Universiteti i Prishtinës në kolaps
Politizimi i arsimit të lartë me pasoja të rënda. Dështon mbledhja e Senatit, shtyhen avancimet akademike.
Njohësit e arsimit të lartë, theksojnë se gjendja aktuale në UP është si vazhdimësi e viteve të mëhershme të UP-së që nga paslufta dhe se kjo është krijuar për shkak të keqmenaxhimit dhe të dorës së zgjatur të politikës
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ramadan Zejnullahu, ka deklaruar se në UP nuk do të lejojë prodhimin e analfabetëve, duke aluduar se do të kërkojë cilësi që të kemi të diplomuar që e njohin profesionin e vet.
Mirëpo, për t’u bërë kjo, ai së pari duhet të bëjë filtrimin e stafit akademik në UP që çalon shumë dhe një pjesë e madhe ka ardhur nga politika, duke mos respektuar asnjë ligj e konkurs.
Njohësit e arsimit të lartë në Kosovë mendojnë se kjo gjë, pra ndalja e analfabetizmit, nuk lidhet me studentë, por me profesorët, të cilët e kanë degraduar sistemin e arsimit në Kosovë.
Deputetja dhe anëtarja e Komisioni për Arsim, Teuta Haxhiu, thotë se gjendja ka ardhur deri këtu edhe si pasojë e hapjes së shumë universiteteve pa i menduar mirë. “Ne duhet të punojmë në drejtim të cilësisë, sepse cilësia nuk është në nivelin e kënaqur askund. Sistemi i arsimit është duke u degraduar dhe duket sikur në vitet e 90-a. Por, a është faji i studentëve që të themi nuk marrin diploma me meritë, them se nuk është, sepse faji është i udhëheqësve të këtyre institucioneve, i politikës, sepse politika i ka futur duart aq thellë sa çdo gjë është politizuar”, thotë ajo./kosova sot/


