UBT

“Unë nuk mund të kthehem në Kosovë”, dënohet me burg dhe dëbohet nga Zvicra 44-vjeçari që ka vjedhur mallra në vlerë 44 mijë franga

/ 3 minuta lexim

Gjykata e Qarkut në Pfäffikon të Cyrihut ka dënuar një kosovar 44 vjeçar me një dënim me burg me kusht prej 16 muajsh për vjedhje masive, katër muaj më shumë se që kishte kërkuar prokurori, shkruan 20minuten.ch. Veç kësaj ai është dënuar edhe me dëbim 7 vjeçar nga Zvicra.

Meqenëse vjedhja e konstatuar bën pjesë në deliktetet e ashtuquajtura “të katalogut”, krahas dënimit, është i detyrueshëm edhe dëbimi nga Zvicra, transmeton albinfo.ch.

Pasi ai deri tani ka qëndruar në burg për gati një vit, ai do t`i dorëzohet zyrës së emigracionit për dëbim. Ai tani do të krijojë familje me partneren e tij aktuale në Kosovë, është shprehur babai i divorcuar i dy fëmijëve.

Kosovari ka jetuar dhe punuar në Zvicër që nga viti 2009 pa leje qëndrimi apo pune, kryesisht në Gjenevë. Ai kishte punuar më parë si punëtor i pa kualifikuar, ngjyrosës dhe shtrues pllakash. Sipas avokatit të tij, megjithatë, ai ishte regjistruar në kompaninë e sigurimeve shëndetësore dhe AHV në Gjenevë dhe për këtë kishte menduar se ishte me qëndrim të rregullt në Zvicër.

44-vjeçari që punonte për një shërbim privat postar (korier) nuk ka dorëzuar në destinim mbi njëqind paketa. Për më tepër, ai i ka përvetësuar ose i ka shitur ato.

Në shtatë faqe, aktakuza radhit të gjitha mallrat që ishin në 115 pakot të cilat 44-vjeçari nuk ua ka dorëzuar marrësve por i ka grumbulluar në shtëpinë e tij.Aty përfshihen: veshje të grave dhe të burrave, syze dielli, vathë, termometra zgare, çizme gome, atlete etj.

Fundamenti

Nga janari deri në arrestimin e tij, në fillim të korrikut 2020, ai i kishte bërë turnetë e tij të punës të shtunave në zonat e komunave të Kantonit të Cyrihut, si: Nürensdorf, Wangen dhe Brüten.

Ai ka punuar për një shërbim korrier privat që shpërndan paketat në emër të Swiss Post. Vlera e mallit të vjedhur në këtë mënyrë ka qenë rreth 44,000 franga.

I pyetur nga gjykatësi përse nuk i kishte dorëzuar paketat, ai pati një përgjigje të çuditshme: “Nga zhgënjimi dhe zemërimi, sepse nuk gjeja adresën e dorëzimit”.

Në atë kohë ai sapo kishte ardhur nga Gjeneva për të jetuar në Cyrih dhe nuk i njihte rrugët përkatëse. Kjo është arsyeja pse ai kryesisht i mbante paketat në shtëpi dhe shiste një pjesë të vogël të tyre.

“Pasi i kisha grumbulluar mallrat në banesën time, nuk dija çfarë të bëja me to”. Ai ndihet keq dhe betohet se nuk do të bëjë kurrë më diçka të tillë në jetë.

44-vjeçari nuk kishte asnjë problem me dënimin me burg: “Unë do të kisha pranuar një dënim më të gjatë, ndihem fajtor”. Por, kur gjykatësi përmendi dëbimin shtatë-vjeçar nga vendi, ai është shprehur: “Unë nuk mund të kthehem në Kosovë, më jepni edhe një shans tjetër”./albinfo.ch/