Fidanishtja

Universiteti i Vjenës i hapur për studentë nga Kosova

/ 2 minuta lexim

Prishtinë – Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, gjatë vizitës zyrtare në Vjenë, sot është takuar me ministrin federal për Shkencë dhe Hulumtim të Austrisë, Karlheinz Tochetrle.

Me këtë rast Buja falënderoi përzemërsisht për gjithë ndihmën që Austria ka dhënë në fushën e arsimit, kurse ministri austriak shprehi gatishmërinë e plotë që bashkëpunimi mes dy shteteve të thellohet edhe më shumë në të ardhmen.

Siç njofton MASHT-i, dy ministrat kanë biseduar me theks të veçantë për arsimin dhe aftësimin profesional, akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë, procesin e Bolonjes, shkencën dhe hulumtimin, qendrën NARIC, etj.

Fidanishtja

Ministri Buja sot mori pjesë edhe në tryezën e rrumbullakët me përfaqësuesit e komunitetit shkencor të Austrisë, si dhe vizitoi disa nga universitetet më të njohura të Vjenës, me ç’rast mori premtimin që studentëve kosovarë t’iu jepet e drejta e studimit në Universitetin e Vjenës, si dhe në atë për Teknologji.

Ministri Buja mbrëmë, me organizimin e ambasadorit tonë në Austri, Sabri Kiqmari, ka pasur një takim me mësuesit e mësimit plotësues në gjuhën shqipe në këtë vend, si dhe me disa studentë kosovarë.