonomike-sociale, kanë potencuar ata./rajonipress/

Mund të ju interesoj: