Universiteti Publik i Gjilanit ka mbajtur ceremoninë e diplomimit të studentëve

Gjilan – Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan, ka mbajtur sot Ceremoninë e tretë me radhë të Diplomimit të studentëve që mbetet një nga organizimet më kryesore për nga pesha dhe rëndësia si akademike, por dhe emocionale që kurorëzon mundin dhe dëshirën e rëndësishme dhe të shumëpritur nga studentët.

Fillimisht, studentët e diplomuar të veshur me uniformën solemne, të prirur nga Dekanët e tyre, ai i Fakultetit të Edukimit, Ekonomik, Juridik, Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe Dekani i Fakultetit të Shkencave Aplikative kanë parakaluar në sallë në prani të mysafirëve, për të vazhduar në tribunën kryesore.

Pastaj, po ashtu solemnisht kanë filluar ti zënë vendet e tyre edhe Rektori dhe Sekretari i Përgjithshëm.

Më pas nënë përcjelljen e Korit, është bërë intonimi i himnit të Kosovës, kombëtar dhe ai i Universitetit.

Rreth punës, sukseseve, të arriturave dhe sfidat që e kanë përcjellë ose që i ka edhe sot Universiteti “Kadri Zeka”, ka folur Rektori Bajram Kosumi.

Ai ka falënderuar studentët, stafin akademik e administrative dhe të gjithë të pranishmit për punën dhe angazhimin e treguar në fusha të ndryshme në të mirën e Universitetit në përgjithësi.

Rektori ka thënë se e ka parasysh se cilësi nuk krijohet brenda ditës, se praktikat jo të mira gjatë procesit të mësimit nuk zhduken lehtë, e kuptoj edhe se jo të gjithë janë të gatshëm për cilësi, por pavarësisht nga këto, pavarësisht nga fushatat e propagandat, i vetmi qëllim që na bën të jemi këtu ku jemi është dhe duhet të jetë cilësia e mësimit dhe hulumtimit në UKZ.

Rektori ka thënë se studentët tanë janë konkurrues në tregun global. “Studentët tanë po konkurrojnë në tregun global të punës, në shumë mënyra, edhe pa liberalizim të vizave. Diplomat tona i shtrohen vlerësimit të tregut global. Në të ardhmen ky do të jetë rregulli. Kush nuk e kupton atë, ministër, rektor, profesor a student, nuk është duke e kuptuar thelbin e çështjes”, ka thënë ndër tjerash në fjalën e tij, Rektori, Bajram Kosumi.

Në emër të kryetarëve të komunave të Anamoravës, ka folur Kryesuesja e Kuvendit Komunal në Gjilan Shpresa Kurteshi Emini, e cila ka uruar UKZ-në për ceremoninë derisa ju ka dëshiruar studentëve suksese të mëtutjeshme, duke e konsideruar ceremoninë e diplomimit si aktin më të rëndësishëm në rrugëtimin e çdo studenti.

Në emër të Rektorëve të Universiteteve të Kosovës, me një fjalë përshëndetëse është paraqitur Rektori i Universitetit të Prishtinës z. Marjan Dema, i cili pasi ka uruar për ceremoninë e diplomimit të studentëve, ka thëne se kjo është një arritje e madhe e Universitetit. Rektori Dema pos tjerash ka thënë se të gjithë jemi të fascionuar me të arriturat e Universitetit “Kadri Zeka”, me sukseset dhe ndryshimet pozitive nën udhëheqjen e Rektorit Kosumi, andaj ka uruar për suksese të mëtutjeshme.

Me një fjalë përshëndetëse para të pranishmëve është paraqitur Kryetari i Bordit Industrial, Xhelal Selimi, i cili ka inkurajuar studentët që të aplikojnë për punë nëpër biznese pasi që studentët e UKZ-së i kërkon edhe tregu i punës.

Për të motivuar dhe frymëzuar studentët e sapo diplomuar në rrugëtimin e ri që i pret, përvojën e tyre e ka paraqitur Doruntina Hajdari, studente e Fakultetit të Edukimit e diplomuar në vitin akademik 2016/2017, e cila tani punon mësuese në një shkollë fillore në komunën tonë. Lizë Rexhepi studente e Fakultetit Juridik e diplomuar në vitin 2017, e cila studimet e magjistraturës i ka përfunduar në SHBA, e cila ka folur për përvojën e re te fituar dhe sukseset pas përfundimit te studimeve Bachelor ne Universitetin “Kadri Zeka”.

Valdete Sadriu studente e Fakultetit Ekonomik e diplomuar me 2017, tani studente e studimeve master, pas diplomimit ka hapur biznesin e saj dhe tani mbanë kurse ne lenden e matematikes për fëmijët e shkollave fillore. Kurse Buen Bajrami, Studentët i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike i diplomuar në vitin 2017, tani student i studimeve Master në Programi E-qeverisja, ka thënë se mësimet e marra në UKZ po i praktikon në biznesin e tij, qe ka të bëjë me teknologjinë e informimit dhe sigurisë.

Më pas studentja e Fakultetit të Edukimit Adelina Halili së bashku me korin e Universitetit ka interpretuar këngën: “Këngë Moj”.

Pastaj Rektori Bajram Kosumi, ka ndarë diplomat për studentët e diplomuar që kanë qenë të dalluar në mësim nga një për secilin Fakultet.

Më pas secili Dekan, veç e veç, ka ndarë diplomat për secilin studentë të diplomuar.
Krejt në fund u realizua edhe momenti më kryesor, hedhja e kapelave nga studentët e diplomuar./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).