Universiteti i Gjilanit mbylli konkursin për pranimin e studentëve të rinj për studimet BA dhe MA

Gjilan – Në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, kanë aplikuar rreth 1000 aplikantë për tu regjistruar në studimet themelore BAÇELOR dhe në studimet pasdiplomike – MASTER, deri sot, kur edhe është mbyllur konkursi. Në bazë të statistikave, fakulteti më i preferuar vazhdon të mbetet ai i Edukimit dhe Fakulteti i Shkencave Kompjuterike.

Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan në studimet baçelor respektivisht në Fakultetin e Edukimit programi Fillor dhe Parashkollor, Fakultetin Juridik, Fakultetin Ekonomik në programet Banka Financa dhe Kontabilitet, programin Menaxhim dhe ndërmarrësi, Fakultetin e Shkencave Aplikative programi Matematikë Arsimore dhe Fakultetin e Shkencave Kompjuterike do të regjistrojë 780 studentë të rregullt, ku përfshihen edhe studentë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi si dhe komunitetet jo-shumicë.

Derisa për studimet pasdiplomike – MASTER, për vitin akademik 2020/2021, Universiteti “Kadri Zeka” do të regjistroj 100 studentë të rregullt, për programet E-Qeverisja, program ky i përbashkët mes Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Fakultetit Juridik dhe Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Kadri Zeka” dhe programin Qeverisja Lokale dhe Shoqëria Demokratike, program i përbashkët me Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren dhe Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë.

Xhevdet Thaqi, Prorektor për Mësim, Kërkime Shkencore dhe Çështje të Studentëve në Universitetin ”Kadri Zeka” në Gjilan tha se procesi i aplikimit dhe pranimit të dokumenteve ka shkuar mirë ashtu siç është paraparë me planin dinamik. “Procesi ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme, është administruar në mënyrë efikase, dhe nuk kemi pasur ndonjë problem ose parregullsie në procesin e pranimit të aplikimeve të regjistrimit të të dhënave në sistemin elektronik – online”, tha Prorektori Thaqi.

Provimi pranues për studimet BAÇELOR do të mbahet të premten, më datë 02.10.2020 për Fakultetin Juridik, Shkencave Kompjuterike dhe Fakultetin e Shkencave Aplikative. Kurse për Fakultetin e Edukimit dhe Fakultetin Ekonomik provimi pranues do të mbahet të shtunën më 03.10.2020.

Koha e saktë e mbajtjes së provimit, lista e kandidatëve dhe numri i sallave do të publikohen në ueb faqe të Universitetit të enjten më 01.10.2020.

Shpallja e rezultateve të provimit pranues do të bëhet, më së voni, deri të martën datë 6 tetor 2020 në fakultetet përkatëse si dhe në ueb-faqen e universitetit.

Kandidatët të cilët nuk janë pranuar mund t’i paraqesin ankesë fakultetit përkatës më së largu 48 orë pas publikimit të rezultateve. Pas këtij afati, ankesat nuk do të pranohen. Shqyrtimi i ankesave bëhet nga Komisioni për shqyrtimin e ankesave nga fakulteti përkatëse më datë 8 tetor 2020 duke filluar nga ora 10.00./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).